MENU
klinika

Nga shokë klase në "rivalë"

Çastet e fundit para pushkatimit të Sabiha Kasimatit

26.02.2021 - 14:06

        … Diti Biçaku sapo i kishte mbushur 25, kur natën e 26 shkurtit të vitit 1951, e pa veten pas hekurave të burgut të Tiranës, midis grupit të të arrestuarve për bombën e Ambasadës ruse. Ishte një vajzë e re, me ëndrrat e saj që do t’i burgoseshin përgjithmonë në kampet e tmerrshme të diktaturës komuniste. Një ndër momentet më të vështira do të mbetej ndarja me miken e saj të ditëve të vështira, intelektualen e shquar Sabiha Kasimati.

Pak çaste para se Sabiha të pushkatohej, të fundit dorë që shtrëngoi në këtë botë, ishte dora e Ditit. Kur xhelatët komuniste erdhën për ta marrë, Sabihaja tentoi të kundërshtonte, nuk donte të ndahej nga Diti se kishte frikë për të, kishte frikë ta linte vetëm.

Nuk e dinte pse Diti po qëndronte ende brenda hekurave të burgut të ftohtë e pse ajo po largohej prej andej. Sabihaja ndoshta nuk e dinte se, ky do të ishte takimi i fundit me të e se kurrë më, nuk do ta shihte miken e saj të ngushtë. Sabihaja, nuk e dinte se duke lënë pas hekurave të burgut të ftohtë, miken e saj të ditëve të vështira, do të shkonte vetë drejt një fati edhe më të tmerrshëm, do të mbulohej në dheun e ftohtë pas plumbit që diktatura kishte rezervuar për të e fishnjen e saj në bark…

Është një ndër krimet më të tmerrshme të diktaturës komuniste vrasja e Sabiha Kasimatit. E ka rrëfyer Diti Biçaku atë natë të fundit të Sabihasë, në qelitë e ftohta të burgut të Tiranës dhe çastet e fundit të saj, para se të shkonte drejt pushkatimit.

Në një intervistë dhënë disa vite më parë, Diti Biçaku rrëfen ditët në burgun e Tiranës dhe ndarjen me Sabiha Kasimatin, para se ajo të pushkatohej.

Ajo është një prej grave intelektuale që u burgosën gjatë regjimit komunist. Është një ndër ato gra që vuajti kalvarin e kampeve të tmerrshme të diktaturës komuniste. Ishte mike e Musine Kokalarit, Sabiha Kasmitatit e të tjera grave intelektuale që u burgosën në fillimet e diktaturës komuniste.

Zonja Diti Biçaku Maliqi, ju jeni dëshmitarja e vetme okulare e arrestimeve, burgosjeve dhe vrasjeve që pasuan me ngjarjen e hedhjes së bombës në Ambasadën Sovjetike. Si e kujtoni atë natë?

Ishte ora 12 e natës kur ra dera e shtëpisë sime. Ishin tre të Sigurimit, të cilët të armatosur hynë brenda. Erdhën dhe më pyetën: Kush je ti? – Unë jam Diti Biçaku, iu thashë. – Në emër të popullit je arrestuar! Më vunë hekurat. Bënë një kontroll të imët nja një orë e ca në shtëpi, por nuk gjetën asgjë. Ashtu e lidhur u hodha sytë prindërve që po qanin me lot. U thashë të mos kenë gajle se unë isha pa faj e se do kthehesha prapë. Në ato momente nuk e di, por Zoti më dha forcë. Dola bashkë me ata të Sigurimit, të cilët ishin tre veta; njëri më rrinte majtas, tjetri djathtas e i treti përpara. I fola njërit që kisha në krah: Ku po më çoni? – Mos fol! – më bërtiti.

Thatë se ishte ora 12:00 e natës. Ku ju çuan?

Drejt e në qendrën e qytetit, ku është Sahati. Pastaj na drejtuan te burgu i ri (kështu i thoshin atëherë). Por kur dolëm te sheshi “Skënderbe” ishte mizëria me të burgosur. Rrugët ishin të mbushura me plot të arrestuar e drejtimi i të gjithëve ishte drejt burgut të madh. Të gjithë të burgosurit shoqëroheshin me nga tre të Sigurimit dhe kështu ne nuk mund të kthenim kokën as majtas, as djathtas që të shihnim njëri-tjetrin. Te burgu i ri pritëm shumë sepse nuk mbaronte radha e të burgosurve. Unë nuk e di në isha e fundit apo e parafundit. Kur më erdhi radha hyra te dera e parë. Një kërcitje e tmerrshme nga pas. Pas saj ishte një tunel shumë i errët që ndriçohej nga një dritë e zbehtë. Kaluam derën e dytë dhe pastaj më futën në një birucë. Biruca ishte pus. Nuk kishte fare dritë. Më lanë aty dhe i vunë llozin derës. Unë nuk e dija ku isha. Në atë moment u ndez një fije shkrepëse në mes të 5-6 vetëve që ishin të gjitha gra. Mes tyre ishte dhe Sabiha Kasimati. Ishte ajo që ndezi fijen e shkrepëses. Kush je?- më tha, se nuk shihej mirë. – Jam Diti Biçaku, iu përgjigja. Në vend që të më thoshte “obobo”…se më kishin arrestuar, tha “o shyqyr”, ngaqë i doli një e njohur në atë tmerr. Unë, Sabiha Kasimatin e kam njohur që kur kam qenë në Elbasan.

