Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se Shqipëria ka kaluar nga kategoria “regjim hibrid” në një kategori më të lartë sa i takon indeksit të demokracisë, duke u futur në të njëjtën klasë me BE-në dhe SHBA-të.
“Shqipëria për herë të parë pas 3 dekadash ka një rritje dhe praktikisht një kapërcim. Ka dalë nga kategoria regjim hibrid, për të kaluar në një kategori më të lartë. Në 2006 Shqipëria ka figuruar për herë të parë në revistën “The Economist, dhe deri në vitin 2013 në indeksin e demokracisë ka qenë në rënie.
Dhe pas 2013-ën ka nisur një ngjitje të qëndrueshme. Jemi futur në të njëjtën klasë me shtetet anëtare të BE dhe SHBA, ndërsa vendet e tjera të rajonit Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Bosnja futen te regjimeve hibride. Kjo nuk është për të bërë garë dhe të themi që jemi më mirë se ata, por duke qenë se vijmë nga më poshtë, edhe vlerësimi na bën ndër të paktat që kanë përmirësim në një kohë kur shumë vende të tjera kanë përkeqësim sidomos gjatë pandemisë”, tha Rama.
“Me çmontimin e formulës së vjetër të kolacioneve, ka hyrë në një klasë tjetër. Ajo reforma që u tha ishte një mënyrë për të kapur zgjedhjet, faktikisht ka garantuar kalimin në një stad tjetër. Ajo reformë ka bërë që të respektohet adresa e votës”, shton ai.
Kreu i qeverisë foli edhe mbi një raport të dalë nga Standard & Poor’s, që sipas tij: “Konfirmon për Shqipërinë qëndrueshmëri B plus dhe qëndrueshmëri që nuk ndodh në vendet e tjera”.
“Parashikohet që ekonomia shqiptare do të rritet me 4,5%, nëse nuk ka valë tjetër që na detyron të mbyllemi sërish”, shton ai.