MENU
klinika

Dëshmia e rrallë e ish-zv/ministrit të Brendshëm

“Çfarë më tha Xhafer Deva për ngjarjet e 4 shkurtit ’44”

27.02.2021 - 09:18

Publikohen disa pjesë nga libri me kujtime i autorit Ejëll Çoba, intelektualit të njohur nga qyteti i Shkodrës, pinjoll i një prej familjeve më në zë të atij qyteti, i cili pasi ishte diplomuar në Universitetin ‘La Sapienza’ të Romës në vitin 1932, u kthye në atdhe ku ushtroi profesionin e tij, duke ndjekur karrierën administrative, si ‘Dottore in Giurisprudenca’ dhe më pas për disa vjet me rradhë në administratën e lartë shtetërore, ku e zuri edhe periudha e pushtimit të vëndit, (1939-1944), ku ai mbajti disa funksione të larta, si Drejtor në Ministrinë e Drejtësisë, Sekretar i Përgjithshëm i Këshillit të Ministrave, zv / Ministër i Punëve të Brendshme, etj. Arrestimi i tij në vitin 1946, (së bashku me vëllanë, Kelin) i akuzuar si pjesmarrës në ‘Lëvizjen e Postribës’ dhe pas një hetuesie të gjatë në Shkodër dhe Tiranë, u dënua me 25 vjet burg, nga të cilat vuajti plot 23 vjet e pesë muaj, e pesë dit burg, në kampet e tmerrshme të punës së detyruar, e deri në ferrin e Burrelit.

Kujtimet e panjohura të Ejell Çobës, të cilat vijnë me një parathënie të bashkëqytetarit të tij, shkrimtarit të njohur, Zija Çela, paraqesin para lexuesit një panoramë të ‘pikturuar me penelin’ e dhimbjes, ku jepen detaje dhe hollësirë për vuajtjet e tij në kampet e burgjet e regjimit komunist të Enver Hoxhës, si dhe të bashkëvuajtësve të tjerë, emra të njohur e të panjohur, si: Padër Bernardin Palaj, Guljelm Suma, Syrri Anamali, Ramdan Sokoli, Cin Serreqi, Padër Karol Serreqi, Padër Filip Mazrreku, Hamdi Isufi, Hafiz Ali Kraja, Beqir Çela, Musa Gjylbegu, Asim Abdurahmani, Kolec Deda, Nikoll Deda, Felatun Vila, Gjush Deda, Sali Vuçiterni, Emin Bakalli, Qani Katroshi, Sali Doda, etj., si dhe disa emra hetuesish, gardianësh, oficerësh të Sigurimit të Shtetit, si Fadil Kapisyzi, etj.

Vijon nga numri i kaluar

B U R G I M E T

 

 

Kujtime të shkruara nga gusht 1973 deri në fund të dhjetorit 1977

Mund të durohen vetëm gjanat ekstreme

Konti Rober dë Monteskje

Kam mendue gjithmonë që goditja është gjëja më e keqe. Për këtë arsye sa herë që kisha zëvëndësue gjyqtarin hetues ose prokurorin gjatë karrierës sime 30 vjeçare si gjyqtar, kurrë nuk kisha goditë njeri. Tashë që po e provoja vetë goditjen më dukej vetja superior, jo vetëm moralisht por edhe fizikisht, sepse me këtë fizik do e kisha mujtë kapitenin e klasit të parë.

Zani i ndërgjegjes së pastër, fakti që prej punës sime nuk i kishte ardhë askujt, asnji e keqe, më jepte forcë morale e kryenaltësi. Siç e ka i drejti edhe kur e mund i keqi.

Edhe unë si të tjerët u ktheva prapë në vendin e torturës. Për drekë më dhanë nga një franxhollë që e kishte të drejtë me e hëngër çdo i burgosun. E kuptova që do më jepej gjysëm racioni çdo dy ditë. Fill pas dreke na thirrën hetuesat. Po të njajtat pyetje e po të njajtat përgjigje, e natyrisht të njajtat goditje e të shame. Mbas dreke vonë filloi proçedimi i të burgosurve që dilshin për nevojë.

