Brazili duket se është vendi ku vaksinimi kundër Covid-19 duhej të kishte nisur shpejt – dhe jo vetëm sepse po vuan rëndë nga sëmundja. Institutet mbresëlënëse të kryerjes së vaksinave – Butantan në San Paulo dhe Fiocruz në Rio de Zhaneiro – ofrojnë mbështetje të fortë për programet ekzistuese të imunizimit. Natália Pasternak, mikrobiologe në Universitetin e San Paulos, thotë se vendi i saj do të kishte krijuar vetë një vaksinë nëse do të ishte mobilizuar siç duhet.
Edhe pse nuk ndoqi atë rrugë, Brazili ka qenë i përfshirë ngushtë në krijimin e vaksinave Covid-19 diku tjetër, duke zhvilluar katër prova të fazës tre – pjesërisht, sepse shkalla e lartë e infeksionit do të thoshte se prova të tilla mund të prisnin rezultate të shpejta. Mund të mendohet se kjo do ta vinte vendin ndër të parët në radhën e dërgesave të vaksinës. Por në javën e parë të janarit, Brazili, një shtet me 212 milionë banorë, kishte vetëm 6 milionë doza të një vaksine Covid-19 brenda kufijve të tij. Për shkak se vaksina nuk është miratuar ende nga rregullatorët e vendit, asnjë dozë nuk është përdorur.
Që nga dhjetori, tre vaksina Covid-19 të zhvilluara nga kompani perëndimore janë miratuar për përdorim nga organet rregullatore që Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) i konsideron “të rrepta”. Rregullatorët amerikanë dhe europianë kanë miratuar dy vaksina; njëra e krijuar nga BioNTech, kompani gjermane e bioteknologjisë dhe e prodhuar nga Pfizer, një firmë farmaceutike amerikane; tjetra, nga Moderna, një kompani amerikane e bioteknologjisë.
Një vaksinë e krijuar në Universitetin e Oksfordit dhe e prodhuar nga AstraZeneca, firmë farmaceutike anglo-suedeze, është miratuar në Britani dhe Indi – vendi që prodhon pjesën më të madhe të vaksinave të përdorura në vendet në zhvillim. Vaksinat e bëra nga Rusia dhe Kina janë autorizuar gjithashtu për përdorim në vendet e tyre dhe disa të tjerë.
Fakti që ka vaksina, e aq më tepër doza me shumicë të tyre, më pak se një vit pasi u raportuan rastet e para të Covid-19, është një arritje e jashtëzakonshme. Ajo gjithashtu sjell sfida të reja. Në vendet e pasura, ku pjesa më e madhe e zhvillimit të vaksinave vazhdoi, këto probleme janë kryesisht në prodhim dhe shpërndarje: si të menaxhojmë detyrën logjistike për të injektuar vaksinat tek njerëzit e duhur, sa më shpejt të jetë e mundur. Vendet me të ardhura të mesme dhe të varfra përballen me problemet e blerjes. Dhe pabarazitë brenda dhe midis vendeve po nxjerrin në pah pabarazitë e mëparshme dhe mosfunksionimin politik.
Vështirësia e Brazilit tregon dëmin që mund të shkaktojë politika. Presidenti Jair Bolsonaro ka tallur dhe zvogëluar vazhdimisht shqetësimin në lidhje me Covid-19. Në fillim të qershorit, João Doria, guvernatori i San Paulos, nënshkroi një marrëveshje me Sinovac, një kompani kineze bioteknologjike, për të zhvilluar provat e fazës së tretë të vaksinës së saj CoronaVac në shtetin e tij; marrëveshja i dha shtetit 6 milionë doza dhe të drejtën për të bërë 40 milionë më shumë doza në Institutin Butantan në San Paulo.
Zoti Bolsonaro, i cili i kishte injoruar përpjekjet nga prodhuesit e vaksinave, u tall me lëvizjen e rivalit të tij dhe përbuzi vaksinën kineze. Në fund të korrikut, qeveria qendrore kërkoi 100 milionë doza nga AstraZeneca. Por nuk është miratuar ende në Brazil, dhe prodhimi, i cili do të trajtohet nga Fiocruz, do të kërkojë disa muaj për t’u certifikuar.
