MENU
klinika

Një filozof i dashurisë...

Lumo Skëndo në letrat e pabotuara

14.02.2021 - 16:20

       Për ditën të dashuruarve, po botojmë në gazetën ExLibris disa proza poetike të Mid’hat Frashërit për dashurinë, botuar te përmbledhja me tregime “Hi dhe shpuzë”, viti 1915, si dhe disa nga 60 rrëfimet e tjera të tij të panjohura, të zbuluara në arkivat shqiptare dhe europiane e të botuara në veprën e zgjedhur të Mid’hat Frashërit nga Instituti i Studimeve Historike “Lumo Skëndo”. Gjithashtu, po botojmë edhe disa letra dashurie të Mid’hat Frashërit dhe të dashurave të tij, që përbëjnë një kulm të letërsisë epistolare erotike.

Dashuria e Mid’hat Frashërit është shpuzë e amshuar, e mbuluar me hirin e jetës. Ai i caklon dhe i shpupurit me penënpupël gacat që valëzojnë në një dritë të gjelbër dhe i derdh me mjeshtëri dhe art në letrat e tij. Dashuria e tij është e çiltër, e vetvetishme, e magjishme, emocionale, e ndershme. Ai e ka provuar atë me pasion më tepër se një herë, si njeri i lirë dhe i kulturuar, atë ndjesi të brendshme e të patjetërsueshme njerëzore, atë prush që djeg e shqerr, si një dritë dhe terr, si shend e vuajtje e bukur, si një poezi e si një dramë, si forcë njerëzore që e çliron dhe e ndryshon botën.

Qysh në tregimin e tij të parë Përpara shegës me lule, shkruar më 1898, kur ishte 18 vjeç, shihet prirja e tij për një letërsi ekzistencialiste, duke u shfaqur si një pararendës i letërsisë moderne europiane, mandej me prozat poetike si një nga themeluesit e prozës së shkurtër artistike, si një poet i dashurisë dhe i paqes. Më në fund, si një filozof i dashurisë.

“Dashuria, – shkruan ai, – është kondita e jetës. Po të mos ekzistojë ajo, shkatërrohet lidhka në mes të gjymtyrëve të njeriut, familjes dhe njerëzisë, zhduket shija e gjallërisë dhe e jetës. Pa dashuri s’ka entuziazëm, s’ka shpesë, nuk kryhet asnjë vepër. Entuziazmi dhe shpesa, bijat e dashurisë së sinqertë dhe të thellë, duhet të jenë si ata trëndafila mëngjesi që çelin çdo ditë të rinj, si ato lulet që mbyllen natën, por hapen nën rrezet e para të diellit”. Kështu e ndien dhe e jep Mid’hati dashurinë e tij.

Edhe në letrat e të dashurave të tij shpaloset dashuria e tyre e jashtëzakonshme për të, por edhe për vlerat e tij. Letrat e dashurisë mes intelektuales rumune Angela Romano dhe Mid’hatit dokumentohen për 24 vjet me radhë, pak më tepër se letrat e dashurisë mes Balzakut dhe princeshës Hanska, dhe me një patos të papërshkruar. Po ashtu letrat e për Ninon, Emën, Elsën, Lolottën, të dashurat e tij të përjetshme.

Lexuesi le t’i gjykojë dhe t’i shijojë vetë.

Uran Butka

Dashuria
Stamboll, 1898-1899

PËRPARA SHEGËS ME LULE

Nga Këzëll-Topraku në Eren-Qoj shkonja shpesh dhe kurdoherë kthehesha më këmbë. Ajo orë ecjeje, që në dekor i njihja çdo çip, çdo pikë, ishte për mua një zbavitje me një pëlqim të madh.

Vetëm sot jam i pikëlluar, pakëz si më tepër se herët e tjera. Tek Murati kisha qenë prapë dëshmitar i mihjes, i thirrjeve të ashpra me fjalë të vrazhdëta. Asija 1 , kushërira ime më e madhe, buçiti në një shtrëngatë qortimi e sharjesh kundër Muratit, duke e gjetur këtë, tek e shikoja, si një detar brenda në limer të qetë, po edhe jo pa një frikë, të përzier me atë dëshpërim që na jep pamja e një sëmundjeje fizike.

