Çifti i sipërmarrësve i BioNTech-ut, Özlem Türeci dhe Ugur Sahin nderohen me Kryqin Federal të Meritës. Themeluesit e grupit të bioteknologjisë e marrin çmimin për zhvillimin brenda një kohe të shkurtër dhe licensimin e një vaksine kundër Covid-19, siç njoftoi Zyra e Presidentit Federal. Türeci dhe Sahin kanë dhënë një “kontribut vendimtar për të kufizuar pandeminë e Coronas” përmes “përpjekjeve të tyre të palodhshme”, bëhet e ditur.
Dorëzimi i urdhrit më të lartë gjerman të meritës për çiftin sipërmarrës nga Presidenti Federal Frank-Walter Steinmeier do të bëhet në 19 Mars në Pallatin Bellevue, në prani të Kancelares Angela Merkel. Ky është dekorimi i parë që bën Presidenti gjerman këtë vit.
Fillimisht aktivë në kërkimet për kancerin
Çifti i mjekëve Türeci dhe Sahin e themeluan kompaninë BioNTech në vitin 2008 për të zhvilluar terapi kundër kancerit. Synimi i punës kërkimore të tyre ishte dhe është që në vend të kimioterapisë ose rrezatimit, trupi të trajnohet individualisht dhe posaçërisht për ta luftuar vetë kancerin. Për këtë qëllim, filloi zhvillimi i një procesi duke përdorur mARN, për të cilin kishte menduar që në vitet 1990 biologu dhe më vonë themeluesi i sipërmarrjes CureVac në Tyringen, Ingmar Hoerr.
Nga prilli i vitit të kaluar, BioNTech-u zhvilloi një vaksinë kundër virusit Sars-CoV-2 nën drejtimin e Türeci dhe Sahin. Edhe këtu u përdor teknologjia mARN. Vaksina, e quajtur BNT162b2, e mori licensën e saj të kushtëzuar për t’u tregtuar në BE në 21 dhjetor. Deri tani, vaksina konsiderohet të jetë një nga preparatetet më efektive kundër sëmundjes së rëndë Covid 19. Sipas një studimi laboratorik, vaksina është efektive edhe kundër varianteve të virusit që u shfaqën për herë të parë në Britaninë e Madhe dhe në Afrikën e Jugut.