“Asnjë sekretar shëndetësie nuk mund ta imagjinonte se kjo mund të ndodhte”, thotë Fábio Vilas-Boas, sekretari i Shëndetësisë në Bahía, një shtet me 15 milionë njerëz në verilindjen e varfër të Brazilit. Me dhjetëra qytete dhe shtete po ndjekin rrugën e San Paulos në negociatat direkte me prodhuesit e vaksinave për të garantuar furnizime. Bahía ka rënë dakord për të zhvilluar provat e Sputnik V, vaksina e krijuar në Rusi, në këmbim të përparësisë ndaj aksesit të 50 milionë dozave.
Një grup klinikash private braziliane kanë rënë dakord për të blerë 5 milionë doza Covaxin, një vaksinë eksperimentale e zhvilluar nga India Bharat Biotech e cila, për habinë e shumë njerëzve, kohët e fundit mori miratimin për përdorim urgjent nga rregullatorët indianë.
Kjo gjueti shqetësuese në fushën e shëndetit publik, pasqyron një dinamikë më të përgjithshme. Efikasiteti i demonstruar i tre vaksinave të zhvilluara nga kompanitë farmaceutike perëndimore ka bërë që vaksinimi të ndihet si një mundësi urgjente në të gjithë botën, veçanërisht në vendet me të ardhura të mesme si Argjentina, Brazili, Indonezia dhe Afrika e Jugut. Por furnizimet e këtyre vaksinave, në përgjithësi, janë marrë nga vendet ku janë zhvilluar dhe fqinjët e tyre të botës së pasur.
Për më tepër, dy nga ato vaksina, nga Pfizer-BioNTech dhe Moderna, janë mjaft delikate dhe kërkojnë trajtim të veçantë – dhe shumë të shtrenjta. Seth Berkley, shefi i Gavi, një nismë publike-private që shpërndan vaksina në vendet me të ardhura të ulëta, thotë se jashtë botës së pasur, vaksina Pfizer-BioNTech ka të ngjarë të përdoret vetëm në popullata shumë të vogla, si punëtorët e shëndetësisë në qytetet e mëdha.
Vaksina AstraZeneca-Oxford mund t’i ofrojë botës më shumë në përgjithësi. Është më e lirë dhe më e fuqishme, dhe ekspertiza e nevojshme për prodhimin e saj është mjaft e përhapur. Ka plane që ajo të prodhohet në nëntë “nyje” në të gjithë botën, duke lejuar që të prodhohen shumë doza. Nyja që ka më shumë rëndësi për doktor Berkley është ajo në Korenë e Jugut. Ajo do të prodhojë vaksinën për Covax, një konsorcium i krijuar nga Gavi, i përkushtuar në sigurimin e vaksinave Covid-19 në të gjithë botën.
Për fat të keq, vetëm nyjet në Britani dhe Indi deri tani kanë marrë miratimin rregullator dhe kanë filluar prodhimin, dhe shumica e prodhimit të tyre është planifikuar për përdorim të kufizuar. Miratimi i rregullatorit për të tjerët, duke përfshirë Fiocruz në Brazil, mund të kërkojë kohë. Doktor Berkley pret që miratimi për nyjen e Koresë së Jugut të zgjasë 40 ditë. Pas kësaj, OBSH duhet të japë pëlqimin para se Covax të veprojë.
Në një botë ku furnizimi i një vaksine të lirë perëndimore përgjatë këtyre linjave ishte tashmë i mjaftueshëm do të kishte pak interes për vaksinat më pak të vërtetuara nga Kina, India dhe Rusia. Ato ofrojnë një mundësi të mirë për disa vende, si dhe një nxitje për krijuesit e tyre.
Kina dhe Rusia i shohin vaksinat e tyre si nxitje të prestigjit dhe fuqisë së tyre të butë, si dhe një rrugë për mundësi tregtare dhe diplomatike. Kina dëshiron të “projektojë imazhin e një vendi që po kujdeset për vendet që kanë mbetur pas”, thotë Oliver Stuenkel nga Fundação Getulio Vargas, një universitet në San Paulo. Kjo lloj diplomacie vaksinash mund të modelojë gjeopolitikën e vitit 2021 dhe më gjerë.
Sigue Sigue Sputnik
Në gusht, presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, njoftoi se Qendra Gamaleya në Moskë kishte zhvilluar vaksinën e parë në botë kundër Covid-19: përparësia e saj u bë e qartë nga emri Sputnik V, një referencë për satelitin e lançuar nga Bashkimi Sovjetik në vitin 1957. Siç shpjegon Elena Amelina, e cila drejton një laborator kërkimor në Institutin e Kërkimeve të Pulmonologjisë në Rusi: “Qëllimi nuk ishte thjesht të prodhohej një vaksinë funksionuese dhe e besueshme, por të krijohej ideja se Rusia ishte përpara pjesës tjetër të botës – sikur të ishte një garë armatimesh apo një garë hapësinore”.