Pa arritur në Fenerjoll, në të djathtë, shega me lulet e kuqe, që zbukuronte shtëpinë, qoshkun e drunjtë dhe të gjitha foletë e njerëzve, shega, them, më çeli sytë si një mikeshë e njohur dhe nuk munda t’i shkonja përpara pa e përshëndetur. A duhet edhe të them që ishte vjeshtë, koha afër të ngrysurit?

Qarkrrethina mbarë, që më shtoi pikëllimin, duke mejtuar skenën që kisha kapërcyer qëparthi, nga një shkallë te tjetra shtigjeve të mejtimit, u gjenda përpara zemrës sime, ballë për ballë me veten time. Ndjenja e mëshirës për Asijen, që e shihja kurdoherë në përleshje fjalësh, herë me të shoqin, herë me t’ëmën, e kësaj Asije, që me gjithë të metat e saj më ishte aq e dashur, më bëri të më vijë keq për të, të kuptoj se mungesa e butësisë së zemrës, e lidhkave të afeksionit, është padyshim fatkeqësia më e rëndë për njeriun. Edhe befas një re e zezë më shkoi në qiellin tim: a nuk gjendem edhe unë në një zbrazëti, pa mbështetje dhe dhembshuri, pa qëllim, pa një ngrohtësi, ku të zbutet akulli i jetës.

Ky mendim më solli një hidhërim, se më gjente vetëm, të dobët dhe pa fuqi, përpara këtij labirinti, atij kaosi që i themi Uni. Edhe Uni me trembte, më dukej një gjë e thellë dhe e zezë, si nëndhesat e shtëpive të mëdha, kur isha i vogël.

Kisha kapërcyer stacionin e Fenerjollit, shtëpitë e fundit të kësaj mëhalle, dhe kisha marrë shtegun drejt skajit të Gjoztepes. Isha në atë lëndinë të madhe si një bjeshkë, që zbret me ngadalë dhe butë drejt Marmarasë në një horizont të gjerë dhe të shkëlqyeshëm. Kur, përnjëherë, një qetësi, një
ngushëllim zbret në të thellët e Unit. Fytyra e Mimikës, e kësaj motre të njomë më ishte shfaqur, për të më thënë që kisha në zemër një dashuri të vërtetë për këto krijesa, jo sot, por qëkurse fati m’i kishte dhënë për shoqe në jetë. Edhe kjo fytyrë me ato ide ndriçuan korridoret e labirintit si një rreze në atë kaos. Tani shihnja, kisha fuqi dhe gëzim. Shkruar herën e parë më 1898-1899 në Eren-Qoj  (Shënim i autorit)

***
Vjeshtë, 1905

ASAJ

I
Si kombet me vetija e me mendime të thjeshtë, q’i falen një fytyre gdhendur në gur a në dru; si kombet më të qytetëruara, që rrinë me orë dhe luten përpara një fytyre bërë me ngjyrë vaji a dy copëra drurë të bashkuar; si ata kombe që marrin me muaj udhë që të venë e t’i falen gurit të zi; si ata të moçmit, q’i falen diellit, zjarrit, shikonin me adhurim të thellë yjtë dhe bëheshin therorë për perëndit’e për perëndeshat, a si ata që dhe sot shtrihen e shtypen nën qere të Budës; ashtu dhe unë, o e bukura ime, dua t’u falem dy yjeve që janë më të bukur se të gjith yjt’e qiellit, dy yjve që janë syt’e shkruar të tu dhe të bëhem hi, o e dashuria ime, nën këmbët tënde vogëloshe!

II
Prill, 1906

N’është vërtet se zemra jote s’rreh kurrë për mua – ashtu si ke dashur të më duash, – në është vërtet se fytyra ime nuk zë asnjë vend në ëndërrimet e tua, pse, o e bukura ime, kur më sheh, ngadalëson çapnë, pse më lëshon vështrimn’ e atij syri tënd të shkruar? Nuk e di ti si më buçet dhe më zjen gjaknë ay vështrimi yt kaq i qetë dhe i ftohtë? Nuk e di ti si më çpon zemrën ay vështrimi ngjyrë qielli? Vështrimi yt është si një shtizë në dorë të një djali që lot me një zog; vuajtjet e shpesit i heq dhe zemëra ime. Të lutem pusho, pushoje këtë lodër të gjakme!Po ç’them unë! shtjermë, shtjermë syt’ e tu, se vështrimi yt, o e bukura ime, m’i thjeshtë se frymë e Jehovajt, i jep gjëllim shpirtit tim.

