Analisti Agron Gjekmarkaj, i ftuar në “News 24”, duke folur për intervistën e ish-kryeministrit socialist Fatos Nano, deklaroi se lideri historik i PS-së po përdoret nga Edi Rama. Gjekmarkaj thekson se Nano ka inkoherencë politike në ato që thotë, kurse shton se me këtë veprim, dëshiron që të aktivizojë simpatizantët e vet.
“Qëndrimi im është etik. E kam ndjekur veprimtarinë politike të Fatos Nanos, sepse ka qenë figurë qendrore për PS-në, që u burgos, një njollë të shëmtuar për demokracinë shqiptare. E kam ndjekur nga momenti kur ai la politikën dhe e kam parë se përherë ka qenë kritik për Ramën. La partinë me mënyra si la partinë, ai iku në Vjenë dhe donte të bëhej president e Rama nuk e mbështetën. Nano mbështeti Olldashin, duke qenë kundër Edi Ramës. E kemi parë indifierent, duke lënë të kuptojë se është i distancuar, duke thënë se s’ka lidhje me këtë maxhorancë”, tha Gjekmarkaj.
Agron Gjekmarkaj vlerëson se Nano ktheu qëndrimin e tij për Ramën në 360 gradë, kurse thotë se ai ishte një burrë shteti, që tashmë u zvogëlua.
“Mirëpo, tani qëndrimi i Nanos u kthye 360 gradë. Tashmë foli mirë për Ramën, duke thënë se ka zgjedhur njerëzit e duhur, gjëra që nuk i beson, sepse është politikan inteligjent. I bie që ka ardhur për t’u përdorur dhe për të hyrë në skenën politike të kryeministrit aktual, goditi Berishën dhe Metën. Nuk u mor me Bashën, por demonizoi Berishën dhe Metën. Kjo është inkoherencë etike. Fatos Nano nuk është njeri i lirë, në kuptimin nuk blihet kollaj, por këtë herë duket se diçka fshihet. Unë kam shkruar sot se Shqipëria është vend fantastik, sepse mund të jesh pa koherencë e pa etikë dhe nuk skuqesh.
Fatos Nano duhet t’i ketë disa simpatizantë. Por, kur ikën nga pushteti, nuk ke më shumë ithtarë. Por, aq sa Nanos i kanë mbetur, ai do t’i aktivizojë. Kur ti përdoresh dhe shfaqesh inkoherent, publiku gjykon dhe mendoj se këtë herë e gjykon keq. Është Nano që quajti Ramën njeri me thonj të paprerë, arsyeja duhet të jetë pragmatizëm. Më 2005, Nano iku dhe dha akti i tij ishte i lëvdueshëm, duke i hapur rrugën Edi Ramës. Flitet se ka qenë liberal, por për mua nuk ka qenë serioz”, u shpreh Gjekmarkaj.
Për Gjekmarkajn, Basha meriton mundësinë që të qeverisë dhe se pas kësaj, veprimtaria e tij politike duhet të monitorohet.
“Nano kishte njerëz të zgjuar, inteligjentë, ndërsa Rama ka njerëz që janë shokë të tij. Nano tallej dikur me këta njerëz që qeveris Edi Rama. Fatos Nano është një burrë shteti që u zvogëlua. Aktualisht, Rama është më i vjetri, kurse gjenerata e Bashës nuk është provuar.
Themelore është që në Shqipëri të ketë ndryshim. Ndryshimin duhet ta shtyjë elitat dhe shoqëria shqiptare. Sot ka në shoqëri grupe që reagojnë më shumë. Basha e meriton mundësinë, duhet ta monitorojmë. Rama u kthye në 8 vjet në sundues, ndërsa Basha nuk ka numrat dhe fryma që ai përcjell nuk është me tipare diktatoriale”, theksoi Gjekmarkaj.
Në fund, duke folur për situatën e koronavirusit, Gjekmarkaj nënvizoi se pandemia tashmë është në drejtim të paditur e se qeveria ka dështuar me menaxhimin.
“Pandemia po shkon në drejtim të paditur. Paparashikime ka edhe në Gjermani, Francë, SHBA etj, që janë shtete shumë më të fuqishme sesa ne. Por, këtu ka lëshim total pa duar dhe pa frena. Kryeministri nuk e ka më temë. Nuk ka asnjë masë, askund. Shoh lokalet plot, ka njerëz pa maska, tek makinat askush nuk e ka më shqetësim. Shifrat janë më të larta besoj, por nuk raportohet. Qeverinë nuk e kemi askund, ka dështuar, por ne na ngelet të besojmë në Zot. Tallja që bën Rama me ambasadorët është gabim.”, përmbylli Gjekmarkaj.