MENU
klinika

COVID-19

Mali i Zi: Sistemi shëndetësor në prag të kolapsit

11.02.2021 - 10:14

Sipas të dhënave të Institutit të Shëndetit Publik,  nga fillimi i pandemisë deri tani në Mal të Zi janë regjistruar 66.234 të infektuar me koronavirus dhe 852 persona kanë humbur jetën. Situata me infekstionet e reja nga COVID-19 në Mal të Zi po përkeqësohet me ritme të shpejta, veçmas në qytetet siç janë: Podgorica, Budva, Herceg Novi, Tivati dhe Cetinja. Ndërkohë ende nuk ka nisur vaksinimi dhe me gjasë furnizimi me vaksina mund të zgjasë me javë.

Numri i të infektuarve është rritur dukshëm edhe në komunën e Ulqinit. Nëse nuk veprohet me urgjencë dhe nuk ndërmerren masa të ashpra sistemi shëndetësor mund të ballafaohet me kollaps, pasi dhe vetë mjekët dhe personeli i ndihmës mjekësore janë të infektuar me koronavirus. Nisur nga situata e rënduar është mbledhur grupi punues për kontroll dhe parandalimin e sëmundjes Covid-19, i cili  ka analizuar situatën në vend me theks të veçantë në qytetin e Budvës dhe ka konstatur që në metropolin e turizmit situata është jashtëzakonisht e rëndë.

Masat e përgatitura

Trupi punues ka përgatitur një sërë masash, që ia ka dërguar për shqyrtim komisionit përkatës dhe këshilllit të veçantë pranë qeverisë. Qeveria shpall masa të reja. Ndërkaq kryetari i Budvës Marko Careviq kërkon nga Qeveria që të merren masa urgjente, sepse në të kundërtën siç thotë ai, mund të dështojë sezoni turistik i këtij viti. Nga Budva propozohet shtrëngimi i masave në qytet.  Mbyllja 15 ditëshe e bareve, restoranteve, palestrave, hoteleve, shkollave dhe kopshteve.

Situata me koronavirus është keqësuar edhe në komunën e Ulqinit. Kjo sipas autoriteteve lokale për shkak të infektimit masiv të nxënësve të shkollës së mesme “Vëllazërim Bashkim”, që kanë rezultuar pozitiv pas ekskursionit në qendrën e skijimit në Zhablak. Kryetari i Komunës së Ulqinit Loro Nrekiq në një deklaratë për Deutsche Welle-n  shprehu shqetësim për rrtijen e numrit të infeksioneve, sepse Ulqini në krahasim me qytetet e tjera të Malit të Zi ka pasur një numër të ulët të infektuarish. Ai insiston në marrjen e masave më të ashpra në këtë insitucion shkollor si edhe në tërë teritorin e komunës së Ulqinit.

Opozita kritikon

Opozita dhe një grup qytetarësh kërkojnë dorëheqjen e ministres së Shëndetësisë. Partitë opozitare kërkojnë një mobilizim të përgjithshëm për tejkalimin e situatës së krijuar. Sipas tyre situata është alarmante. Opozita kërkon dorëheqjen e minsitres së Shëndetësisë, Jelena Boronoviq – Bojoviq për – siç thonë ata – paaftësi në menxhimin e situatës nga koronavirusi. Ndërkohë edhe 5.000 qytetarë me anë të një peticioni  kërkojnë dorëheqjen urgjente të  ministres së Shëndetësisë për – siç thonë ata – neglizhencë dhe rrezikimin e shëndetit publik në momentin kur pandemia çdo ditë po merr jetë njerëzish.

Ata janë të revoltuar edhe për faktin që komisioni parlamentar refuzoi kërkesën e  deputetes së Partisë Socialdemokrate Draginja Vuksanoviq-Stankoviq që ministrja të dalë në interpelancë dhe të njoftojë parlamentin mbi arsyet përse po vonohet sigurimi i vaksinës në Mal të Zi. Edhe pse në konferencën me gazetarë të 15 janarit por edhe në paraqitje të shumta, ministrja e Shëndetësisë Bojoviq ka deklaruar  që vaksinimi në Mal të Zi do të filloj ënë fund të janarit ose në fillim të shkurtit, vaksinat ende po vonojnë.

Informacioni i fundit vjen nga Instituti i Barnave në Mal të Zi, ku thuhet që kompania Astra Zeneka ka dorëzuar kërkesën për regjistrimin e vaksinës kundër kornavirusit në Mal të Zi . Nga Instituti thonë, se ky proces mund të përfundojë brenda 30 ditëve, kështu që  vaksinimi në Mal të Zi mund të vonojë me  ditë e mbase edhe javë të tëra./dw