Megjithatë, analogjia kishte një të metë fatale. Askush nuk e vuri në dyshim se ishte kryer një hap i madh përpara kur Bashkimi Sovjetik lançoi satelitin e parë në botë: tingujt që lëshonte Sputniku teksa vërtitej rreth Tokës, mund të kapeshin edhe nga radiot e tranzitorit. Por në rastin e Sputnik V, duhej besuar fjala e Putinit. Nevoja për një njoftim të shpejtë nuk kishte lejuar kohë për studime të plota; të dhënat ishin të mangëta.
Qeveria ruse mendon se perceptimi publik është gjithçka. Sistemi imunitar i njeriut merr një pamje tjetër dhe rregullatorët e pavarur përpiqen të ndjekin shembullin e dhënë nga udhëheqësit politikë. Mungesa e të dhënave të besueshme parandaloi çdo pranim të Sputnik V në Perëndim. E njëjta gjë ishte e vërtetë për vaksinën Sinovac, të cilën autoritetet kineze e miratuan për përdorim emergjent në gusht, dhe vaksina nga Sinopharm, e miratuar për përdorim të përgjithshëm në dhjetor.
Kjo nuk do të thotë se ato vaksina nuk funksionojnë; vetëm se efikasiteti i tyre nuk u provua kur u miratuan për herë të parë. Që atëherë, provat në vende të ndryshme i kanë bindur disa rregullatorë në vende të tjera se produktet jo-perëndimore ia vlen të blihen dhe janë të sigurta për t’u përdorur. Të tjerë janë duke pritur për gjykime të mëtejshme përpara se të hyjnë në veprim.
Në Bahrejn, i cili ka nivelin e dytë më të lartë të vaksinimit globalisht, njerëzit e kanë marrë me entuziazëm vaksinën Sinopharm, pasi furnizimet e Pfizer-BioNTech mbaruan; provat në Emiratet e Bashkuara Arabe kanë zbuluar se ka një normë efikasiteti prej 86%. Provat në Turqi dhe Indonezi sugjerojnë se CoronaVac ofron mbrojtje, por të dhënat mbi efikasitetin e saj mbeten të pamjaftueshme. Që nga ajo kohë, Indonezia ka filluar vaksinimin e njerëzve në moshë pune me CoronaVac – megjithëse jo njerëz të moshuar, sepse të dhënat ende nuk e mbështesin atë. Rezultatet e provës nga São Paulo CoronaVac, po priten me padurim edhe jashtë Brazilit.
Forma të tjera miratimi janë gjithashtu në dispozicion. Sputnik V është i ngjashëm nga modeli me vaksinën AstraZeneca-Oxford – të dyja përdorin një adenovirus të padëmshëm për të krijuar një transkript gjenetik që modelon proteinën gjembore të sars-cov-2 – dhe në dhjetor AstraZeneca dhe Qendra Gamaleya ranë dakord për të punuar në prova që kombinojnë të dyja vaksinat.
Doktor Amelina e sheh këtë si një shans që vaksina ruse të përmirësojë reputacionin, një këndvështrim i ndarë edhe nga të tjerë. Ndërkohë, media shtetërore ruse e ka portretizuar këtë pikëpamje si Perëndimi që vjen e lutet për ndihmë. Nëse hetimet e mëtejshme shkojnë mirë, është e mundur që vaksina të pritet më ngrohtë jashtë vendit sesa në vend, ku në dhjetor, 58% e rusëve, të mësuar me gënjeshtrat e politikanëve, deklaruan se nuk do të ishin të gatshëm ta merrnin vaksinën.
Ka hezitim të brendshëm edhe në Kinë – dhe jo pa arsye. Vendi ka një histori të gjatë të skandaleve të vaksinave. Por 1.5 milionë dozat e vaksinës që u shpërndanë vitin e kaluar nuk qenë të detyrueshme nga qeveria, si ushtarë, zyrtarë partie dhe punëtorë që dërgoheshin jashtë vendit. Disa njerëz të privilegjuar kanë siguruar akses ndaj vaksinës. Programet masive të vaksinimit tani po prezantohen me qëllime ambicioze, por pa ndonjë sens të madh urgjence. Numri i rasteve të Covid-19 është i vogël dhe jeta po i afrohet normalitetit.
