Drejtoresha e ISHP-së, Albana Fico e ftuar në emisionin “Kjo Javë” në News 24 me moderatore Nisida Tufën foli për vendimin e Komitetit Teknik të Ekspertëve, i cili la në fuqi masat ekzistuese kufizuese, ndonëse e enjtja shënoi një numër rekord viktimash, 21 pacientë.
Fico u shpreh se një ditë e vetme nuk vendos kapakun që na mori lumi.
“U panë disa indikatorë, qëndrueshmëria e pozitivitetit të mostrës, ulja e numrit të të infektuarve për ditë, qëndrueshmëria e humbjes së jetës në periudha të caktuara. Këto vijnë si pasojë e masave të marra. Ne e ndjekim hap pas hapi situatën. Këto janë vendime shumë të vështira. Humbjet e jetëve na bëjnë të drithërohemi, por një ditë e vetme nuk vendos kapakun që na mori lumi. Kemi më shumë raste të intubuara ndaj po hapim spitalet rajonale për ta përballuar këtë lloj situate, pra që rastet më të lehta të mbahen atje. Na mbetet të vëzhgojmë dhe informojmë publikun”,- tha Fico.
Por a është marsi muaji vendimtar për përhapjen apo frenimin e virusit.
“Do jetë shumë e vështirë ta thuash do jetë marsi apo ishte shkurti. Në këtë javë të shkurtit po shikojmë sikur po hyjmë me këmbë të mbarë në mars”.