Ditët po kalojshin erru-gdhiu në nevojtore, i lodhun mjaft, i zhveshur, i ushqyer pak, në të ftohtë e pa gjumë e tri herë në ditë takim me hetuesin. Morali qëndronte gjithnjë i naltë e përditë e ma tepër forcohej tek unë vendimi për mos me lëshue; të ndodhte ç’ka të ndodhte!

Edhe hetuesi nuk jepte shenja lodhje e as lëshimi. Kështu kaluen dhjetë dit. Kur më thirri, si zakonisht, hetuesi më tha: “Mirë, po e lëmë hëpërhë këtë çështje, do ta zgjidhim më vonë. Por tani dua të di si i keni organizuar vrasjet e 4 Shkurtit e të 28 Shkurtit. Shko në qeli, mendohu mirë e nesër do të vij e të pyes”, e i dha urdhër rojes të më çonte në qeli.

Kur hyna në qeli, shokët më pyetën tanë gëzim nëse kisha shpëtue e nëse kisha ba proçes-verbalin. “JO”, u thashë, ‘kam vetëm një ditë pushim, e mandej do të vazhdojnë pyetjet”.

Ata u mvrenjtën e më shpjeguen se kjo ishte proçedura e zakonshme e torturave: të lanë një ditë ose më tepër pushim, të japin dyshek ose edhe ushqim e mandej të thërrasin prapë e të thonë: “Hajde të fillojmë!” i burgosuni i shkretë, që ka shijue njëfarë rehatie të dëshirueme aq fort, e ndien vedin krejt të pafuqishëm e shpesh dorzohet e pranon jo vetëm ç’ka eventualisht ka ba, por edhe ç’ka nuk ka ba; e bashkë me veten merr më qafë edhe të tjerët, bashkëpunëtorët ose edhe krejt të pafajshëm e pa kurrfarë dijeni.

Menjëherë rashë e fjeta. Kisha nevojë të madhe për gjumë dhe për t’u ngrohë. Fjeta rreth 20 orë. E ndjeva veten se isha shlodhë disi. Isha edhe në humor të mirë e më kënaqte mendimi se kapiteni-hetues, s’e kishte për gja të hiqte dorë pa u turpnue prej kërkesave të tij.

Kur ishte pothuaj ora 9 e mëngjesit, më thirri prapë hetuesi. Filloi të më pyeste nëse isha shlodhë. Hyni në bisedë urtë e butë si herën e parë. Unë i shmangesha sa mundsha çdo provokimi. Tërhiq e mos këput për ta mërzitë pa e zemrue, derisa të bindej se kambëngulja e tij për të nxjerrë gja do të ishte e pafryt.

Pika e dytë, mbi të cilën donte të dinte hetuesi, ishte përgatitja dhe ekzekutimi i vrasjeve të 4 Shkurtit dhe 28 Shkurtit 1944. M’u desh një përpjekje e vogël për t’a bindë hetuesin se më 4 Shkurt unë nuk isha ende në ministri, mbasi në atë vend isha emnue më 13 shkurt. Këtë fakt hetuesi mund ta konstatonte lehtësisht me anë të fletores zyrtare që botonte dekretin e emnimit tim, por hetuesi për çdo gja që thojsha unë, mbante një qëndrim sistematik mosbesues, së paku skeptik, e në këtë qëndrim shkonte aq larg, saqë nuk i dukej fakt bindës as data e dekretit. Për këtë vijonte të kërkonte pse u ba, kush e bani e si u banë vrasjet e 4-shkurtit.

