Mëhill Gega i cili aksidentoi për vdekje bashkëfshatarin e tij Mark Gjeta më 17 shkurt në fshatin Bungaj të Mirditës, ka tentuar vetëvrasjen në paraburgimin e Shënkollit.
Lajmin e konfirmon gazetari i Panorama, duke iu referuar familjarëve të të burgosurit, të cilët kanë deklaruar se 55-vjeçari ka tentuar të presë damarët e dorës.
Mësohet se Gega është dërguar për mjekim në spital.
60-vjeçari Mhill Gega dhe i ndjeri Mark Gjeta, 68 vjeç, ishin koleg pune por së fundmi kishte pasur një konflikt mes tyre.
Ndaj tij është ngritur akuza e vrasjes me dashje dhe materialet janë referuar në Prokurorinë e Rrethit Gyqësor Lezhë. Sipas burimeve nga uniformat blu, autori dhe viktima të cilët jetonin në dy fshatra të ndryshëm, ngjitur me njëri-tjetrin, kishin pasur konflikte të vazhdueshme, prej më shumë se 1 viti dhe për këtë ka qenë në dijeni edhe Policia. Ditën e ngjarjes Mark Gjeta nga fshati Tarazh, kishte shkuar në fshatin Bungaj ku banonte autori dhe aty kanë debatuar sërish. Në debat e sipër viktima i ka dalë përpara makinës duke i thënë se nuk mund t’i bënte asgjë. Por, Gega nuk është menduar dy herë dhe i ka dhënë gaz mjetit duke e përplasur 68- vjeçarin për vdekje. Trupi i viktimës u gjet në rrugën e fshatit Bungaj nga banorë të zonës, të cilët njoftuan menjëherë Policinë në lidhje me ngjarjen. Mësohet se viktima dhe autori kanë punuar më herët në të njëjtin vend pune.
HETIMET
Nga tërësia e veprimeve hetimore rezulton se autori pasi ka kryer krimin është larguar, për t’u ndaluar nga Policia pak orë pas ngjarjes. Fillimisht u dyshua për një aksident rrugor, por më pas u faktua se ngjarja kishte qenë e qëllimshme, kjo referuar dhe konflikteve të mëparshme që kishin pasur autori dhe viktima. Ngjarja e rëndë ndodhi rreth orës 13:00 të së mërkurës në fshatin Bungaj, të Njësisë Administrative Kthellë të Mirditës. Autori dhe viktima kishin pasur konflikte të vazhdueshme mes tyre, madje ishin përplasur dhe fizikisht dhe që prej asaj kohe situata kishte agravuar edhe më shumë.
DËSHMIA E AUTORIT
Në dëshminë e dhënë para hetuesve, autori i ngjarjes Mhill Gega mësohet të jetë shprehur se viktima i kishte nxirë jetën në vazhdimësi duke e sharë dhe ofenduar, madje ka deklaruar se aktin e rëndë e ka kryer në gjaknxehtësi e sipër. “Më ka nxirë jetën, duke më sharë ofenduar e madje edhe dhunuar. Më ofendoi edhe ditën kur ndodhi ngjarja dhe në gjaknxehtësi e sipër kam marrë makinën dhe e kam goditur. Nuk desha të kryeja këtë krim, por gjithçka ishte e momentit”, mësohet të ketë thënë para hetuesve Mhill Gega. Ai po mbahet në dhomat e paraburgimit të Komisariatit të Policisë Lezhë në pritje për t’u njohur me masën e sigurisë, e cila do të zhvillohet në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Lezhë.
NGJARJA
Sipas dëshmive të dhëna nga banorët e fshatit ku ndodhi ngjarja, autori dhe viktima kanë pasur konflikte prej më shumë se një vit. Madje, ata kanë treguar për uniformat blu se, viktima bashkë djalin e tij e kanë dhunuar pak kohë më parë 60- vjeçarin Mhill Gega. Ky i fundit dyshohet se momentin e ngjarjes ka qenë nën efektin e alkoolit. Në një moment, ka marrë makinën e tij dhe ka goditur për vdekje Mark Gjetën. Nga përplasja, 68-vjeçari ka marrë plagë në kokë, çka i shkaktuan vdekjen e menjëhershme, pavarësisht përpjekjeve të banoreve të zonës, të cilët i erdhën menjëherë në ndihmë.