MENU
klinika

Nga Andi Bushati

Pse Rama i trembet më shumë të vetëve

04.03.2021 - 13:11

Nëse do të kuptosh atë që Edi Rama ka vërtetë frikë, atëherë duhet të lexosh mes reshtave të fjalimeve të tij. Duke hapur “de facto” fushatën, me një one man show që i dedikohej kërcënimit të “arritjeve” të reformës në drejtësi nga një fitore e mundshme e opozitës, ai i u përpoq të ndërgjegjësonte, ata që për inat të qeverisë, mund të shkojnë në shtratin e armikut, apo që për inatin ndaj tij, mund të mos dalin fare në zgjedhje.

Pra, ashtu sikurse e ka paralajmëruar që në fjalimin e tij në Labinot, shefi i rilindjes, që është një lexues frenetik sondazhesh, më shumë se gjithçkaje i trembet abstetnimit të socialistëve dhe votës së protestës së shtresës gri.

Sado që kundërshtarët dhe kritikët e tij shpesh e paraqesin si një delirant të arratisur nga realiteti, Edi Rama po dëshmon se është i ndërgjegjshëm për thembrën e vet të Akilit. Ai e ka kuptuar se kyçi i këtyre zgjedhjeve nuk gjendet tek një opozitë e dobët e pa aftë të frymëzojë, por te vota kundër, tek inati i akumuluar me pushtetin, tek mbingopja me njeriun e kudogjendshëm, që e shohin prej dy mandatesh në kryeministri, apo që e paguajnë pandërprerje me paratë e tyre, që nga ajo ditë e largët e 23 viteve më parë kur hyri në politikë për të mos i’u shkulur më kurrë posteve publike (ministër, kryebashkiak, kryeministër) .

Edhe në kuptimin historik duhet pranuar se Rama ka të drejtë. Zgjedhjet në Shqipëri kanë dëshmuar se votuesit i drejtohen kutive më shumë me mllefin për të dënuar ata që janë, sesa me shpresën ndaj atyre që do të vijnë.

Kështu, rotacioni i madh i 2013 nuk ndodhi për arsyen se çifti Rama-Meta, që shqiptarët e kishin provuar prej fillimit të këtij shekulli, u përkundte ndonjë ëndër të lumtur. Ata i kishin ende parasysh këto figura të telendisura nga katharsisi, që kishin abuzuar me pushtetin e PS-së, që për sharjet, ofendimet e akuzat që kishin nxjerrë nga goja kundër njëri- tjetrit do i kishte zili edhe baxhella më e rëndomte e lagjeve tona.

Pra tetë vite më parë shqiptarët nuk votuan me besim, por me inat. Ata nuk pritën PS dhe LSI-në, ata ndëshkuan “të gjitha fajet e Saliut” dhe mbretërimin e tij arrogant në pushtet.

Pak në mënyrë më të ndryshme edhe rrotacioni i 2005, u bë për të njëjtat shkaqe. Ai pati në thelb heqjen qafe te kleptokracisë banale nanoiste, ndonëse çmimi për ta bërë këtë ishte rikthimi i rikthimi në pushtet i Berishës, për largimin e të cilit në ‘97-ën ishte derdhur jo pak gjak.

E njëjta fabul është prezente edhe sot. Ndonëse bashkimi PD LSI është po aq aftificial, ndonëse ato nuk nuk e kanë rishikuar aspak të shkuarën e tyre, ndonëse nuk kanë ofruar asnjë garanci për të nesërmen, kyçi i këtyre zgjedhjeve mund të jetë inati, revolta, padurimi, neveria, përçmimi dhe lodhja e votuesve me njeriun që i rri prej tetë vitesh mbi krye. 25 prilli rrezikon të jetë dita e ndëshkimit para asaj të shpresës, raporti me të tashmen, para atij me të ardhmen, çasti i çmontimit dhe jo i ndërtimit, akti i revanshit dhe jo urtësia e reflektimit.

Pikërisht këtij fenomeni, që lidhet sa me të sotmen po aq dhe me traditën e afërt, i trembet Edi Rama.

Ai nuk ka frikë as opozitën dhe as rivalët direkt. Ai më shumë i trembet të tijëve. Ai tutet nga të majtët që ka zhgënjyer dhe nga shtresa gri që ka shkelur me këmbë. Sot ai ndihet i tradhëtuar nga ata që ka shpërfillur dhe harruar. Prandaj tani po i përgjërohet që ta hedhin pas krahëve inatin me të dhe me qeverinë, kur ti drejtohen kutive të votimit

Mijëra familje pa energji elektrike

Kaos në Britani nga stuhia ‘Bert’!

Vangjeli: Sky ECC u përdor nga politikanë, ministra e gjyqtarë…

“Prokuroria ka në dorë ‘ditarin’ e botës së errët të krimit”

“Bllokim total i Tiranës! Qytetarët do të vuajnë, por…“

“Mosbindja civile” protestë më 26 nëntor, Paloka zbardh skenarin