Sa kohë ju mbajtën në qeli?

Nuk e di, se nuk e kuptoje se kur ishte ditë e kur ishte natë. Ngaqë bënte shumë ftohtë u futa në dyshekun e Sabihasë dhe u mblodhëm të dyja për t’u ngrohur. Ajo ishte me temperaturë. Ndërkohë që po bisedonim kërciti dera. Erdhën ata të Sigurimit. U futën brenda dhe thirrën emrin e Sabiha Kasimatit. Sabihaja dridhej nga të ftohtit se ishte sëmurë. Unë hoqa pallton time të madhe dhe ia hodha në krah. Me atë pallto është pushkatuar. Doli Sabihaja. Pas pak erdhën dhe thirrën edhe emrin tim. Të dyjave bashkë na futën në një dhomë ku ishin dhe disa persona të tjerë. Ishin ata të hetuesisë. Na ulën në një tavolinë që ndriçohej nga një fener. Ishte Mehmet Shehu dhe ca që nuk i njihja atëherë, por tani i njoh. Mehmet Shehu përplaste dorën në tavolinë duke thënë: “Këto janë armike të popullit. Këto deshën të na përmbysnin pushtetin tonë popullor. Nuk duhet të kemi mëshirë për to, por t’u japim dënimin maksimal se e kemi fitu me gjak pushtetin popullor”. Në këtë moment unë dhe Sabihaja i shtrënguam dorën njëra-tjetrës dhe e kuptuam se ishim shumë në rrezik.

Çfarë ndodhi pas kësaj, me ju dhe Sabihanë?

Pasi mbaruam aty na larguan nga dhoma. Pas pak dëgjuam zhurmën e një makine të madhe. Ajo makinë vinte gjithmonë aty e mbuluar. Edhe sot e kësaj dite zhurmën e makinës më duket se e dëgjoj. Erdhi makina te dera dhe i futën të gjithë të lidhur. As kokën s’e ngrinin dot. Ne nuk e mendonim kurrë se po i çonin për t’i pushkatuar, por mendonim se ata shpëtuan dhe po i lironin. Ne ishim të gjithë të pafajshëm. Erdhën dhe morën edhe Sabihanë që e hipën në atë makinë. Në atë moment ajo më tërhiqte që të shkoja me të. Unë doja të shkoja me Sabihanë, por një nga gardianët më tërhoqi dhe makina u nis. Me sa duket unë nuk isha në listë për t’u pushkatuar. Nuk e di si shpëtova, por në atë kohë pyesja o Zot, pse nuk shkova dhe unë me Sabihanë, sepse mendoja se atë e kishin liruar.

Sabiha Kasimati mbaroi Liceun e Korçës (në të njëjtën klasë me diktatorin E. Hoxha). Shteti shqiptar i akordoi bursë studimi në Universitetin e Torinos, në Fakultetin e Shkencave Biologjike, të cilin e përfundoi me sukses me notat 30′/30′, me lavdërim (trenta su trenta con lode). Në verën e vitit 1941 mbrojti edhe doktoratën. Katedra i ofroi vendin e asistentes në ihtiologjinë fluviale, por ajo nuk pranoi dhe u kthye në atdhe. Mbas disa vitesh pune me pasion, u detyrua të shkonte në Itali për kura shëndetësore në një sanatorium të Torinos.

Pas shërimit, aty nga viti 1945 u kthye në atdhe. Nisi punën në Institutin e Shkencave, siç quhej atëherë bërthama e parë shkencore, që drejtohej nga prof. Selaudin Toto. Sabihaja ishte një intelektuale e kompletuar, që kishte studiuar në Perëndim, një filozofe dhe biologe që e njihte mirë thelbin dhe shfaqjen e panatyrshme e çnjerëzore të sistemit totalitar komunist, i cili po vendosej në Shqipëri. Ajo u dëshpërua thellësisht nga goditjet e rënda që po u jepeshin intelektualëve të vendit, veçanërisht atyre që kishin studiuar në Perëndim, mjaft nga të cilët ishin kolegët e saj.

