MENU
klinika

Zëri i Amerikës nxjerr prapaskenat

BE nuk po i thotë Kosovës çfarë duhet të bëjë, por të rreshtohet me…

02.02.2021 - 18:19

Bashkimi Evropian ritheksoi të martën qëndrimin për statusin e Jerusalemit si kryeqytet i të dyja shteteve, ndërsa shprehu keqardhjen për vendimin e Kosovës që të hap ambasadën e saj atje.

Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, tha se vendimi i Kosovës e largon atë nga qëndrimet e Bashkimit Evropian.

“Për BE-në çështja e Jerusalemit është diçka shumë, shumë e qartë kur bëhet fjalë për përfaqësimin diplomatik të shteteve anëtare. E theksoj se të gjitha ambasadat dhe delegacionet e shteteve anëtare të Bashkimit Evropian janë të vendosura në Tel Aviv, bazuar në vendimet përkatëse të rezolutës së Këshillit të Sigurimit, si dhe përfundimet e Këshillit Evropian”, tha ai.

Së këndejmi tha ai, është logjike që Bashkimi Evropian dhe shtetet anëtare presin nga Kosova që të përparojë në rrugën drejt BE-së duke u rreshtuar me politikat dhe parimet e Bashkimit Evropian.

 

 

“Ne nuk po kërkojmë nga Kosova të bëjë apo të mos bëjë diçka, ne po themi që ‘nëse ju po pretendoni se aspiratat tuaja dhe ambiciet tuaja të përgjithshme strategjike janë për anëtarësim në Bashkimin Evropian, është një kuadër kriteresh që duhet përmbushur. Ne po bëjmë vetëm këtë, dhe po rikujtojmë se cilat janë parimet e Bashkimit Evropian, qëndrimet që duhen përshtatur”, tha zoti Stano.

Të hënën në një ceremoni virtuale, Kosova dhe Izraeli firmosën marrëveshjen për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike ndërmjet të dyja vendeve, ngjarje që u cilësua si historike nga të dyja palët.

Më 4 shtator në Shtëpinë e Bardhë, Kosova dhe Serbia nënshkruan dakordimin për normalizimin ekonomik ndërmjet tyre në praninë e ish presidentit amerikan Donald Trump.

Pjesë e dakordimit ishte edhe pajtimi i Izraelit për njohjen e Kosovës dhe vendosjen e marrëdhënieve diplomatike.

Dokumenti që u nënshkrua ndarazi parasheh që Kosova të hapë ambasadën e saj në Jerusalem, ndërsa Serbia të lëvizë ambasadën e saj nga Tel Avivi në Jerusalem.

Jeta Krasniqi, nga Instituti Demokratik i Kosovës, i tha Zërit të Amerikës se gjuha e përdorur nga Bashkimi Evropian pas këtyre zhvillimeve është e papranueshme duke pasur parasysh se vendimi i Kosovës për hapjen e ambasadës në Jerusalem nuk është marrë kokë më vete, por është pjesë e marrëveshjes së Shtëpisë së Bardhë.

“As vet Bashkimi Evropian nuk është aq i unifikuar në qëndrimet e veta sa i takon politikës së jashtme. Në anën tjetër e kemi parë se si Serbia nuk ka respektuar shumë vendime të Bashkimit Evropian për politikën e jashtme dhe nuk kemi parë një reagim të tillë”, tha zonja Krasniqi.

Ajo tha se në vend të trysnisë ndaj Kosovës, përfaqësuesit e Bashkimit Evropian duhet t’u bëjnë trysni pesë shteteve të veta që ende nuk e kanë njohur Kosovën.

“Bashkimi Evropian duhet ta shfrytëzojë këtë moment për t’u thënë pesë shteteve anëtare që nuk ka nevojë që Serbia ta njoh Kosovën, në mënyrë që atë ta njoh një shtet tjetër që ende nuk e ka njohur, pra ta nxjerrë aspektin pozitiv duke parë vështirësitë nëpër të cilat Kosova është ndodhur për këtë hap dhe duke bërë unifikimin e politikës së vet të jashtme”, tha zonja Krasniqi.

I pyetur nga gazetarët për qasjen e Bashkimit Evropian ndaj Serbisë, meqë edhe përfaqësuesit e saj e kanë nënshkruar marrëveshjen në Shtëpinë e Bardhë, zoti Stano tha se “sot po reagohet lidhur me faktet dhe veprimet konkrete që tashmë janë bërë”.

“Kur flasim për Serbinë, Serbia ende nuk ka ndërmarrë ndonjë hap për hapjen e ambasadës në Jerusalem deri tash, por pas nënshkrimit të marrëveshjes në Shtëpinë e Bardhë Bashkimi Evropian ka përsëritur qëndrimin e vet dhe pritshmërinë nga Serbia që po ashtu të rreshtohet me qëndrimet e BE-së në politikën e jashtme”, tha zoti Stano.

Ushtruesja e detyrës së presidentit të Kosovës, Vjosa Osmani, njoftoi të martën se ka zhvilluar një bisedë telefonike me kryetarin e parlamentit të Izraelit, Yariv Levin, gjatë së cilës ka theksuar se marrëdhëniet e Kosovës me Izraelin janë të rëndësisë strategjike.

“Shteti i Kosovës me njohjen nga Izraeli e ka forcuar edhe më tej pozicionin ndërkombëtar, teksa ka shfaqur shpresën se veprimin e këtij shteti ta ndjekin edhe shtetet e tjera mosnjohëse”, thuhet në njoftimin e zyrës së zonjës Osmani.

Vendosja e marrëdhënieve diplomatike ndërmjet Kosovës dhe Izraelit është vlerësuar lartë edhe nga udhëheqësit tjerë të Kosovës dhe nga diplomacia amerikane.

Serbia e cila kundërshton pavarësinë e Kosovës është shprehur e pakënaqur duke paralajmëruar se kjo mund të ndikojë në marrëdhëniet e saj me Izraelin./VOA

Ja çfarë thotë misioni paqeruajtës i NATO-s në Prishtinë

Policët e Kosovës hynë në Serbi?

Pse ideja është një kopje e “botës ruse”

“Bota serbe” përndjek Ballkanin, kërcënon sërish Vulin

E paqartë nëse Lista Serbe po përgatitet për procesin

Serbët me disa alternativa në zgjedhjet e 9 shkurtit!

Fytyra të reja por detyrime të njëjta

Analiza: “Ngec” sërish dialogu Beograd-Prishtinë