III

Shënëndre, 1906

Pse ikën ashtu nga unë? nuk e di ti që dashuria është me krahë dhe m’e shpejtë se vrapi yt?
Dashuria ime të është qepur si hija. Kudo që të vesh, të ka për të rënë pas; kudo që të jesh, do të të dalë përpara, dhe kur të na ndajë një mërgim i madh, hija ime prapë të ka për të ardhur pranë.

Malet, fushat, as njerëzit s’na kanë për të ndarë, se shpirti im është qepur pas shpirtit tënd, se trupi im të ka për të kërkuar gjithnjë. Edhe vdekja kur të më marrë nga kjo botë, edhe ahere hija ime – e dashura e tmerruar – ka për t’ardhur të të gjejë në të mugëtit e në t’errët.

Edhe kur për ty – ah, dua që të jetë shumë e largme – do vij’ ora që të shuhen ata sy q’i dua kaq, dhe të bëhet hi ay trup i bukur, edhe ahere, o zemërkeqe, mos pandeh se do të shpëtosh nga ndjekja ime; shpirti im të ka për t’ardhur gjer në varr, se shpirti im është qepur pas shpirtit tënd dhe trupi im ka për të të kërkuar gjithnjë; ahere, brenda në varr t’errët e të ftohtë, eshtrat do të të dridhen, se në dashuri do të jem gjithnjë besnik!

IV

1908

Më pyet sa ësht’ e thellë dhe a është e përjetshme dashuria ime.  Ahere syt’ e tu, ata sy të zez q’i dua kaq, marrin një shkëlqim, një vështrim të ri, edhe buza jote ka një të qeshur të hidhur.

Pse, o e dashura ime, pse lë të hyjnë të tillë mendime të hidhur n’atë kokë të bukur?

Nuk’ e di ti që çdo gjë në këtë jet’ është e vdirshme? Nuk e di ti që çdo gjë mbi këtë dhé ka një fund? Prapsi, prapsi, këto mendime. Mos i përsërit këto pyetje.

Të dua me gjithë shpirt, me dashuri të thellë; sot të dua sa për një jetë të tërë. Mos prish gaz’ e sotmë, duke menduar të nesërmen e errët.
Mos më pyet më sa ësht’ e thellë dhe sa ësht’ e përjetshme dashuria ime!

V

Gusht 1909

Më pyete pse të dua dhe unë qesha. Qesha, ama tani po mendohem dhe them: Pse të dua?

Të dua për atë të qeshur të bukur, kur të shkëlqen syr’ i kthjelltë nën ballë të qëruar; të dua për ato leshra ku është pështjellë gjithë thellësi e natës, dhe për atë vështrim ku këndohet gjithë gaz’ i ditës, për atë vështrim q’është si një yll i lumturisë; të dua, se kur flet, ay zë më zgjon në zemrën time
gjithë zërat e fshehtë të shpirtit; të dua se pranë teje, e ndiej veten time të madh dhe të fortë, se në dashurinë tënde shoh zbardhëllimin e jetës.

Po të dua se, tekdo, me gëzim të fatbardhësisë, a në t’errët të helmit, se në qeshje të mëngjesit, në tym të të mugëtit, se në ngjyrë të lules a në përkëdhelje të veriut, tekdo, o e dashura ime, ty të gjej dhe ty të shoh; të dua se edhe kur zbres në thellësi të shpirtit dhe në fund të zemrës, edhe atje thellë të gjej.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN



“Pasuria që s’e blejnë dot paratë”

Libri për suksesin e vërtetë dhe rritjen personale

Ngjarja më e rëndësishme e popullit shqiptar

Dita e Alfabetit të Gjuhës Shqipe

Premiera “13” nën petkun e Sulejman Rushitit

“Kadare, Kuteli, Fishta…të ndërthurur në dramën bashkëkohore”

Erdhi si një mrekulli për publikun shqiptar

Marie Kraja, diva me zërin e pastërt dhe të kthjellët