Nuk kam ndërmend që nëpërmjet këtyre 60 punëve që kam rreshtuar më poshtë, t’i jap kryeministrit Edi Rama më shumë merita seç i takojnë. Ai është vetëkritik dhe si i tillë mëse një herë ka shfaqur pakënaqësi për shumë sektorë që kanë problematika.
Ama, teksa shoh e dëgjoj çdo ditë Partinë Demokratike dhe kryetarin Lulzim Basha që përpiqen të thonë se “përgjatë 8 viteve të fundit nuk është bërë asgjë ndaj Rama nuk e meriton një mandat të tretë”, e ndjej si detyrë qytetare që t’i kujtoj atij se jo vetëm që janë bërë shumë gjëra që përpara vitit 2013 as që mund të imagjinoheshin, por tashmë ato janë kthyer në diçka kaq normale saqë të krijojnë idenë se kanë ekzistuar edhe në të kaluarën.
Në fakt, Rama ka sjellë një model qeverisës që, me të mirat e të këqijat e tij, do të jetë busulla referuese për shumë qeveri pasuese. Natyrisht, këtu kam parasysh qeveri vizionare, e jo dallkaukësh e gjumashësh.
Pa u zgjatur në hyrje, sepse edhe pikat e mëposhtme janë goxha shumë, dua të theksoj se këto janë një pjesë thelbësore e shumë punëve e nismave që janë kryer këto 8 vite. Ka shumë të tjera që nuk po i përmend, midis të cilave spikat projekti madhor i korridorit rrugor blu Adriatiko- Jonian nga Murriqani në Fier.
Gjithsesi, edhe këto që po rendis mjaftojnë për të krijuar një ide të qartë që ajo çfarë artikulon opozita për “zero punë” është, në rastin më të mirë, zili për të mos pranuar realitetin dhe për të mos dëshpëruar elektoratin e saj. Nuk duhet harruar fakti domethënës se dy vitet e fundit të qeverisjes, të cilat duhet të ishin kulmi i arritjeve, i mori angazhimi madhor njerëzor dhe financiar për pasojat e tërmetit dhe atyre të pandemisë.
1. Nisja e aksionit për të luftuar punën në të zezë, duke futur në skemën e sigurimeve shoqërore mijëra të pasiguruar. Kjo kategori do t’ia ndjejë efektin ditën kur të mbushë moshën për pension.
2. Zgjidhja e problematikës së pronësisë së kompanisë “CEZ Shpërndarje”, pasojat e së cilës do të ishin katastrofike për sistemin energjitik dhe atë financiar shqiptar. Në këtë kontekst, e nxorri sektorin energjitik nga gjendja e kolapsit financiar duke i dhënë mundësinë OSHEE të kryejë investime kolosale në linja të reja shpërndarje 20Kv. Po ashtu, u zhbllokua edhe linja e interkonjeksionit Shqipëri- Kosovë, një projekt i bllokuar nga qeveria “Berisha”.
3. Futi në popull mentalitetin që energjia është mall që duhen paguar, përndryshe, nëse e vjedh futesh në burg dhe nëse nuk e paguan rri në errësirë.
4. Heqja e mentalitetit që shteti ka frikë të hyjë në “republikën” e Lazaratit. Në 8 vite qeverisje vetëm 1 vit (2016) i doli situata nga kontrolli, pjesa tjetër është histori suksesi në luftën kundër kanabisit. Në kuadrin e sigurisë publike, përgjysmoi statistikat e vrasjeve vjetore.
5. Nisi procesin e urbanizimit të qyteteve dhe zonave bregdetare, duke krijuar një plan kombëtar investimesh nëpërmjet Fondit Shqiptar të Zhvillimit, për t’i kthyer këto qytete në atraksione turistike. Nga veriu në jug janë me qindra shembuj pozitivë të cilët u kanë dhënë këtyre qyteteve një pamje bresëlënëse, çka ka sjellë jo vetëm shtimin e turistëve vendas e të huaj, por edhe rritjen e vlerës së pronës.
6. Nxiti investimet në ruajtjen e trashëgimisë sonë kombëtare në qytete historike si Gjirokastra e Berati, duke i restauruar ato në mënyrë kapilare përfshi këtu edhe Pazarin e Vjetër të Korçës, qendrën historike të Vlorës, etj. Gjithashtu ndërhyri në disa kala si ajo e Krujës, Tepelenës, etj. Po ashtu u ndërhy në shumë fshatra në kuadër të programit kombëtar “100 fshatrat”, siç ishin ndërhyrjet transformuese në Dhërmi, Vuno, Nivicë e dhjetëra të tjerë.
