Gjuhëtar, bibliograf e publicist. Gjergj Pekmezi Lindi në Tushemisht të Pogradecit, më 23 prill 1872 dhe vdiq në Vjenë, më 24 shkurt 1938. U shkollua në vendlindje e më pas në Manastir, Beograd dhe Vjenë. Më 1898 u diplomua në Universitetin e Vjenës për filozofi dhe gjuhësi. Do të dërgohet nga Akademia e Shkencave austro-hungareze në Shqipëri për qëllime studime ku do të hartojë monografinë në dorëshkrim “Tiparet dalluese thelbësore të dialekteve kryesore të shqipes, të toskërishtes dhe gegërishtes”, një ndër studimet e para të dialektologjisë shqiptare dhe me vlera për këtë disiplinë. Do të pasohet me një punim tjetër “Raport provizor për stdudimin e së folmes së Elbasanit”(1901). Më 1908 do të botojë në Vjenë “Gramatikë e gjuhës shqipe”(gjermanisht), një ndër veprat më të mira të autorit dhe të gjuhësisë shqiptare për atë kohë. Këtu, ne mësojmë edhe disa mendime të autorit për gjuhën letrare, të cilat do t’i përsërisë edhe një vit më vonë në revistën “Diturija” të Mithat Frashërit që dilte në Selanik. Ndërsa më 1909, do të jetë bashkautor në botimin “Bibliografia shqiptare”, duke hyrë kështu në historinë e bibliografisë sonë.
Mësuesi i Llëngës në Mokër të Pogradecit
Në rininë e tij, në vitin 1887 Gjergj Pekmezi ka qenë mësues i të parës shkollë shqipe të Llëngës në Mokër, Pogradec. Ardhja e Gjergjit në Llbngë i përngjiste shiut në thatësirë të zgjatur. Nxënësit ishin gjithfarësh, nga mosha e njomë te burrat e pjekur dhe gratë duarlyer nga brumi i bukës, ardhur me nxitim të dëgjonin magjinë e gjuhës shqipe shpalosur nga ky çunak që s’ta mbushte syrin. Zbriste në Pogradec rrallë, të çmallej me njerëzit e tij, po sidomos të mblidhte libra e fletore për nxënësit. Mokra u bë edhe shkolla e parë ku zë fill gjuhëtari, historiani, atdhetari dhe mendimtari i ardhshëm. Më tej, mësuesi u largua, ngjiti me shpejtësi shkallët e dijes dhe u bë burri që i shërbeu si rrallë tjetër vendit të tij.
Profesor i profesorëve në Vjenë
Nuk është e rastit që albanologët më të shquar nëpër kohët e mëvonshme ishin gjermanishtfolësit e mirënjohur prej të gjithëve, nxitur nga punimet e Pekmezit, të cilët i përqasi tek ne gjuhëtari tjetër me përmasa të mëdha, Eqerem Çabej. Ç’mund të bënte më shumë një personalitet i mësuar e i ditur në atë kohë? Përmasa kulturore është vlera më mahnitëse në gjerdanin e artë të pishtarit ndriçues të gjuhës amtare. Por, si një çudi e pa kuptuar, vepra e tij madhore lëkundet mes njohjes dhe mosnjohjes, vlerësimit të plotë dhe mos vlerësimit. Ende mungon një përmbledhje e plotë e shkrimësisë së tij ku ai shpaloset gjuhëtar, mësues, studiues, atdhetar, diplomat, ndër shqiptarët më të kulturuar të kohës.
Filozofi dhe filologu shqiptar, më 1903 u emërua Shef i Katedrës së Gjuhës shqipe në Universitetin Oriental të Vjenës. Pas një viti themeloi Shoqërinë Kulturore Patriotike “DIJA”. Më 1908 boton veprën monumentale “Gramatika e Gjuhës Shqipe”, duke u bërë kështu gramatikanin e parë shqiptar. Pas kësaj në bashkëpunim me gjuhëtare gjermanë, boton: “Bibliografia e Gjuhës Shqipe”, “Udhëzuesi i Gjuhës Shqipe “, “Libër Mësimi e Ushtrimesh në Gjuhën Shqipe”, “Gjuha Shqip dhe Dialektet”. Do të dërgohet nga Akademia e Shkencave austro-hungareze në Shqipëri për qëllime studime ku do të hartojë monografinë në dorëshkrim “Tiparet dalluese thelbësore të dialekteve kryesore të shqipes, të toskërishtes dhe gegërishtes”, një ndër studimet e para të dialektologjisë shqiptare dhe me vlera për këtë disiplinë. Do të pasohet me një punim tjetër “Raport provizor për stdudimin e së folmes së Elbasanit”(1901). Më 1908 do të botojë në Vjenë “Gramatikë e gjuhës shqipe”(gjermanisht), një ndër veprat më të mira të autorit dhe të gjuhësisë shqiptare për atë kohë. Këtu, ne mësojmë edhe disa mendime të autorit për gjuhën letrare, të cilat do t’i përsërisë edhe një vit më vonë në revistën “Diturija” të Mithat Frashërit që dilte në Selanik. Ndërsa më 1909 do të jetë bashkautor në botimin “Bibliografia shqiptare”, duke hyrë kështu në historinë e bibliografisë sonë.