Gjyqet ushtarake dënonin me pushkatime dhe burgime të rënda elitën shqiptare. Ajo u trondit veçanërisht nga pushkatimi i drejtorit të saj, shkencëtarit Selaudin Toto, si edhe i intelektualëve opozitarë Gjergj Kokoshi, Suad Asllani, Sulo Klosi, Shefqet Beja, prof. Stanislav Zuberit etj, veçanërisht nga dënimi i shkrimtares së parë shqiptare, Musine Kokalari. Kështu, Sabihaja filloi të shprehte pakënaqësinë për regjimin dhe për Enver Hoxhën, shokun e saj të klasës në Liceun e Korçës. Këto pakënaqësi të saj, si edhe prejardhja nga një familje e madhe, tërësisht intelektuale dhe demokratike, bënë që emri i Sabihasë të futej në listat e zeza të Sigurimit të Shtetit si “kundërshtare e regjimit”.

Sabihaja u arrestua më 20.02.1951. Ajo bënte pjesë në listën e Sektorit të Dytë të Drejtorisë së Sigurimit të Shtetit, të përpiluar nga kapiten Rasim Dedja. Përbri emrit të saj ishte vënë një kryq, që do të thoshte se ajo do të pushkatohej. Përpiluesi i listave të zeza rrëfen: “Vlerësimi për personat që do të pushkatoheshin dhe që janë pushkatuar në fakt, është bërë direkt nga udhëheqja e Ministrisë, që në atë kohë ka qenë Mehmet Shehu me dy zëvendësministrat e tij – Kadri Hazbiu dhe Mihallaq Ziçishti. Them për këta të fundit, se këta mbulonin Sigurimin. Mehmet Shehu ishte ministër i Brendshëm, direkt i interesuar për ngjarjen. Ai propozoi në mbledhjen e Byrosë Politike që të pushkatoheshin pa gjyq 10-15 persona dhe Byroja ia miratoi, pra, i kishte duart e lira. Por, jo pa komandantin. Pa miratimin e diktatorit nuk bëhej asgjë. Enver Hoxha ia miratoi të gjitha veprimet dhe emrat e viktimave që kishte përzgjedhur. Por Enveri shtoi nga ana e tij emrat e Sabiha Kasimatit, Reiz Selfos, Manush Peshkëpisë, Qemal Kasoruhos, të cilët ishin nga treva e Gjirokastrës dhe ai i njihte personalisht.

Për pushkatimin e saj dhe 22 intelektualëve të tjerë kishte vendosur Byroja Politike e KQ të PPSH, me vendimin e datës 20 shkurt 1951. Nuk ka shembull në gjithë vendet e Lindjes komuniste, që të vendoste për të vrarë njerëz Byroja Politike, madje, pa gjyq dhe duke shkelur edhe ligjet e asaj kohe!

Ajo nuk e pranoi akuzën për akte terroriste, për pjesëmarrje në organizata terroriste, për vënie në shërbim të agjenturave të huaja, por pranoi me burrëri se, si intelektuale, ishte kundër pushtetit totalitar dhe ideologjisë së tij komuniste: “Kam qenë kundër pushtetit popullor, sepse nuk pajtohet me ideologjinë time. Unë nuk kam qenë kurrë e mendimit se me akte revolucionare të arrihej në socializëm. Jam lidhur me një grup shokësh, të cilët kanë qenë armiq të Partisë Komuniste…”

Sabihaja ishte një demokrate e vërtetë europiane. Në mesnatën e datës 26 shkurt 1951, të lidhur me tela me gjemba, bashkë me 21 burra nga e gjithë Shqipëria, i pushkatuan dhe i hodhën në një gropë të përbashkët, pranë Urës së Beshirit. Fshatarët kanë dëgjuar britmat e saj, derisa dha shpirt. Eshtrat e saj sot prehen në Varrezat e Dëshmorëve të Kombit, në një varr të përbashkët me 22 martirët e pushkatuar atë natë të përgjakshme.

Një dhuratë e kinemasë tonë nostalgjike për të gjithë brezat

Restaurohet filmi “Kthimi i Ushtrisë së Vdekur”

Çfarë u diskutua gjatë takimit në Tiranë më 1989-ën

Refuzimi që Nexhmije Hoxha i bëri Nënë Terezës për një shtëpi bamirësie!

Në 40-të vjetorin e filmit “Proka”

Mbrëmje kinematografike me regjisorin Isa Qosja

"Kur jeni zënë për herë të fundit me gruan?"

Përgjigjet plot humor që jepte Dritëroi për Sadijen