7. Futi tek sipërmarrësit vendas dëshirën për të investuar në bujtina dhe agroturizëm, terma këto të panjohur deri në vitin 2013. Ky sektor mori një hov cilësor dhe, po të mos kishte hyrë në mes pandemia, sot do flisnim me numra dyshifrorë përsa i përket milionit të turistëve.
8. Rriti ndjeshëm eksportin në prodhimet bujqësore dhe ato të akuakulturës. Gjithashtu u financuan shumë vepra ujitëse dhe kulluese të tokave bujqësore. U nxit hapja e qendrave të grumbullimit të prodhimeve bujqësore si dhe u mundësua nafta pa taksa për peshkimin dhe bujqësinë. Me grante qeveritare dhe ato nga BE, financoi mijërave fermerë, blegtorë, e shumë kultura të tjera, nëpërmjet skemave mbështetëse të AZHBR-së.
9. Digjitalizoi nëpërmjet platformës qeveritare “e-Albania” shumicën dërrmuese të shërbimeve qeveritare, duke i kursyer shqiptarëve, brenda dhe jashtë kufijve, kohë dhe lekë për marrë dokumentet që u nevojiten. Nxiti krijimin e qendrave digjitale të teknologjisë së lartë për fëmijë e të rinj sipas modelit “Tumo”, tek Piramida.
10. Ndaloi ndërtimet kaotike dhe pa leje ndërtimi, të cilat jo vetëm sillnin rrezikshmëri nga tërmetet, por njëkohësisht prishnin edhe harmoninë urbane.
11. I dha sportit tri stadiume moderne (Elbasan, Shkodër, Tiranë), ndërkohë që në vitin 2014 Shqipëria rrezikonte t’i luante ndeshjet jashtë vendit. Po ashtu edhe një qendër të re sportive të lojërave me dorë në Tiranë.
12. Nxiti ndërtimin e një aeroporti në Kukës, ka në proces ndërtimi atë në Vlorës dhe në horizont është edhe ai i Sarandës. Negocioi me sukses uljen e çmimeve tek aeroporti i Rinasit.
13. Pas dy dekadave shterpësi, e bëri sërish Shqipërinë me flotë ajrore, me emër dhe flamur shqiptar, “AIR Albania”.
14. Po bën më të mirën e mundshme për të përballuar pasojat e pandemisë, duke lobuar personalisht për të siguruar vaksinat më cilësore, për të cilat është në luftë tregtare një botë e tërë.
15. Bëri reformën administrativo- territoriale me 61 bashki, duke “fshirë” 308 komuna parazitare, shumica dërrmuese e të cilave nuk siguronin të ardhura as për rrogat e personelit, e jo më të investonin në infrastrukturë.
16. Po kryen investimin më të madh në ujësjellësit e bashkive, program që ka 2 vjet që po e bën pa shumë zhurmë mediatike.
17. U dha zgjidhje problematikave që trashëgoi nga Berisha në infrastrukturë si ajo e rrugës Tiranë- Elbasan dhe bypass-it të Fierit, si përsa i përket kontraktorëve të falimentuar, ashtu edhe projekteve pa cilësi. Përfundoi të plotë “Rrugën e Kombit” me të gjithë veprat e artit të munguara. Përmbylli të gjithë rrugët e lëna pa financim nga qeveria paraardhëse.
18. Nxiti rivënien në punë të industrisë së rëndë minerare dhe përpunuese të saj.
19. Po ndërton nga fillimi rrugën e Arbrit, atë të Lumit të Vlorës si dhe bypass-in e Vlorës.
20. Bëri projektin për të çarë tejetej me tunel Karaburunin, nga Dukati në Palasë, të cilin do ta financojë me paratë e buxhetit të shtetit.
21. Po i jep zgjidhje përfundimtare trafikut tek sheshi “Shqiponja” në Tiranë me një nënkalim gjigant, si dhe është në proces zbatimi, e deri diku në përfundim, ¾ e Unazës së Madhe të Tiranës.
22. Do ndërtojë me financime arabe dy porte te reja mallrash në Durrës dhe Vlorë si dhe do kthejë në porte turistike jahtesh dy ekzistueset e këtyre qyteteve, ku ai i Durrësit do të jetë më i madhi në Mesdhe.
23. Investoi fuqishëm në shëndetësi duke ngritur nga themelet spitale ku spikat spitali i ri 6 katësh i Sëmundjeve të Brendshme në QSUT dhe po aty, Pediatria e re, dhe dhjetëra të tjerë në qarqet kryesore. Po kështu janë ngritur nga e para ose rikonstruktuar qindra qendra shëndetësore me ambiente dhe aparatura moderne si kurrë më parë, në kuadër të planit kombëtar të rehabilitimit të 300 qendrave shëndetësore.
