Kanë mbetur më pak se 20 shtretër të lirë në 4 spitalet COVID në kryeqytet. Rritja me shpejtësi e shifrave të infeksionit ka sjellë shtim të numrit të pacientëve që kanë nevojë për kujdes mjekësor të specializuar.
Bazuar në të dhënat e Ministrisë, në Spitalin Infektiv, Sanatorium, ish-Kirurgjitë në QSUT dhe në spitalin COVID 4 janë duke u trajtuar 531 pacientë, 32 në terapi intensive, nga të cilët 11 të intubuar. Ndërkohë që numri total i shtretërve në këto spitale është 550, çka do të thotë se kapacitetet janë thuajse në pikën fundore.
STRATEGJIA
Mbingarkesa e krijuar që prej javës së dytë të shkurtit ka bërë që Ministria të nxitojë për të përfshirë spitalet rajonale. Manastirliu tha të shtunën në mbrëmje se nëse shifrat përkeqësohen, do të kalohet në skenarin A. Gazeta zbardh sot strategjinë e Ministrisë së Shëndetësisë për përballimin e pandemisë, si edhe skenarët në përgjigje të çdo situate. “Në Skenarin A, shfrytëzimi i kapaciteteve spitalore fillon në momentin e plotësimit të 550 shtretërve të dedikuar për trajtimin e pacientëve me COVID-19 në strukturat e dedikuara. Në Skenarin A përfshihet kapaciteti i pesë spitaleve rajonale, siç është Spitali Rajonal Durrës, Spitali Rajonal Elbasan, Spitali Rajonal Korçë, Spitali Rajonal Shkodër, Spitali Rajonal Fier”, thuhet në dokument. Gjithsej, në këto spitale janë 432 shtretër, por sipas Ministrisë, mund të shkohet deri në 647 shtretër, duke sjellë rrjedhimisht mbingarkesë nëpër dhoma. Nga ana tjetër, në skenarin B përcaktohet shfrytëzimi i kapaciteteve të tri spitaleve rajonale, siç është Spitali Rajonal Berat, Spitali Rajonal Lezhë, Spitali Rajonal Vlorë. Ndërsa në skenarin C parashikohet shfrytëzimi i kapaciteteve të tri spitaleve rajonale, siç është Spitali Rajonal Gjirokastër, Spitali Rajonal Kukës dhe Spitali Rajonal Dibër.
TERAPIA INTENSIVE
COVID-19 ka vënë në vështirësi jo pak shtete, por shqetësim, njëherazi sfidë, më shumë sesa shifrat ditore të infeksionit, është përgjigjja e sistemit shëndetësor ndaj rritjes së numrit të pacientëve që paraqiten në spitale, veçanërisht e atyre në terapi intensive. Ndërsa nuk bën me dije kapacitetet e terapisë intensive në spitalet në rrethe, në 4 spitalet COVID numri i pajisjeve reanimtarore nuk e tejkalon shifrën 150.
TESTIMI
Lidhur me testimet, që prej fillimit të pandemisë kanë qenë me pikatore, duke bërë që asnjëherë të mos ketë një tablo të qartë të situatës reale. Në dokumentin e Ministrisë thuhet se: “Testimi nuk është një qellim në vetvete, por një element i rëndësishëm i çdo strategjie parandalimi. Prandaj, shtrirja dhe përforcimi tij i shërben qëllimit dhe objektivave të caktuara. Testimi duhet të jetë sa më i saktë, duke qenë se luan një rol kyç në parandalimin dhe kontrollin e transmetimit të virusit. Ndaj duhet të sigurohet që ai të kryhet ashtu si duhet, duke plotësuar standardet e vendosura dhe në përputhje me strategjitë e vendosura të testimit”.