Një vit pas fillimit të pandemisë, programet e vaksinimit ofrojnë shpresë, por shumë nga vendet euiropiane tashmë kanë mungesa të vaksinave. Duke filluar që nga Madridi në Paris, në Bruksel dhe Berlin, programet e vaksinimit janë pezulluar. Por, pas një jave të vështirë, Komisioni Europian dha disa lajme të mira dje.
“Kompania ‘Pfizer Biontech’ pritet që të shtojë dërgesat e vaksinave duke filluar nga 15 shkurti, si dhe do të ketë 75 milionë doza vaksinash më shumë në tremujorin e dytë të këtij viti. Shtesa prej 75 milionë vaksinash do ta çojë numrin e përgjithshëm të vaksinave ‘Pfizer BionTech’ në 600 milionë gjatë vitit 2021″, tha presidentja e Komisionit Europian, Ursula Von der Leyen.
Por, kjo nuk mjaftoi për të ulur presionin dhe kriticizmin ndaj lidershipit të Ursula Von Der Leyen. Gjatë fundjavës së kaluar, presidentja e Komisionit Europian u takua me përfaqësues të firmave të mëdha farmaceutike në një përpjekje për të rregulluar problemin e mungesës së vaksinave për vendet e bllokut europian.
Megjithëse “AstraZeneca” premtoi 9 milionë doza më shumë, kjo është vetëm gjysma e asaj që kompania kishte premtuar me marrëveshjen paraprake. Ministri i Shëndetësisë i Gjermanisë, Jens Spahn, deklaroi se qeveria e vendit të tij nuk do të ketë asnjë kufizim në përdorimin e vaksinave, mjafton që ato t’i shpëtojnë jetën njerëzve. Kompania “Pfizer” dhe “BioNTech” deklaruan që kishin arritur të modifikonin proceset e prodhimit në Europë dhe do të fillonte nga muaji shkurt. Të dyja kompanitë tani shpresojnë të prodhojnë 2 miliardë doza gjatë vitit 2021, nga 1.3 miliardë që ishte planifikuar më parë.