MENU
klinika

Të kuqtë festojnë ditëlindjen

75 vjet Partizan, klubi që bëri historinë

04.02.2021 - 17:18

Sot Klubi Sportiv Partizani mbush 75 vite nga themelimi. Historia e klubit shumësportësh “Partizani” nis më 4 shkurt 1946. Klubi i kuq u krijua me iniciativën e Rinisë Antifashiste si dhe Ushtrisë Nacionalçlirimtare të sapodalë nga Lufta e Dytë Botërore.

Në gjirin e vet kishte mjaft djem e vajza me talent në sporte të ndyshme. Këto organizma, të cilat në mënyrë administrative kaluan nën kompetencat e Ministrisë së Mbrojtjes, ishin bërthama e krijimit të Klubit Sportiv Partizani.

Me kalimin e kohës, në këtë klub u afruan edhe sportistë me nivel që kishin lindur në klubet e tjera sportive nga mbarë vendi dhe që përqafuan alternativën e re, për t’u bërë pjesë e klubit të kuq, i cili për një kohë të shkurtër u bë klubi më i madh dhe më i fuqishëm shume-sportiv në Shqipëri.

Takimi i parë zyrtar i Klubit Sportiv Partizanit u luajt nga ekipi i futbollit më 7 prill 1946. Takimi u luajt kundër “17 Nëntorit” të Tiranes dhe Partizani fitoi me rezultatin 2-0, çka shënon rezultatin e parë pozitiv të historisë së klubit.

Me 1947 Partizani filloi të luante rregullisht në kategoritë superirore të futbollit, basketbollit, volejbollit, si dhe sporteve të tjera individuale apo kolektive, ku veçohet boksi dhe 2 sporte olimpike, si noti dhe atletika. Sukseset e skuadrës së kuqe falë punës së madhe dhe përkushtimit të stafeve përkatëse në çdo sport, qenë të shpejta në çdo disiplinë.

Kampionatet filluan të fitohen radhazi nga futbollistet, basketbollistët dhe volejbollistët. Dolën kampione në sporte të tjera, si çiklizëm, gjimnastikë, atletikë, peshëngritje etj. Kështu klubi i kuq u bë shpejt më i madhi shumësportesh në vend, yjet e të cilit nderonin klubin në arenën kombëtare ose ndërkombëtare, duke fituar shume trofe.

Nga gjiri i klubit Partizani dolën yjet të kalibrit të lartë, si Boriçi, Pano, Resmja, Fagu, Shllaku, Jashari, Deda, Ndini, Maliqati, Murati, Kraja, Deliallisi, Ziu, Bizi, Lame, Berisha, Musta, Hysi, Janku, Rragami, Millo, Ocelli, Shehu etj. Në futboll, klub që më 1970 fitoi kupën ballkanike me emra.

Petrit Murzaku, Masar Aga, Pëllumb Pelivani, Napoleon Llala, Ylli Tomorri, Robert Borova, Enver Duravaku e Dashamir Fagu në volejboll, skuadër gjysmëfinaliste në kupën e kampioneve të vitit 1974 me Agim Fagu, Nikolin Pali, Spartak Boshnjaku, Kushtrim Zaçe, Pjerin Bushati, Aleksandër Dheri, Kastriot Mushi, Gazmend Çaçi, Robert Kuqo, Medat Agolli, Artan Terihati, Edgar Prifti etj.

Në basketboll Partizani arriti të mundë shumë ekipe të Europës në kupën e kampioneve, duke arritur më 1983 të shkojë deri në 12-en më të fortë të kontinentit. Pa harruar rekordmene e kampionë në sportë të tjera, si çiklizëm, shah, atletikë, peshëngritje, qitje, mundje, gjimnastikë, ku shquhen emrat e mëdhenj të mjeshtrave, si Bilal Agalliu, Kastriot Mezini, Dashamir Rama, Agron Huqi, Agim Tafili, Adrian Feraizi, Agim Paja (çiklista).

Fatmir Bajraktari, Gani Alija, Pjetër Pëllumbi, Krenar Meçani e Isa Tare atletë të mëdhenj, Faruk Kalleshi, Niko Teli, Fatmir Bushi e Erion Suli peshëngritës kalibri botëror; Esat Duraku, Agim Preza dhe Aldo Zadrima mjeshtra shahu; Stefan Gjenerali, Bashkim Likja, Luigj Deda, Abedin Lame, Ruzhdi Kola, Mark Curri mundës kampionë; Si dhe rekordmendët e qitjes, si Niko Shtrepi e Sadik Kucana, kampionia e Europës, Elisabeta Karabolli, dhe boksierët Ali Kastrati, Hysen Sharra, Ramiz Reka, Martin Çeta etj. etj.

Pa dyshim arritjet nuk mund të mohohen pa praninë e trajnerëve të mëdhenj që sterviten me pasion këta yje. Ne listën e gjatë të trajnerëve të kuq vlen të përmenden shumë emra, si Ali Kastrati, Loro Boriçi, Rexhep Spahiu, Bashkim Likaj, Andon Kona, Rexh Ndreu, Petrit Murzaku, Qemal Shalsi, Njazi Lleshi, Petrit Caslli, Engjëll Gorishti, Bejkush Birçe, Edmond Kolaneci, Bilal Agalliu, Astrit Greva, Abedin Lame, Ilir Cirinaku, Theodhos Duro, Prokop Beqari, Vasil Stambuli etj.

Data 4 shkurt është e shenjtë për Partizanin, pasi shënon krijimin e një prej klubeve më të suksesshme në vendin tonë. Këtë vit, festa është pak më e veçantë, pasi bëhet fjalë për një vit jubilar, 75-vjetorin e krijimit. Gëzuar Partizan!