24. Ofroi shërbim universal falas për kontroll shëndetësor për shumicën e popullatës si dhe hoqi shumë tarifa pagesash nëpër poliklinika dhe spitale. Këtu duhet bërë dallimi midis ryshfetin që pacienti i jep mjekut, me tarifën zero që merr shteti për shërbimin e ofruar.
25. Ngriti Shërbimin e Urgjencës Kombëtare, një njësi që nuk njihej si terminologji në Shqipëri. Kjo njësi elitare sot është e aftë të të thotë se cili person ka telefonuar, datën dhe orën, çfarë sëmundje ka pasur dhe çfarë trajtimi mori. E paimagjinueshme kjo përpara 8 viteve kur ky shërbim ofrohej i veçuar për çdo qytet dhe vetëm me një telefon fiks që nuk e ngrinte kush, me regjistra në letër e me autoambulanca që në fakt ishin thjesht furgona rifuxho.
26. Futi shërbimin e urgjencës 24 orësh në sistem spitalor, ndërkohë që dikur, në qeverisjen e doktor Berishës, ishte e pamundur që një pacient të operohej pasdite, ose fundjavave e festave zyrtare.
27. Ndërtoi në QSUT një qendër moderne të magazinimit të barnave duke digjitalizuar edhe procesin e regjistrimit të tyre.
28. Hapi pas shumë vitesh ndërprerje, specializimet në sektorin shëndetësor si dhe ofroi bonus përmbi pagën bazë për të gjithë ata mjekë specialistë që punonin larg vendbanimit të tyre.
29. Arriti të mbajë angazhimin e vitit 2017 për të ndërtuar një spital të ekselencës në Fier, i cili do të jetë pararendësi i reformës madhore për autonomi menaxhimi në spitalet publike ku mjeku të mos paguhet më me rrogë fikse, por në bazë të ngarkesës në punë.
30. U mundësua vendosja falas e lenteve të syrit (kataraktit), duke i kursyer çdo pacienti së paku 700 dollarë.
31. Çdo bebe që vjen në jetë iu ofrua një bonus me tri nivele, 40, 80 dhe 120 mijë lekë. Gjithashtu leja e lindjes për t’u kujdesur për fëmijën iu njoh edhe prindit mashkull.
32. Ndërtoi nga themelet dhjetëra shkolla me arkitekturë moderne dhe të pa hasur kurrë më parë në shkollat publike shqiptare. I pajisi ato me laboratorë kimie, fizike e informatike, si dhe me palestra sportive, të cilat kishin dalë të tepërta në kohën e Berishës.
33. Futi konceptin e rekrutimit në sistemin arsimor dhe atë shëndetësor nëpërmjet renditjes në portalet “Mësues/ Mjek/ Infermierë/ për Shqipërinë”, duke zhdukur në maksimum futjen e elementëve nga listat e partisë.
34. Hoqi nga sistemi arsimor qindra tekste alternative parazitare duke futur si lëndë në arsimin parauniversitar tekste nga universitetet më të mira të botës (Oxford, Cambridge dhe Pirson).
35. U dha mundësinë maturantëve që, më të mirët në renditjen e rezultateve mësimore, të zgjedhin të parët degën studimore universitare që dëshirojnë.
36. Mbylli “universitetet” fantazma që prodhonin studentë me diploma pa vlerë për tregun e punës ose që ishin diplomuar pa shkelur kurrë në tokën shqiptare siç ishte rasti i djalit të politikanit italian, Umberto Bossi dhe po përpiqet të sjellë në Tiranë një filial autonom të Universitetit Teknologjik të Stambollit, një nga më cilësorët në botë.
37. Mbylli kazinotë e lojërat e fatit ku linin rrogën mijëra shqiptarë si dhe lloto-t sportive poshtë çdo pallati që ishin bërë burim rekrutimi në rrugën e bixhozit për çdo adoleshent.
38. Solli dinjitet në politikën e jashtme duke mos pasur asnjë ndjenjë inferioriteti përballë homologëve të huaj.
39. Lidhi si kurrë më parë marrëdhënie konfidencialiteti me shumë liderë të botës, gjë që i dha Shqipërisë tjetër dimension në arenën ndërkombëtare.
40. Për herë të parë Shqipëria drejtoi me dinjitet në kushte pandemie, një prej organizatave më të mëdha e më rëndësishme ndërkombëtare (OSBE) dhe është duke lobuar fort për një ulëse si anëtare jo e përhershme në Këshillin e Sigurimit të OKB-së
41. Promovoi në detyra të larta shtetërore (ministra e zëvendësministra) shqiptarë të Kosovës, por edhe kritizerë mediatik të tij, në rangje zëvendësministrash.
