MENU
klinika

"Tërmete, përmbytje, pandemi"

Deutsche Welle tregon tmerrin që po kalojnë shqiptarët

09.02.2021 - 10:01

Fatkeqësitë natyrore, para dhe gjatë pandemisë, përveç lodhjes mendore, i kanë përballur shqiptarët me një situatë të rënduar financiare, më shumë se ajo e zakonshmja.

Një zhurmë e pandëprerë ekskavatorësh mbizotëron në fshatin Thumanë, në Krujë, Shqipëri. Me 26 viktima dhe shumë ndërtesa të shkatërruara Thumana qe zona më e prekur prej tërmetit tragjik të nëntorit 2019, i cili shkaktoi 51 viktima, më shumë se 900 të plagosur, dhe rreth 95.000 banesa të shkatërruara e dëmtuara.

Komuniteti ndërkombëtar i dha Shqipërisë 1,15 miliardë euro në formën e huave dhe të granteve për rindërtimin e shtëpive të shkatërruara. Por dhe sot mbi një vit pas tërmetit shumë prej banorëve të Thumanës banojnë ende në çadrat që iu janë dhënë nga forcat e ushtrisë apo shoqatat e bamirësisë.

“Nuk jam as me Partinë Socialiste dhe as me Partinë Demokratike, prandaj më lini të qetë në hallin që më ka rënë” – i përgjigjet një banor kërkesës sonë, për të treguar vështirësitë e jetesës në çadër prej rreth 15 muajsh, bashkë me shtatë anëtarët e tjerë të familjes. Më 25 prill Shqipëria mban zgjedhjet parlamentare, ethet politike të së cilës prishin punë edhe kur pyetjet e intervistës s’kanë asnjë lidhje me çështjen në fjalë.

Nga dhjetëra banorët që jetojnë ende në çadra, i vetmi që pranon të flasë është 72-vjeçari Dervish Hyseni. Ai na çon në shtëpinë e tij modeste, ku e pret bashkëshortja, Bukurie Hyseni.

Çifti i të moshuarve fle në çadër që pas 26 nëntorit 2019. Edhe pse qëndron ende në këmbë, shtëpia e tyre njëkatëshe, e ndërtuar pa asnjë kolonë mbajtëse, është shpallur e pabanueshme nga Instituti Shqiptar i Ndërtimit. Në oborrin e saj qëndron çadra, ‘shpëtimi’ i tyre, që mban brenda dy shtretër portativë dhe një televizor të vjetër. “Asokohe nuk kisha mundësi financiare për të ndërtuar një shtëpi më të fortë. Tani, pas tërmetit, kemi frikë të fusim kokën”.

Burrë e grua janë në pritje të ndonjë lajmi zyrtar për nisjen e ndërtimit të një shtëpie të re. Deri tani, asgjë. E shoqja, Bukuria, duket se ende përballet me post-traumën. “Kishim një tërmet tjetër para dy netësh. 3.8 magnituda, por më la gjithsesi pa gjumë. Atë natë (26 nëntor 2019), nga frika e madhe që pata, përfundova në spital, nën efektin e qetësuesve” – rrëfen gjithë siklet.

Mungesë transparence

Për të menaxhuar procesin e rindërtimit dhe fondet nga ndihmat dhe grantet ndërkombëtare qeveria shqiptare krijoi një ministri të posaçme. Ministri i Rindërtimit Arben Ahmetaj, bëri në fillim të shkurtit një përmbledhje të punës njëvjeçare. Ai tha se pas tërmetit, në dhjetor 2020, 11.000 familje u strehuan në çadra dhe 6.000 familjeve iu dhanë bonuse qiraje, kurse sot (2 shkurt 2021) ka vetëm 680 familje në çadra dhe 13.325 familje me bonus qiraje.

Shifrat tingëllojnë bukur, por nuk thonë asgjë për procesin e rindërtimit, i cili sipas ekspertëve nuk është transparent.

Selami Xhepa, ekspert i ekonomisë, përmend kritikat dhe pakënaqësitë nga vetë banorët e dëmtuar si dhe raportet e organizatave ndërkombëtare si BE dhe FMN, të cilat dëshmojnë se ka pasur probleme me grumbullimin dhe alokimin e fondeve në këtë projekt. “

Tërmete, përmbytje, pandemi

Përveç tërmetit të 2019-ës dhe pandemisë globale të koronavirusit, në zona të ndryshme të Shqipërisë banorët po përballen që nga janari i këtij viti edhe me dëme nga përmbytjet. Një nga ato është Dhurata Rexhepi. Gjatë tërmetit ajo humbi shtëpinë në Durrës, ku me bashkëshortin kishin hedhur investimin e një jete. Ata u strehuan në shtëpinë e babait të saj në Shijak, afër Durrësit dhe investuan edhe aty të tjera kursime. Por tani edhe shtëpia e babait “Në mes të pandemisë të vish në shtëpi dhe të shikosh gjithçka të shkatërruar…” – tregon Dhurata për Deutsche Wellen, mes lotësh.

Fatkeqësitë natyrore, para dhe gjatë pandemisë, përveç lodhjes mendore, i kanë përballur shqiptarët me një situatë të rënduar financiare, më shumë se ajo e zakonshmja. “Pandemia ishte një goditje globale dhe e paprecedentë, dhe që bashkë me kostot e shtuara prej pasojave të tërmetit, i vendosën financat publike në një vështirësi serioze. Rritja e borxhit publik po afrohet në zonën e ‘kuqe’ dhe ndërkohë pasiguritë akoma vazhdojnë të jenë të larta” – analizon Xhepa.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Zhvillimet më të fundit minutë pas minute

Tërmeti katastrofik/ Thellohet bilanci i tragjedisë, 47 viktima

"Jemi të gatshëm në çdo moment"

Post- tërmeti/ OKB asiston qeverinë shqiptare