Atë ditë ishin vra një numër i konsiderueshëm njerëzish, numrin e saktë të të cilëve nuk e di as sot. Hetuesi më tha 82 vetë. Kaq u shkrue edhe në gazeta mbas vitit 1944. Për katër dit rresht, tue u errë e tue u gdhi në nevojtore, me gjysmë racioni bukë çdo dy ditë, i zhveshun në atë dimën të lagësht e të ftohtë, në një dritare pa xhama, e tue provue për tri herë në ditë grushtat dhe shkelmat e kapiten Abdyl Haki Kuçit, mundohesha me e bindë se për 4 Shkurtin s’kisha as ma të voglën dijeni. Tek e mbramja hymë në çështjen e vrasjes së 28 Shkurtit. Hetuesi filloi pyetjen: “Si e more vesht vrasjen e katër vetëve në rrugën e Rusit?”.

Me 27 shkurt ishte vra një kapterr policie në atentat. Atentatorët u kapën mbrenda ditës. Si më ka thanë ma vonë Hamdi Isufi, ata kishin qenë gjashtë. Njenin e shpëtoi Mehdi Frashëri, tjetrin Hamdiu, që ishte qarkomandant. Katër të tjerë u ekzekutuan brenda katër orëve për terror. Pyetjes së hetuesit, i’u përgjigja me sinqeritetin ma të madh. Në mëngjesin e asaj ditë, para se të shkojsha në zyrë, një grue që shërbente në familjen tonë e kishte dalë herët për me ble bukë, më tha se në një rrugës mbi shtëpinë tonë, në rrugën e Dajtit, ishin katër vetë të vram. Në zyrë, mbasi ministri s’kishte dalë akoma, thirra Rrok Malokun, drejtor i Zyrës Sekrete dhe e pyeta:

-Ç’ishin këta katër të vram në rrugën e Rusit?

-Janë atentatorët e policit, – m’u përgjigj shkurt.

Ndoshta as ai nuk dinte hollësina të tjera. Punë të tilla Xhaferr Deva (ministër i Brendshëm) i bante me sekretarin e vet privat, Isuf Devën.

Mbas pak, kryeministri Rexhep Mitrovica, më pyeti me telefon se ku ishte ministri, se nuk i ishte përgjigjë. I thashë se ende s’kishte dalë në zyrë.

-Atëherë, – shtoi, – shko në shtëpi të tij e thueji se asht mbledh Këshilli Ministror, që kërkon të dijë rreth katër të vramve.

Posa dola, në shkallët e ministrisë takova ministrin Xhaferr Deva dhe Hysni Demën, komandant i Përgjithshëm i Xhandarmërisë. U kthyem në zyrë. I thashë fjalët e Kryeministrit.

-Mirë, – m’u përgjigj,

Shko në Këshill e thuej se elementa të së majtës, dje kanë vra një polic e sot elementa të së djathtës, kanë marrë hak, tue vra katër njerëz të së majtës. Hetimet janë në vazhdim, e kur të përfundojnë do t’ju vemë në dijeni.

-Unë nuk mund t’i çoj Këshillit Ministror një përgjigje të tillë, – i thashë.

-Atëherë, hajde edhe ti me mue të ndigjosh përgjigjien, – më tha, e së bashku, shkuem në Kryeministri.

Këshilli po bisedonte rreth disa çështjeve të tjera. Si u dhanë fund, pa i kërkue kush gja, Deva mori fjalën dhe u tha ministrave, sa më kishte thanë mue. Asnji prej ministrave nuk bëzani. Kryeministri kaloi në biseda të tjera. Për sa qëndrova në ministri, as në Këshillin e Ministrave dhe as me Devën, nuk u bisedua ma kjo çështje.

Hetuesi, si zakonisht, i shkruante fjalët e mia. Kisha përshtypjen se përpiqej ta trashte sa më tepër proçes-verbalin, qoftë edhe me gjana të parandsishme. Megjith këtë, tregohej i pakënaqun e vazhdonte të më mbante me tortura. Mbaj mend se kërkonte të pohojsha, se si nënministër, mbajsha lidhje me komandën gjermane.