Më 1916 është Kryetar i “Komisisë Letrare të Shkodrës”, ku me Luigj Gurakuqin, Gjergj Fishtën, Ndre Mjedën e patriotë të tjerë bënë punë të mëdha për shkollat, gjuhën tonë dhe librat shqip. Më 1908 zbulon memorandumin e famshëm të 1878-ës që Vaso Pasha e Sami Frashëri i dërguan Kongresit të Berlinit. Në këto vite transkripton librin: “Bleta Shqiptare” të Thimi Mitkos. Po kaq i madh është kontributi i tij si patriot dhe diplomat i Shqipërisë. Është i famshëm qëndrimi i tij në 1913, pranë Komisionit Ndërkombëtar të kufijve, ku me mençuri vërtetoi shqiptarësinë e trevave të jugut, kundër synimeve greke.
Në vitet 1920-’24 emërohet Konsull i Përgjithshëm i Shqipërisë pranë Republikës së Austrisë. Riemërohet në këtë detyrë më 1926-’28, vit në të cilën emërohet profesor në Universitetin e Vjenës, Katedra e Gjuhës Shqipe. Këtë detyrë e kreu deri më 24 shkurt 1938, kur papritur vdiq. Përveç veprave të lartpërmendura, ai ka mbledhur e dorëzuar 8,177 faqe të daktilografuara me materiale e relacione të konsujve Austro-Hungarezë të Shkodrës, Prizrenit, Janinës, Stambollit, nxjerrë nga arkivi i Ministrisë të jashtme të Austro-Hungarisë. Sot katedra e albanologjisë ne Universitetin e Vjenës mban emrin “Prof. Dr. Gjerg Pekmezi”.
Puna për gjuhën shqipe, xhevahirin e harruar
Përkushtimi i tij në shërbim të çështjes shqiptare është i shumanshëm. Ishte dijetari ynë, zbuluesi dhe botuesi i memorandumit të famshëm të 20 qershorit 1878, që Vaso Pasha dhe Sami Frashëri i dërguan Kongresit të Berlinit, kundër keqdashjes së njohur shpërbërëse të fqinjëve lakmitarë.
Në vitin 1904 themeloi në Austri Shoqërinë Kulturore “ Dija ”.
Më tej, 1920 – 1924 dhe 1926 – 1928, konsull nderi i Shqipërisë në Vjenë. Nëpër arkivat e Vjenës mblodhi 8,177 faqe të shtypura, në të cilat zbulohen polemikat e fuqive të mëdha të Evropës në dëm, apo në të mirë të çështjes kombëtare në harkun kohor 1871 – 1894.
Gjergji do të krijonte shtratin gjermano – austriak për të tjerë dijetarë pogradecarë e më gjerë që ndoqën rrugën e tij në vitet e mëpastajme. Përkthyes i Komisionit ndërkombëtar për caktimin e kufijve të Shqipërisë më 1913. Më 1908, pas një pune stërmadhe botoi në gjermanisht, studimin shkencor “ Gramatika e gjuhës shqipe ” e para vepër gjuhësore e shqipes mbi të cilën u përqendruan dhe morën ngasje gjuhëtarët e mëvonshëm. Bashkautor, po më shumë se kaq, nxori në dritë punimin “ Bibliografia shqipe ”, i pari në këtë lloj dhe më 1913 botoi “ Libër mësimi e leximi i shqipes ” shoqëruar nga një fjalor shqip – gjermanisht me 3000 fjalë. Në vitin 1916 u caktua kryetar i “Komësisë letrare shqipe ” i ngritur për të çuar më përpara gjuhën letrare që zuri fill në Kongresin e Manastirit. Së bashku me albanologun Nahti Gali dhe Ndre Mjedën studioi të folmen e Elbasanit që kulmoi me shkrimin “Përkujtime mbi çështjen e një gjuhe të përbashkët shqipe ”. Botimet e Pekmezit u bënë të gjitha në gjuhën gjermane jo pse atë e njihte në mënyrë të përkryer, porse kërkonte t’i drejtohej një publiku të gjerë, të kulturuar për të kuptuar në tërë gjerësinë xhevahirin e harruar e të pluhurosur të shqipes, ndër më të vjetrat gjuhë të Evropës.
A e dini se… ai i historisë së monedhave, është Pekmezi!..
