MENU
klinika

Zgjedhjet në Kosovë

Serbët votojnë masivisht, në tre komuna pjesëmarrja mbi 60%

14.02.2021 - 19:06

Komisioni Qendror Zgjedhor (KQZ) ka njoftuar se deri në orën 15:00, në gjithë territorin e Kosovës kanë votuar 32.32 për qind apo 567.934 qytetarë me të drejtë vote. Dalja më e madhe është shënuar në Komunën e Zubin Potokut, të Zveçanit dhe Leposaviqit me dalje mbi 60 për qind.

Kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka, në një konferencë për media tha se procesi i votimit është duke u zhvilluar normalisht dhe se nuk ka raportime për incidente që mund të dëmtojnë procesin zgjedhor.

Sipas të dhënave të KQZ-së, Daka ka bërë të ditur se në periudhën e njëjtë kohore, në zgjedhjet parlamentare të vitit 2019, kishin votuar 29.28 për qind e qytetarëve me të drejtë vote apo 554.750 persona.

Të drejtë vote në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 14 shkurtit kanë 1.794.862 qytetarë. Ata mund të votojnë në 888 qendra të votimit, që kanë 2.382 vendvotime në 38 komunat e Kosovës.

Këtë vit, KQZ-ja ka larguar nga lista e votuesve rreth 122.000 persona, të cilët kanë qenë të regjistruar vetëm me dokumente të UNMIK-ut. Në këto zgjedhjet është thënë se do të votohet vetëm me dokumente të Kosovës. Po ashtu, KQZ-ja ka lejuar të votojnë qytetarët të cilët kanë letërnjoftim me afat të skaduar./REL

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Sot, zhvillohen zgjedhjet e parakohshme

Kosova voton