“Askush të mos mendojë që vaksina rus e kineze është në tezga dhe mjafton të paguash dhe t’i marrësh”. Kështu është përgjigjur kryeministri Edi Rama i pyetur në lidhje me vaksinën ruse dhe kineze. Sipas tij nuk ka asnjë arsye dhe asnjë mundësi që të vihet në diskutim profesionaliteti i shkencëtarëve kinezë dhe rusë.
Duke mbajtur të njëjtin qëndrim, Rama theksoi se nuk është gjeopolitikë, por është një luftë politike, tregtare dhe nuk ka sasi. Sipas tij varet nga niveli i marrëdhënieve të një vendi dhe nga raportet personale.
“Nga pikëpamja e vlerës së këtyre vaksinave nuk kemi asnjë dyshim e kontestim, por janë ende të paaprovuara nga OBSH dhe nga ana tjetër ne nuk mendojmë që ne duke qenë në të njëjtën linjë me BE kemi ndonjë prioritet në radhën shumë të gjatë edhe për ato vaksina. Kështu unë nuk kam ndryshuar mendim dhe arsyeja është në këto që thashë. Nuk është gjeopolitikë, por është një luftë politike në vetvete jo për ne. Në të gjithë planetin bëhet një luftë politike tregtare se nuk ka sasi dhe pas këtyre të dyjave është një luftë që varet nga niveli i marrëdhënieve të një vendi dhe nga raportet personale”.
Duke sqaruar më tej çështjen e vaksinës ruse apo kineze kryeministri theksoi se ne nuk i kemi këto vaksina. Sipas tij nuk ka dyer të hapura për të marrë vaksinën, por duhet angazhim i gjithanshëm dhe këmbëngulje.
“Në të gjitha rastet unë dua ta bëj shumë të qartë nuk i kemi këto vaksina në dispozicion dhe ne po i refuzojmë nuk do të hedhim hapa formalë në drejtim të këtyre dy burimeve se jemi të vetëdijshëm që janë hapa që nuk kanë arsye objektive që të na çojë në rezultat.
E kam thënë dhe përsëris kjo është që nuk jemi ne që kemi vendimmarrje në nivelin europian dhe unë mendoj që është një fatalitet politik europian fakti që RMV kthehen sytë nga Rusia e Kina në mungesë të dozave për të filluar dhe kështu mund të numëroj shumë vende të tjera përfshirë dhe vetë Kosovën dhe të jeni të sigurt që ne bëmë të gjitha përpjekjet për të siguruar vaksinën.
Vaksina kineze është tërësisht e suksesshme mjafton të shihet Turqia, Emiratet dhe efektet e saj janë pozitive po kështu dhe për vaksinën ruse. Ama shikoni vendet që janë shprehur se e kanë kthyer kokën në atë drejtim nuk rezulton që pjesa më e madhe e tyre të kenë marrë vaksinën akoma. Kjo nuk është çështje parash çmimet e tyre po rriten se kërkesa është e ethshme edhe oferta e vogël, por nuk ka asnjë mundësi që ne të lëmë një dozë të vetme në dispozicion dhe të lëmë një shqiptar të vetëm të presë se çmimi është rritur.
Nuk ka një treg ku mund të shkosh dhe t’i blesh nuk ka dyer të hapura, për të hapur dyert e marrë vaksinën duhet angazhim i gjithanshëm dhe këmbëngulje e tmerrshme. Gjëja më e vështirë që mund të më ndodhte mua në këtë post ishte të gjeja fondet për rindërtimin në krahasim me vaksinat më dukej një proces normal. Do isha gati të rikthehesha atje dhe të mos kisha këtë barrë se është një çmenduri”.