Mbaj mend edhe se një herë që më kishte ulë në çimento të lidhun, u mundue të më godiste në shpinë me thembrën e çizmes me kaq fuqi, sa e humbi ekuilibrin dhe shkoi e u përplas në derë. Dera u hap dhe ai u rrëzue në korridor, me habi të madhe të rojes që ishte mbas dere, i cili sigurisht do të ketë dyshue se mos e kam përplas unë me ndonji grusht ose shqelm. Rreth kësaj pike, hetuesi insistoi për 2-3 dit e në mbrëmje kujtoi se kishte gjetë një provë të pakundërshtueshme të lidhjes sime me gjermanët si nënministër:

-“Ti thua se nuk ke pasur lidhje pune me gjermanë, por unë kam një dokument me firmën tënde, që dëshmon për të tilla lidhje”.

-Nuk mund të egzistojnë prova e fakte për gjana që s’kanë ndodhë! – i’a ktheva unë.

-A e jep me shkrim se nuk ke pasur të tilla lidhje? – insistoi ai.

-Edhe njitash e me çdo kusht, – i’u përgjigja me sigurinë ma të madhe për ç’ka po thosha.

-A ma jep me shkrim se do të pranosh edhe dënimin me vdekje, po të nxjerr një dokument për fajsimin tënd? – vazhdoi ai.

-Jam gati të pranoj me firmën time dënimin me vdekje, – i’u përgjigja me vendosmëri, e me hov edhe ma të madh e gati me kënaqësi.

Hetuesi më vuni përpara letër e penë e filloi të më diktojë tue ecë nalt e poshtë nëpër qeli. Unë, i gatshëm, shkruejsha me kënaqësi e siguri të dukshme.

Kur mbërriti te fjalët: “Jam gati të pranoj dënimin me vdekje”, e ndërpreu, më kapi dorën që të mos vazhdojsha të shkruej e me za të thekun më tha: “Mendohu mirë, mos e merr veten më qafë, e kam dokumentin në dosje”.

Unë vazhdova të shkruej me forcë dhe e plotësova deklaratën. E lexova me za të naltë dhe e nënshkrova pa u ndalë, e i’a dhashë në dorë hetuesit, që kishte mbetë në kambë si pa frymë. Pa shqiptue fjalë, e mori, u mendue, hapi dosjen e nxorri një kopje të një shkrese që i kisha drejtue rreth komandës së Xhandarmërisë së Fierit, në të cilën thuhej: “Megjithëse komanda e Ballit Kombëtar pretendon se fuqitë komuniste në atë rreth janë ma të shumta se ato të Ballit, e për këtë kërkon ndihmën e Xhandarmërisë, nga informacionet që ka kjo ministri nga komanda gjermane, forcat komuniste në atë rreth janë…(nuk mbaj mend tash që po shkruej shifrën), kurse ato të Ballit janë… pra shumë ma të mëdhaja, megjithatë, në qoftë se ajo komandë disponon, t’i dërgohen në ndihmë të Ballit nja 10-15 xhandarë”.

-A e sheh, – thirri me ton triumfues hetuesi – se ke pasur lidhje me komandën gjermane?

-Komanda gjermane gati çdo ditë – i’u përgjigja – i dërgonte Ministrisë një bulletin, në të cilin mes informative të ndryshme, jepte informata mbi forcat dhe lëvizjet e çetave komuniste. Ato buletine i lexoja edhe unë e prej tyne isha informue për forcat e komunistëve, gjë që i’u transmetue rrethkomandës së Fierit.

 Çfarë më tha Xhafer Deva për ngjarjet e 4 shkurtit ’44

Hetuesi nuk diti ç’ka të përgjigjej, mbylli dosjen e u ngrit në këmbë. Për një moment shpresova se do të më lejonte të shkojsha me fjetë në dyshek, por jo, thirri rojen e i that ë më përcillte prapë në nevojtore, në vendin e torturës. Kisha fillue të lodhesha. Po bahej dhjetëditëshi i dytë që e kaloja natën në kambë, me një gjysëm racionin bukë në dy ditë. Kambët kishin fillue të më enjteshin e të më zienin.

Kështu, t’ue u lodh përditë e ma tepër, kaluen ditët torrturuese, por e ndiejsha se shpirtnisht isha gjithnë i fortë e fitimtar mbi brutalitetin e dashakeqësinë e një hetuesi komunist e të një metode krejt të paarsyeshme e të egër.