Regjimentet e Europës
Është e mundur që me kalimin e kohës, qeveritë perëndimore do të rrisin sasinë e vaksinës në dispozicion për të tjerët. Shumë prej tyre kanë porositur më shumë sesa kishin nevojë nga furnitorë të ndryshëm, në mënyrë që të siguroheshin se do të kishin në duar të paktën një vaksinë që funksiononte.
Kanadaja ka doza të mjaftueshme për të imunizuar 505% të popullsisë; Britania dhe Amerika kanë siguruar përkatësisht një nivel prej 290% dhe 200%. Kur këto vende të ndihen të sigurta se do të kenë një furnizim që plotëson nevojat e programeve të tyre të vaksinimit, ato mund t’i ridrejtojnë dozat e tepërta sipas kërkesës së jashtme.
Megjithatë, për momentin, një program plotësisht i përkryer është një gjë e rrallë. Kjo është veçanërisht e vërtetë në Europën Kontinentale, ku shtrirja e vaksinave ka qenë shumë më e ngadaltë se në Amerikë dhe Britani (aq më tepër në Izrael, i cili po udhëheq botën). Një arsye duket se është Agjencia Europiane e Barnave (EMA), e cila po jep miratimin me kusht për vaksinat, në vend që thjesht të autorizojë përdorimin e tyre në rast urgjence. Ky standard më i lartë ka përfitime, duke përfshirë edhe detyrimin e dëmshpërblimit të furnitorëve kundrejt proceseve gjyqësore, por kërkon më shumë të dhëna dhe më tepër kohë. Rregullatorët amerikanë dhe britanikë kanë qenë më të shpejtë.
Një problem tjetër është se BE-ja, duke vepruar si një blerës me shumicë për vendet anëtare, ofroi më tepër para për produktin e AstraZeneca sesa për Pfizer dhe EMA ende nuk e ka miratuar vaksinën AstraZeneca-Oxford. BE gjithashtu porositi një dozë të lartë të një vaksine që po zhvillohej nga Sanofi, një kompani farmaceutike franceze, në bashkëpunim me kompaninë britanike GSK. Fatkeqësisht, provat treguan se kjo vaksinë nuk kishte rezultate të mira në gjenerimin e imunitetit tek pacientët e moshuar. Një formulim i ri mund t’i rregullojë gjërat. Por nuk ka gjasa të miratohet dhe të jetë në dispozicion para fundit të vitit.
Arsyeja e fundit për normat e ulëta të vaksinimit në Europë ka të bëjë me planifikimin, logjistikën dhe disponueshmërinë e punëtorëve të duhur. Pjesa më e madhe e planifikimit nuk parashikonte urgjencën që kanë shkaktuar nivelet e rasteve në rritje në javët e para të fushatës.
Për shembull, plani i Francës përfshinte vizita të përsëritura mjekësore për të siguruar që banorët e azileve të jepnin pëlqim të informuar, një hap që kërkon shumë kohë, i cili në rrethanat aktuale ka shkaktuar pengesa. Shpejtësia e veprimit ndryshon jo vetëm nga vendi në vend, por edhe nga rajoni në rajon. Disa pjesë të Italisë kanë administruar tashmë më shumë se tre të katërtat e dozave fillestare të vaksinave. Të tjerët kanë arritur, me vështirësi, një të tretën e kësaj.
Ritmi i vaksinimit mund të përmirësohet me rritjen e ndjenjës së urgjencës. Presidenti Emanuel Makron ka sulmuar ministrat francezë dhe autoritetet e shëndetësisë, duke i hedhur poshtë thirrjet e tyre publike për durim, ndërsa programet e vaksinimit rriten. Jens Spahn, ministri i Shëndetësisë i Gjermanisë, ka ushtruar presion mbi EMA për të përshpejtuar ritmin. Një porosi e re e vaksinës Pfizer-BioNTech është në proces.
Amerika po ecën më mirë. Sidoqoftë, vetëm rreth një e katërta e 17 milionë dozave të shpërndara deri më 5 janar, u regjistruan se ishin përdorur deri në atë datë. Edhe duke lejuar një vonesë të raportimit, kjo do të thotë se shumë doza po qëndrojnë të paprekura në ngrirje. Një arsye është se shumë planifikime u përqendruan në kapacitetin e ruajtjes së ftohtësisë – e nevojshme nga të dyja vaksinat Pfizer-BioNTech dhe Moderna – sesa në administrimin aktual. “Ne duhet të ishim përqendruar në çështjen ‘“Sa mund të vaksinojmë sot, nesër, një ditë më pas?’”, thotë Claire Hannan nga Shoqata e Menaxherëve të Imunizimit.
