Mijëra vetë thyen masat antikovid, gjatë një ceremonie mortore në Stamboll, mes të cilëve edhe presidenti Erdogan.
Ndonëse të pajisur të gjithë me maska, pjesëmarrësit në varrimin e teologut Muhammed Emin Sarac, ishin shumë pranë njëri me tjetrin, duke shkelur një nga rregullat kryesore për të luftuar koronavirusin, atë të distancimit social.
Muhammed Emin Sarac ndërroi jetë ditën e premte në banesën e tij, pasi prej disa ditësh ishte prekur nga koronavirusi. Teologu i njohur, ishte një nga predikuesit e Xhamisë Fatih në Stamboll, atje ku u mbajt dhe funerali i tij.
Sarac ishte një mik i afërt me presidentin Erdogan, me të cilin ishin njohur që në shkollë. Presidenti vlerësoi teologun në fjalën e rastit, duke thënë se ishte shumë mirënjohës për mësimet e tij.
Turqia regjistron 2.6 milionë të infektuar me koronavirus, që nga nisja e pandemisë, 27 983 prej të cilëve, kanë humbur jetën.