MENU
klinika

Si ndryshon ligji për pronat dhe kush preket

Kushtetuesja ‘rrëzon’ qeverinë pas 3 vitesh!

17.02.2021 - 13:55

Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar qeverinë për pronat, duke lëkundur sërish pozitat e ligjit “Për trajtimin e pronës dhe përfundimin e procesit të kompensimit të pronave”. Edhe pse mbi tavolinën e Kushtetueses ishin depozituar 5 padi nga shoqatat e pronarëve, kërkesat e tyre janë pranuar pjesërisht.

VENDIMI

Trupa gjykuese, e dalë nga një proces i gjatë reformimi që mori jo pak por 3 vite kohë, vendosi të mos prekë ligjin në thelb, por disa nene të tij që kanë të bëjnë me pronarët që iu është kthyer një pjesë e pronës, si edhe skemën e kompensimit. Më konkretisht është kërkuar shfuqizimi i pikës a dhe b të nenit 7, në të cilin përcaktohet që do të kryhet vlerësimi financiar për pronën e kthyer dhe për atë që është në proces kompensimi. Nëse nga kjo formulë do të rezultonte që kjo familje kishte përfituar më tepër, atëherë do të konsiderohej e kompensuar. Në të kundërt do të përfitonte diferencën. Një vendim ky që në fakt që nuk është aspak surprizë. Gjykata Kushtetuese ka mbajtur të njëjtin qëndrim mbi këtë formulë vlerësimi edhe në vendimin e 2016-ës, duke kërkuar shfuqizimin e saj. Por qeveria atë që fshiu në ligj e riktheu me vendim. Janë më shumë se 3700 pronarë që preken nga ky ndryshim e që iu krijohet mundësia të rifuten në skemë. Kjo s’do të jetë e vështirë për qeverinë sa kohë reflektoi mbi këto dosje pas vendimit të Gjykatës së Strasburgut, duke i bërë pjesë të kompensimit deri në 10 për qind të vlerës që prona ka sot në treg. Një tjetër pikë me rëndësi, e cila është shfuqizuar po ashtu, është edhe skema e kompensimit. Përmes disa ndryshimeve në 2017-ën, qeveria vendosi që të reduktonte fondin për kompensimin fizik për pronarët, në masën 20 për qind. Çka do të thotë se pronarët do të përfitonin vetëm 20 për qind të vlerës nga fondi financiar dhe për pjesën e mbetur do të kompensoheshin nga fondi fizik. Por kjo skemë është hedhur poshtë nga Kushtetuesja, e cila po ashtu nuk është dakordësuar me rendin e kompensimit që qeveria ka vendosur, duke i dhënë përparësi kompensimit në pronën e njohur.

AFATI “MBUROJË”

Por për çudi, Kushtetuesja i ka dhënë qeverisë 6 muaj kohë. Në vendimin thuhet se “hyn në fuqi 6 muaj pas botimit në Fletoren Zyrtare”. Pra efektet nuk do të nisin menjëherë, por në muajin shtator. Në këto kushte, pronarëve do t’iu duhet sërish të presin, pasi e sigurt është që s’do të ketë asnjë ndryshim në ligj që mund të trazojë ujërat para zgjedhjeve.

PADITË

Kujtojmë që vitin e kaluar, shoqata “Pronësi me Drejtësi” depozitoi 5 padi, duke kërkuar jo vetëm shfuqizimin ligjit në tërësi, por edhe të 3 VKM-ve, përkatësisht 222, 223 dhe 766, që përcaktojnë rregullat e kompensimit, si edhe të hartës me çmimet e trojeve nr. 89 datë 3.2.2016. Të 5-ta këto padi kanë qenë objekt gjykimi i Kushtetueses në mbledhjen e saj të parë, të zhvilluar në datën 4 shkurt 2021.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Fillon zbatimi i ligjit edhe për tokën bujqësore

Lame: Sfida jonë e radhës certifikimi i pronës publike