Disa shtete dhe qytete tani po miratojnë atë që guvernatori i Kalifornisë Gavin Newsom e ka quajtur një “qëndrim shumë më agresiv” në mënyrë që të shfrytëzohen vaksinat. Shteti i tij po punon për të ngritur më shumë qendra vaksinimi, për të regjistruar Gardën Kombëtare për të ndihmuar dhe për të lejuar dentistët, farmacistët dhe profesionistë të tjerë të shëndetësisë të injektojnë vaksina.
Disa shtete po hartojnë rregulla që vaksinat të cilat nuk përdoren nga një sigurues i kujdesit shëndetësor pas shkrirjes, të rialokohen. Disa shtete të tjera, në të cilat ofruesit e kujdesit shëndetësor nuk po marrin të gjitha vaksinat e alokuara për ta, përfshirë Floridën dhe Teksasin, kanë filluar të ofrojnë injektime për të gjithë personat mbi 65 vjeç, duke çuar në një konflikt kaotik për takimet e vaksinimit në farmaci dhe spitale.
Sidoqoftë, në Britani, ndjenja e urgjencës ka nxitur ndryshimin më radikal nga procedura e përcaktuar. Një variant më infektues i Covid-19, i cili u identifikua për herë të parë në shtator, ka rritur jashtëzakonisht rastet dhe ka nxitur një strategji të re vaksinimi.
Duke ndjekur këshillat e ekspertëve në Komitetin e Përbashkët të Vaksinimit dhe Imunizimit të vendit (JCVI), zyrtarët kryesorë mjekësorë të qeverisë e këshilluan atë që të vendosë përparësi mbi injektimin e dozave të para të vaksinës, sesa në sigurimin e dozave të dyta për ata që kanë marrë tashmë një të tillë. Dozat e dyta do të sigurohen, por më vonë.
Dozat e dyta rrisin nivelin e mbrojtjes së ofruar nga doza e parë dhe duhet të zgjasin kohëzgjatjen e mbrojtjes. Sidoqoftë, në periudhën afatshkurtër, dozat e para janë më përfituese për të pavaksinuarit sesa dozat e dyta për të vaksinuarit. Pra, për çdo 1.000 njerëz që nuk u jepet një dozë e dytë, duke i privuar kështu nga një përmirësim margjinal në mbrojtje, 1.000 njerëzve mund t’u jepet mbrojtja fillestare thelbësore e ofruar vetëm nga një dozë e parë. Gjysmë vaksinim për dy herë më shumë njerëz, duhet të ngadalësojë si shkallën e rasteve të reja, ashtu edhe përhapjen e sëmundjes.
Për sa i përket çështjes nëse vonimi i dozës së dytë vë në rrezik mbrojtjen afatgjatë, JCVI tregon nga provat e vaksinës AstraZeneca-Oxford se boshllëqet më të gjata nuk shkaktojnë ndonjë dëm të tillë, dhe madje mund të përmirësojnë mbrojtjen. Nuk ka asnjë informacion të këtij lloji për vaksinën Pfizer-BioNTech. Në lidhje me pyetjen se sa zgjat mbrojtja fillestare nëse nuk rritet, ekzistojnë pak prova. Në prova, pothuajse të gjithë ata që morën një dozë të parë, morën një dozë të dytë tre deri në katër javë më pas.
Qeveria britanike ka në plan të vaksinojë të katër grupet e saj me përparësi të lartë – personelin dhe banorët e azileve, punonjësit e linjës së parë shëndetësore dhe të kujdesit social, të gjithë personat mbi 70 vjeç dhe ata me kushte ekzistuese shëndetësore që janë shumë të cenueshëm – me një dozë të parë nga mesi i shkurtit. Dozat e dyta mund të vijnë pas tre muajsh.
Shumica e kritikave ndaj kësaj lëvizjeje kanë ardhur nga jashtë, çka mund të reflektojë kujdesin e shkencëtarëve britanikë për të mos qenë në kontradiktë me mesazhet e qeverisë për shëndetin publik në një kohë të rëndësishme. Ekziston një shqetësim logjik se pacientët do të kenë shumë më tepër siguri në lidhje me mbrojtjen që do të marrin, nëse vaksinohen saktësisht në të njëjtën mënyrë si pjesëmarrësit në provë.