Pikërisht të dhjetën ditë, hetuesi më tha të shkojsha në qelinë time, se të nesërmen do të fillojshim pyetjet mbi pikën e tretë. Kështu fjeta në dyshek një natë, u ngroha pak, se të ftohti më kishte hy në palcë dhe hëngra diçka nga ato që më dhanë shokët e qelisë, të cilët s’kishin mjaft as për vete.

Të nesërmen më thirri prapë hetuesi e filloi bisedën mbi veprimtarinë time (si e quante ai) gjatë kohës dyvjeçare të arratisë. U mundova t’i shpjegoj se nuk kisha ba asnjë veprimtari gjatë kësaj kohe. Tezën time u përpoqa t’ia argumentojsha me versionin për të cilin përpiqeshin edhe familjarët e mi, d.m.th., që në atë kohë ndodheshin jashtë Shqipnisë, prandej nuk duhej ta dinte njeri se ndodhesha në Shkodër. Nga kjo detyrohesha të mos kisha asnjë lidhje me persona të ndryshëm.

Hetuesi i shkruante të gjitha përgjigjet, por dukej se nuk bindej me argumentat e mia e më kërcënonte se do ta paguejsha shumë randë insistimin tim për të mohue faktet. Ai thoshte se për fajsinë time, kishte prova të pakundërshtueshme, por kërkonte t’i pohojsha unë vetë, gjë që do të më lehtësonte dënimin. E vërteta e tërbonte hetuesin tim, si tërbon ruba e kuqe demat e Spanjës. Prandaj për të njëqindën here, shpërtheu në grushta e shqelma, të shoqnueme me shamje nga ato që kishte mësue në pijetoren që kishte mbajtë ma parë në Berat.

Kur u lodh ai ma shumë se unë, i dha urdhër rojes të më përcillte në vendin e torturës. Kështu filloi periudha e tretë e torturës: i ç’veshun, i unshëm, i lodhun, i ajun kambësh, i nximë në trup nga grushtat e rrahjes, por moralisht ma i fortë e ma i vendosun mos me lëshue asgja, jo vetëm në dam të të tjerëve, por as në dam të vetes sime për t’u fajsue që nuk i kisha krye.

Në vendin e torturës gjeta prapë Panajot Zbogin, i cili mbas ndonjë dite pushimi, rifillonte një periudhë të re torturash. Kësaj here më vendosën në ndamjen e fundit, afër një gjysmë dritareje, pa xhama e me hekura, që shihte në oborrin e burgut, ku ditën kisha mundësi me pa të burgosunit e dënuem, prej të cilëve njihsha pjesën ma të madhe.

Natën prej asaj dritareje hynte një erë e ftohtë, që ma ngrinte trupin, sidomos kur shtrihesha në çimento, prej se isha tepër i lodhun nga qëndrimi në këmbë, nga uria e sidomos nga mungesa e gjumit.

Edhe gjatë kësaj periudhe të tretë të hetuesisë, më thërriste hetuesi tri herë në ditë në pyetje. Insistimeve të mia se nuk kisha pasë lidhje me asnjë person gjatë kohës së arratisë, hetuesi m’u përgjigj, se nuk kisha pasë nevojë me ardhë në kontakt direkt, pse kisha në shtëpi një “diplomat”, me anë të të cilit bajsha lidhjet. Aluzionin ishte për vëllanë tim, Kelin, që kishte punue si diplomat në Ministrinë e Jashtme, qysh në kohë të Zogut.

U mundova t’i argumentojsha se nuk kisha asnjë interes e madje ishte shumë e rrezikshme edhe për mue që im vëlla të hynte në çfarëdo aktiviteti, pse, po të hijshin në gjurmët e tij, do të arrijshin me lehtësi edhe tek unë.

-Po, vëllanë tënd ne e kemi arrestuar, a e di? – më tha.

-Jo, – i’u përgjigja.

-Ai e ka pohuar të gjithë veprimtarinë e kryer në emrin tënd.

