Kur nominimet e edicionit të 78 të Golden Globes u bënë publike, njerëzit prisnin shumë gjëra, përveçse të shihnin “Emily in Paris” të nominuar jo një, por dy herë dhe në kategori të rëndësishme.
Prodhimi i Netflix u nominua për “Serialin më të mirë komedi” – ndërkohë që njerëzit në Twitter shkruajnë se askush nuk qeshi – ndërsa aktorja Lily Collins u nominua për “Aktoren më të mirë” – ndërkohë që sërish Twitteri reagoi duke thënë se nuk do shumë mund të “aktrosh si një vajzë e këndshme dhe e famshme në Instagram”.
Të habitur janë edhe njerëzit që realisht e kanë pëlqyer dhe shijuar serialin. Duket se nominimin nuk e ka pritur kurrsesi as Deborah Copaken, e cila është një nga njerëzit që kanë shkruar historinë. Në një artikull, ku rrëfen për habinë teksa mori vesh lajmin, ajo thotë se “patjetër që është e ngazëllyer”, por nga ana tjetër është edhe e zhgënjyer. Sipas saj, “I May Destroy You” duhet të ishte nominuar patjetër.
“’I May Destroy You’ nuk është shfaqja e preferuar e 2020, është e preferuara ime e të gjitha kohërave. Bazohet te një çështje e komplikuar si përdhunimi – unë jam vetë një e mbijetuar e sulmit seksual – dhe mbushet me humor, patos dhe një histori të ndërtuar aq mirë, sa më duhej ta shihja dy herë për ta kuptuar si arriti krijuesja Michaela Coel ta bënte.”
A do të fitojë ndonjë “Emily in Paris” në Golden Globes? Ndoshta. A do të zhgënjehen njerëzit? Patjetër, por ç’të bësh – c’est la vie.