Dhe shumë pacientë ranë dakord për dozën e tyre të parë, me idenë se do të merrnin një injektim të dytë. Një shqetësim tjetër është se prania e një numri të madh njerëzish vetëm pjesërisht të imunizuar, mund të nxisë zhvillimin e llojeve virale që mund të mos mbulohen nga mbrojtja që ofrojnë vaksinat e ndryshme ekzistuese.
Një “urra” e fundit
Kjo duhet të matet kundrejt faktit se, para se të dilnin të dhënat e provave të vaksinimit, efikasiteti më i ulët i pranueshëm për vaksinat kandidate ishte vendosur në vetëm 50%. Efikasiteti i dozës së parë – të cilin JCVI e ka përcaktuar në 90% për vaksinën Pfizer-BioNTech dhe 70% për AstraZeneca-Oxford – do të duhej të ulej mjaft për të ofruar mbrojtje më të ulët se kaq.
Rezultati do të shqyrtohet me kujdes. Në vende të ndryshme, përfshirë Gjermaninë dhe Kebekun, ka diskutime për të bërë diçka të ngjashme. Nëse funksionon, do të shpejtojë mbrojtjen e ofruar për popullatën në përgjithësi. Por nëse nuk funksionon, mund të rrezikojë të dëmtojë besimin te vaksinimi përtej Britanisë – një dëm që bota nuk mund ta përballojë dot në këtë gjendje delikate ku ndodhet.
Në Francë, ku ndjenja antivaksinë ka qenë prej kohësh e fortë, vetëm 40% e popullsisë ka thënë se është e gatshme të vaksinohet (prandaj ka një nivel të lartë shqetësimi për marrjen e pëlqimit). Në Brazil, ku vaksinimi ka qenë përgjithësisht popullor, numri i njerëzve që thonë se nuk dëshirojnë të vaksinohen ka arritur në 22%, nga 9% në gusht; 50% nuk duan të vaksinohen me vaksinën kineze, të cilën zoti Bolsonaro e ka përbuzur.
Në Amerikë, një sondazh kombëtar i kryer në dhjetor, zbuloi se 29% e njerëzve që punonin në mjediset e kujdesit shëndetësor, ngurronin në lidhje me marrjen e një vaksine anti-Covid. “Në pjesën më të madhe, po shohim një përvetësim të mirë të punonjësve të kujdesit shëndetësor”, thotë zonja Hannan. Por ka vende rezistence. Në Ohajo, më shumë se gjysma e punonjësve në azile i kanë refuzuar vaksinat; në disa qarqe në Kaliforni, 40-50% e punonjësve të vijës së parë, kanë thënë jo. Normat e refuzimit janë veçanërisht të larta tek punonjësit me ngjyrë dhe latinë.
Sfondi i mosbesimit e bën të rëndësishme shpërndarjen e vaksinave dhe fushatat e informacionit publik rreth tyre. Gabimet – si, në rastin më të keq, përdorimi i një grumbulli vaksinash që rezultojnë të dëmshme, ose zbulimi i një efekti anësor që mund t’u ketë shpëtuar rregullatorëve – mund të dëmtojnë përpjekjet në shumë vende.
Nëse ekzistojnë rreziqe të frikës dhe mosbesimit që përhapen shpejt nga vendi në vend, një botë e lidhur gjithashtu ofron përfitime kur bëhet fjalë për të luftuar një pandemi. Niveli i lartë i mbështetjes për Covax tregon se kombet e pasura kanë një gatishmëri të re për të ndihmuar popullatat me rrezik të lartë në të gjithë botën, që të kenë akses në vaksinim.
Duket e mundur që administrata e Joe Biden do të regjistrohet në Covax – Donald Trump nuk kishte interes për gjëra të tilla. Nëse Amerika sheh vlerë në konkurrencën me Rusinë dhe Kinën për fuqinë e butë në sigurimin e vaksinave përtej kufijve të saj, kjo do të jetë një gjë e mirë.
Kjo është urgjenca e parë globale e shëndetësisë, që trajtime të reja të shpërndahen në vendet e varfra në të njëjtën kohë si në ato më të pasurat. Ky proces pa dyshim do të jetë i mbushur me pabarazi. Ende ia vlen të festohet. Ndoshta nuk është një shkëputje e madhe me të kaluarën, siç qe aftësia për të zhvilluar injektime të reja në më pak se një vit. Por është mbresëlënëse dhe inkurajuese.