-Ma bini këtu e ndër sy të tij do t’ju provoj se ju ka gënjyer – i’u përgjigja unë me sigurinë ma të madhe.

Kur ndëgjoi këto fjalë, hetuesi shpërtheu në goditje të tërbueme si asnjiherë ma parë. Si duket, këtë e mbante për një kartë shumë të vlefshme që do t’i siguronte sukses, së paku në këtë pikë. Por siguria ime, e bazueme në të vërtetën e në njohjen e vendosmënisë së vëllait tim (i cili edhe me kusht të jetës së vet, nuk do të pranonte të më ngarkonte mua), e tronditën shumë hetuesin dhe e tërbuen kundër meje.

Përfundimi qe zgjatja e qëndrimit tim në torturë. Uria e sidomos etja, po më mundojshin shumë. Natën, kur ishte roje një elbasanas, trupshkurtë e me fytyrë tipike fshatari, jo shpirtkeq, merrsha guximin me i kërkue ujë.

-S’ka ujë për anmiqtë e popullit – thoshte me za të naltë, që ta ndigjojshin të tjerët, por mbas pak kthehej me një shtambë dy litërash. Unë e mbërthejsha për buzë, e kur roja shihte se po e pijsha të gjithë, më bërtiste: “Mjaft, mjaft!” Sigurisht, jo pse i dhimbej uji, por sepse i dukej se po e shkelte si tepër urdhërin e marrun, mos me na dhanë asgja.

Gjatë këtyre ditëve që po kaloja në torture, na sollën Asim Abdurrahman Shpuzën, farmacist, kunat i Musa Jukës e i Veli Vasjarit. Ishte i arrestuar se kishte dashtë me u arratis. Asimi kishte pasë përfaqsimin e shtëpisë farmaceutike gjermane “Bayer”. Akuza që i bahej ishte për bashkëpunim me gjermanët. Mbrenda pak ditëve, Asimi filloi të japë shenja të randa lodhje. Fliste me vete e lëvizte nga një vend në tjetrin pa arsye. Përditë kllapia po i shtohej. Një natë, ishte dita e tridhjetë e torturës sime, Asimi po fliste me vete me za të naltë. Panajot Zbogu, që ishte tashma me ne, i’u afrue dhe e këshilloi që të mos lëvizte e të mos fliste, se mund ta ndigjonte roja. U duk sikur u qetësue, por mbas pak filloi edhe ma keq.

Mbas një jave më thirri prapë hetuesi, e më tha të firmosja fletë për fletë process-verbalin prej 17 faqesh, të kopjuem në makinë. I thashë se dua ta lexoj. Më çoi në një korridor të vogël, kundruell dhomës (qelisë) së hetuesit e më tha: “Lexoje!”. Dyshova se mos kishte ndryshuar fjalët e mia, prandaj e lexova me vëmendje. Herë pas here vinte roja e më thonte: “Hajt, a e lexove, se hetuesi po të pret”. Pashë se nuk kishte ndryshue e as nuk kishte shtue gja. Shkova dhe e nënshkrova ndër sy të hetuesit fletë për fletë. Me kaq u mbyll faqja e hetuesisë sime.

Tani isha në pritje të gjyqit. Më kujtohet se njëherë, mbas një bisede mjaft të acarueme me hetuesin, ky, për të më friksue ose pse s’dinte si me i’a dalë me arsyetime, më tha:

-A e di ti se të vras që tani e them se doje të ikje? A e di ti se të vras e s’kam asnjë përgjegjësi?

-Po, po, e di, e di – i’u përgjigja në mënyrë të preme.

-A je i bindur se e bëj, e s’më bie asnjë përgjegjësi? A e di? – insistonte.

-Po, po, e di, e di – përsërita unë me ton të sigurt e pa ngurrue, por edhe shumë ironik.

Më duket se hetuesi nuk e kuptoi fare se ç’doja t’i them me atë përgjigje. Kjo bisedë m’u kujtue ma vonë, në burg, kur ndigjova prej Hatif Toptanit se hetuesi i tij, e kishte kapë një natë për zverku dhe e kishte futë në korridorin që çonte në oborr të burgut.

