MENU
klinika

FESTA E ZOJËS

Zoja e Shkodrës mes legjendës dhe mrekullive

21.10.2018 - 17:18

Nga Andreas Dushi

Në Shkodër, sonte është vigjilja e një prej festave më të rëndësishme të qytetit. Zoja e Shkodrës, pajtorja e gjithë Shqipërisë, kujtohet dhe kremtohet me nderime, lutje dhe procesione. Qyteti kërkon që ajo, ndonëse fizikisht larg, t’i afrojë me Zotin.

Legjenda lidhet me një pikturë dhe është sa e çuditshme, aq e mrekullueshme. Para më tepër se 550 vjetëve, për të mos u dhunuar nga furia osmane që po pushtonte qytetetin, nga një Kishë e vogël rrëzë Kalasë së Rozafës, mbajtur prej engjëjve, një figurë ku dukej Zoja e bekuar duke mbajtur në krah Jezusin fëmijë, u nis drejt qytezës së Gjenacanit pranë Romës dhe u vendos në një kishë agustiniane, rindërtimi i së cilës kishte kohë që kishte filluar, ama fundi i saj dukej larg.

Me vendosjen e Zojës aty, Kisha përfundoi me një shkëlqim mahnitës dhe menjëherë u kthye në vend pelegrinazhi për katolikë nga mbarë krahina, pastaj mbarë Italia e në fund, nga mbarë Evropa. Për të u interesuan të gjithë, përfshirë edhe Papën e kohës.

Për shumë vjet, ajo figurë u mbështoll me mister: nga kishte ardhur; kush ishte autori i saj e të tjera pyetje e shoqëruan gjatë dekadave.

Piktori nuk u gjet asnjëherë, ndërsa origjina është e padiskutushme: Shkodra. Përpos fakteve historike të cilët nuk po i përmendim në këtë shkrim, piktori shkodran Pjerin Sheldija pyetur nga unë thotë se veshja e Zojës, veçanërisht ruba që i mbulon kokën kanë tipare të veshjeve tona kombëtare. Sipas tij, një pjesë e veshjes i takon zonës së nën Shkodrës.

Historikisht, shkodranët i janë besuar Zojës. Këngë, poezi e lutje të pafundme i kushtohen prej më tepër se një shekulli asaj. Vetë át Fishta apo të tjerë poetë të mëdhenj, me artin e tyre shprehin mrekullimin nga “Nana e Krishtit”. Më poshtë, një pjesë e poezisë e Fishtës “Zoja e Shkodrës”:

Kúr permbrenda atij Tempullit të rí,

Mue per nen dollma t’Rozafatit true,

N’gjûj shoh Shkodranin ulë me pervûjtní,

M’bjen n’mend se Zoja e Shkodres më thonë mue.

 

E kúr per rreth e qark t’eltervet t’mí,

Si stina e bukur t’nise me lulzue,

Fmín e Shkodranit ndiej tue m’kndue n’brohrí,

Vedin Shkodrane  m’ kandet me e kujtue

 

Por edhe atë herë, po, kúr Shkodrani t’kjajë

E t’ dnesë nder t’ vshtira, neper t’ cillat jeta

Ati i pershkohet, syt mue m’mbushen m’vajë,

E askurr nuk lâ pingul që Shkodren zhgjeta

E mnís s’ qiellës t’a shinojë, perse e verteta

Âsht kjo: qi Shkodra â’  emja e un e sajë.

Nënë Tereza, në vizitën e saj në Gjenacan i lutet Zojës që të kthehet në Shkodër e ashtu si ajo bëjnë shumë gra shkodrane të cilat, me rruzare ndër duar nisen drejt Kishës kushtuar asaj dhe ndërkohë që luten, shpresojnë që ajo “të mos i ketë harrue”.

Ndër shumë altarë ndrin hijeshia e të vetmes “Zojë Shkodrane”, quajtur si Nana e Shkodrës dhe shpallur prej shumë vitesh si Pajtorja e Shqypnisë.

U shfaq në Teatrin e Operas dhe Baletit

“La Boheme” e Puccinit, një opera për rritjen

Dita e lindjes dhe e vdekjes së William Shakespeare

Shkrimtari që ngriti artin poetik në majat më të larta

Vdekja e dy kolosëve të letërsisë botërore

Sot shënohet Dita Ndërkombëtare e Librit