Bayern Munchen edhe njëherë tjetër tregoi forcën në Champions League. Fitorja 4-1 në “Olimpico” të Romës ndaj Lazios ishte ndeshja e 17 radhazi pa humbje në transfertë në kompeticionin më të rëndësishëm evropian për klube.
Duke nisur nga 31 tetori i vitit 2017, kampionët e Gjermanisë nuk janë mposhtur në asnjë ndeshje transferte në Ligën e Kampioneve. Janë 17 ekipe të ndryshme që nuk arritën të mposhtnin bavarezët. Janë 13 fitore dhe 4 barazime në transfertë radhazi që e bëjnë Bayernin një nga skuadrat më të frikshme të Champions League.
Por nuk mbaron këtu dominimi, pasi bavarezët kanë shënuar plot 50 gola në këto transferta, me një mesatare prej 3 golash për ndeshje. Mes këtyre rezultateve fantastike spikasin goleadat 7-2 në Londër ndaj Tottenham, 6-0 në Beograd ndaj Crvena Zvezda-s dhe 6-2 ndaj Salzburg. Nëse do të llogariteshin edhe fitoret në Portugali në fushë neutrale gushtin e kaluar, kjo ecuri do të ishte fantastike.
Mes lojtarëve që bëjnë diferencën natyrisht spikat Lewandowski, që me golin e fundit ndaj Lazios ai është bërë lojtari i tretë me më shumë gola në Champions League. Sulmuesi polak kaloi Raul, duke koleksionuar 72 gola. Ronaldo dhe Messi janë të paarritshëm, portugezi ka 134 gola, ndërsa argjentinasi 119.
Ndërsa Joshua Kimmich vendosi një rekord të Ligës së Kampionëve për më shumë fitore në 50 ndeshjet e tij të para në këtë garë. Kjo ishte hera e 38-të, që Kimmich ndodhej në anën fituese të Champions-it, më shumë se çdo lojtar tjetër në 50 ndeshjet e para të këtij kompeticioni. Kurse 17-vjeçari Jamal Musiala u bë anglezi më i ri që shënoi.