Real Madrid nuk ka synim vetëm Kylian Mbappe. Los Blancos po monitorojnë çdo hap edhe të Erling Haaland, aktualisht te Borussia Dortmund, duke pritur momentin e saktë për të trokitur te klubi verdhezi. Kjo verë mund të jetë koha e duhur.
Edhe pse objektivi kryesor është Kylian Mbappé, Perez dëshiron të nënshkruajë me një yll verën që vjen. Dhe, nëse ky opsion ndërlikohet, atëherë do të nisë sulmin për norvegjezin, siç raportohet nga Josep Pedrerol në “El Chiringuito”.
Aspekti ekonomik do të jetë thelbësor. Nga ky këndvështrim, ardhja e Haaland është shumë më e realizueshme se ajo e Mbappé. Ylli i Borussia Dortmund ka një vlerë prej 110 milionë euro, sipas Transfermarkt, larg 180 milionë eurove, sa vlen sulmuesi i PSG.
Edhe pse ato janë vlerësime teorike, llogaritet që Haaland mund të ketë një çmim më të lartë. Sidoqoftë, klubi është i vetëdijshëm se shpenzimi do të jetë më i ulët në rastin e norvegjezit sesa të kampionit të botës. Dhe jo vetëm si blerje, por edhe si pagë.
Erling aktualisht është duke fituar rreth 8 milionë euro neto në sezon, ndërsa Mbappé, më shumë se 22 milionë euro. Një diferencë e dukshme prej 14 milionë euro. Të dy kanë ambicien për të luajtur me Real Madridin, ndaj do të ishin të gatshëm të dëgjonin çdo propozim nga klubi i bardhë.