MENU
klinika

Shifrat në 5 ligat kryesore

Pandemia tkurri merkaton, 80% më pak blerje se vjet

02.02.2021 - 12:48

Merkatoja e dimrit në Evropë ishte më e tkurrur se kurrë gjatë dekadës së fundit. Nëse në janarin e vitit të kaluar u harxhuan 1 miliardë e 298 milionë euro, së fundmi në 5 ligat kryesore shuma totale nuk shkoi më shumë se 291 milionë euro për blerje të futbollistëve. Pra, 80% më pak se një vit më parë.

Sërish Premier League mban flamurin e shpenzimeve, me 100 mln euro. Në vendin e dytë është Serie A me 73 milionë euro, në të tretin Bundesliga me 60 mln, në të katërtin Liga 1 franceze me 33 mln dhe mbyll çuditërisht La Liga me vetëm 25 mln euro blerje, 90% më pak se vitin e kaluar, kur kishte harxhuar në total në janar 205 milionë euro.

Pra, më shumë se kudo tjetër, pandemia ka prekur futbollin spanjoll, me klube si Real Madrid dhe Barcelona që nuk kanë ndërhyrë në merkato, madje kanë huazuar lojtarë. Në Evropë, blerjen më të shtrenjtë e realizoi West Ham, që shpenzoi 23.1 milionë euro për Said Benrahma nga Brentford, që militon në Championship.

Goditjen e dytë e bëri Ajax, që bleu 22.5 milionë euro Sebastien Haller. Vendi i tretë për Mancheter United, që siguroi shërbimet e 18-vjeçarit të Atalantës, Amad Diallo, për 21 milionë euro.

Një shumë të konsiderueshme shpenzoi edhe Leipzig për talentin hungarez Szaboszlai, që u largua nga Salzburg për 20 milionë euro. Të njëjtën shumë shpenzoi edhe Monaco për të marrë senegalezin Krepin Biatta nga Club Brugge në Belgjikë.