Tue më pushue trupi, por jo mendja, kaluen edhe marsi e prilli. Asnjë lajm s’kisha prej familjes. Më brente thellë dyshimi se mos kishin arrestue edhe vëllanë e tretë, Filipin. Në fillim të majit, roja më solli fletë-akuzën. Një mëngjes, mue e Hamdi Isufin, na përcollën në gjyq. Tue shkue rrugës, pashë se nga një rrugë tjetër po vijshin dy vajza, e njena kishte syze të zea. Sa më pa, i hoqi syzet. E njoha, ishte një shoqe e motrës. Kur mbërritëm në gjyq, na lanë të presim pak në fund të shkallëve, sa të dilte një grup të pandehunish, ndër të cilët ishin e shoqja e Shefqet Verlacit, Zef Guraziu, e më duket Izedin Beshiri.

Gjatë kësaj kohe doli prej derës së një zyre e hyni në një tjetër një djalë i ri, Ilia Xheka, të cilin e kisha pasë sekretar në gjykatën e Beratit. Mbas pak minutash, doli për t’u kthye në zyrën e parë. Më shikoi mirë, më njohu, erdhi e më dha dorën. U çudita për guximin që pati. U gëzova që kishte njerëz me guxim. E pyeta:

-A punon këtu?

-Po – m’u përgjigj.

Ishte sekretar në Gjykatën Ushtarake. S’kam marrë gja vesh ma për të. Mabs pak na përcollën nalt, në sallën e gjyqit. Aty erdhi një civil, që u paraqit si prokurori, e na kërkoi akt-akuzat. I’a dhamë. Mbas gjysëm ore i pruni prap. E shikova. Ishte një kopje tjetër. Pashë se nuk përmbante fjalët: “…I dorzuem në bazë të ligjit…”. Menjëherë i thashë:

-Nuk qenka ajo, nuk përmban se jam dorzue.

-Njësoj janë – m’u përgjigj dhe filloi të bisedojë me Hamdinë.

-Ti Hamdi, ke qenë Qark-Komandant në Elbasan. Kush e vrau prefektin Musa Puka?

-Ajo dihet, Petrit Hakani – u përgjigj Hamdia.

-Jo, ajo mbeti mister.

-Unë kam qenë Qark-Komandant dhe e di mirë – insistoi Hamdia

-Jo, jo – bërrtiti dhe ndërroi bisedë.

Mandej na kthyen në burg, tue na thanë se u bë vonë e gjyqi do të bahet nesër.

Të nesërmen, gjatë rrugës për në gjyq, Hamdia më tha:

-Prokurori qenka vetë, Petrit Hakani.

-Ashtu mora vesh edhe unë – i’u përgjigja.

Gjatë rrugës, mbas xhamave të një balkoni, pashë kokën e një femne që shikonte drejt nesh. Kur i’u afruem, doli në balkon e trimnisht më tha: “Vjen sot”. Ishte prap ajo shoqja e motrës dhe sigurisht e kishte fjalën për motrën. Më erdhi mirë dhe ndjeva mirënjohje për një interesim që nuk e pritsha. Edhe atë ditë nuk u ba gjyqi e na kthyen.

Të nesërmen, gjatë rrugës, sytë i kisha te balkoni, ku kisha pa shoqen e motrës. E me të vërtetë pashë në balkon atë vajzën dhe vëllain tim, Filipin. U gëzova shumë, së paku njeni vëlla qenka i lirë. Dyshimi që më kishte bre për pesë muej u sqarue. Kryetar ishte Gjon Banushi prej Mallakastre. Mbas do pyetjeve rreth veprimeve të qeverive të kohës së pushtimit, kryetar lexoi një telegram drejtue Prefekturës së Vlorës, ku urdhnohej të kryhej një operacion në një fshat të atij qarku, të pushtuem prej komunistave, e që gjoja ishte firmosë prej meje. /Memorie.al

Vijon numrin e ardhshëm