Mbetet unikal akti i tij i hedhjes së monedhave një turme fëmijësh në Korçë, të udhëzuar e paguar të flisnin greqisht për t’u treguar të huajve se ato troje nuk ishin shqiptare. Kur zunë të mbledhin monedhat e Gjergjit, fëmijët harruan porosinë e të huajve dhe po shaheshin shqip me njëri – tjetrin. Anëtarët e Komisionit buzëqeshën plot kuptim, ndërsa gënjeshtarët heshtën të turpëruar. Këto e shumë të tjera, që po t’i përmendim kapërcejnë caqet e shkrimit tonë, formësojnë pa asnjë mëdyshje përmasën atdhetare të tij.
Dr.Gjergj Pekmezi, kryetar i shoqërisë “Dija” të Vjenës
“Kolonia Shqiptare e Austrisë” e përbërë nga studentë e intelektualë në fillim të shekullit të kaluar ndërtuan struktura organizative me programe të fuqishme me interes kombëtar. Një nga këto struktura ishte shoqëria patriotike “Liria”, e cila pas pak vitesh, më 27 dhjetor të vitit 1904, ndërron emër, duke u quajtur shoqëria “Dija”. Emrat Dr.Gjergj Pekmezit, Hilë Mosit, Kristo A, Dakos, Kolë Kodhelit, Dervish Himës, Ndue Palucës (Batusha), Kolë Rrotë, Simon Kadarjës, Gaspër Beltosë, Gaspër Mikelit, Kolë Margjinit, Lec Çurçisë dhe po aq të tjerë do jenë emra të respektuar në letërsinë, kulturën dhe historinë kombëtare. Shoqëria e intelektualëve shqiptarë i kishte vënë vetes qëllime patriotike. Deri në vitin 1907 “”Dija” qe gjysmë ilegale. “Shoqëria “Dija” e ka selinë e saj në Vjenë me degën e saj në Raguzë”, shkruan neni i parë i statutit. Në Vjenë kryetar i saj ishte “Gjergj Pekmezi dhe në Raguzë, Nikollë Ivanaj, një veprimtar i çështjes kombëtare i lindur në Triepsh të Grudës, i shkolluar një kohë në Vjenë dhe mbrojtës i platformës së Rilindjes kombëtare në formim të shtetit shqiptar. Degë të shoqërisë “Dija” u krijuan në Prizren, Shkodër, Tiranë, Shkup, Bukuresht. Nën përkujdesjen e “Dija”- s u botuan tekste në shqip për trevat shqiptare. Ndër të parat “Abetarja”me autor Ndue Palucen, kalendari “Shqiptari”, “Këndime për shkollat e parashqipe”, “Gramatika…për përdorim t’femijve”, “Libri i dytë i knoitorës shqype për shkollë në Shqypni” etj. Me përpjekjet e kryetarit, Dr.Gjergj Pekmezi në vitin 1906 janë shtypur dymijë ekzemplarë të kalendarit që shtypej në Vjenë, në të ciln botoheshin artikuj të ndryshëm, probleme të gjuhës shqipe, rubrika e të dhënave meteorologjike, të datave të festat fetare katolike, myslimane, ortodokse, bektashiane; rubrika gjeografike rreth tokës, ekuatorit, sipërfaqeve të kontinenteve, lartësitë e maleve, thellësitë e deteve, lumenj, liqene. Për herë të parë shoqëria nxjerr hartën e parë e viseve të Alpeve Shqiptare. Në pjesën e kulturës botohen tregime, përralla e vjersha nga rinia shqiptare, këngë etj.
Në “Kalendarin” e Vjenës të vitit 1907 botohet “Gramatika”, e cila do ketë një përdorim të gjerë në mësimin e shqipes në trevat shqiptare dhe jashtë tyre. Kjo vepër historike e Dr. Gjergj Pekmezit edhe sot ruhet në Bibliotekën Kombëtare të Austrisë, e botuara para alfabetit të Kongresit të Manastirit.
Më 12 janar të vitit 1916 Shoqëria “Dija” fillon botimin e gazetës “Vëllazënija” e dyjavëshe fillimisht e pastaj javore. Kryeredaktor ishte Leo Freundlich, i njohur me veprën e tij “Albaniens Golgotha” ku zbulon gjenocidin e ushtrisë serbe mbi popullin shqiptar të Kosovës etj. Për gjatë tri vjetëve u botuan 110 numra të “Vëllaznija”-së me shumë materiale nga lufta, arsimi e kultura, analiza e shkrime mbi hapjen e shkollave shqipe. Kjo gazetë dallohet me shkrimin e saj të shoqëruar me fotografi që nuk i hasim në gazetat tjera të kohës.
Pa dyshim, veprimtaria e shoqërisë “Dija” të Vjenës dhe kryetarit të saj, Gjergj Pekmezi, është një gurë i çmuar në themelet e shtetit dhe kombit shqiptar. Veprimtarët patriotë që përbënë këtë shoqëri, janë sot emra që shkëlqejnë në historinë e kulturën kombëtare. Andaj, nderimi dhe respekti në gjenerata është detyrim moral i mbarë shqiptarëve.