42. Stabilizoi financat e shtetit ndonëse në kushte pandemie dhe të pasojave nga tërmeti, gjë që u reflektua rregullisht në raportet e institucioneve ndërkombëtare të vlerësimit (S&P) apo kur doli në tregjet e Eurobondit. Në kontrast të fortë me qeverinë “Berisha” e cila në fund të mandatit të saj, u detyrua që për mungesë fondesh për pagat e administratës dhe financime të tjera, të shesë hidrocentralet fitimprurëse Bistrica 1&2 në Sarandë, Ulzë e Shkopet në Mat, si dhe godinën e hotel Dajtit.
43. Hoqi tatim fitimin për biznesin e vogël më xhiro deri 140 mijë dollarë dhe e la pa TVSH atë me xhiro deri 100 mijë dollarë.
44. Nisi procedurën dhe e finalizoi me sukses procesin për ndërtimin e hekurudhës Tiranë- Rinas- Durrës. Ka vizionin për ta lidhur hekurudhën shqiptare me Maqedoninë e Veriut dhe Selanikun si dhe të rehabilitojë lidhjen me Malin e Zi.
45. Ndonëse ishte për 4 muaj rresht i rrethuar tek dera e kryeministrisë nga bombat molotov të opozitës, nuk shtiu pushkë ndaj popullit opozitar, ndonëse paraardhësi i vetë të vriste po ta qëlloje me gurë mermerin e kryeministrisë.
46. Në fushatën elektorale për zgjedhjet vendore u sulmua në Shkodër me molotov nga njerëz të drejtuar nga kryebashkiakja e qytetit, por nuk e shkarkoi atë nga detyra, ndonëse ajo ka 2 vjet që ka uzurpuar detyrën. Ndërkohë që për analogji, në vitin 2012 Berisha nuk njihte si kryetar të qarkut Fier përfaqësuesin socialist të zgjedhur me votë dhe të certifikuar nga gjykata, duke krijuar në atë kohë situata artificiale provokimi politik.
47. Për çdo 3 të ftuar në debatet televizive të mbrëmjes, 2 janë përfaqësues ose mbështetës të opozitës. Nuk ekzistonte ky raport përpara vitit 2013, gjë që është tregues i lirisë së medias. Në këtë fushë, pati vendosmërinë për të detyruar pronarët e mediave të kalonin nga sistemi analog i transmetimit televiziv, në ata digjital, duke u ofruar shqiptarëve rritjen e numrit të stacioneve televizive dhe cilësi figure. Po në këtë kuadër, dolën rishtas në transmetim televizione që financohen prej kundërshtarëve të tij më të mëdhenj.
48. Me një shumicë kushtetuese në Kuvend mund të bënte çdo lloj ligji që i vinte për mbarë, por deri në sekondën e fundit negocioi me opozitën e rrugës dhe e futi indirekt në sistem, pa i pasur asaj asnjë borxh. Ndërmori një reformë zgjedhore ku harmonizoi interesat e opozitës brenda e jashtë parlamentare dhe, sigurisht, interesat e partisë që drejton e cila përfaqëson nga zgjedhjet e shkuara 48 për qind të elektoratit shqiptar.
49. I ofroi liderit të opozitës, si asnjë kryeministër tjetër këto 30 vjet, mundësinë e takimit me çdo personalitet të huaj që vizitoi Shqipërinë. Kësisoj, zëri i opozitës u transmetua drejtpërdrejt tek çdo qeveritar i huaj. Edhe në Kuvend i dha me ligj hapësirë të barabartë për të folur po aq sa lideri i shumicës.
50. Nuk e përfoli kurrë kundër opozitën dhe liderin e saj në takimet me të huajt, brenda apo jashtë Shqipërisë, ndonëse kishte 1001 arsye ta bënte këtë, sidomos kur opozita ndërmerrte akte ekstreme vandalizmi.
51. Vizitoi personalisht çdo pëllëmbë të Shqipërisë, si asnjë kryeministër tjetër, duke parë me sy e dëgjuar me veshë çdo problematikë, aty të terren. Pra, i iku burokratit të zyrës që krijon një mit të kryeministrit si një udhëheqës që takohet vetëm në ceremoni zyrtare.
52. Firmosi marrëveshje me qeverinë amerikane për ndërtimin e një hidrocentrali të ri në kaskadën e Drinit, i cili do të rregullojë përfundimisht të gjithë problematikën që sjellin reshjet e dendura të shiut në zonën e Shkodrës dhe Lezhës. Gjithashtu, siguroi një investim gjigant francez për parkun më të madh të energjisë diellore në rajon, me një kosto çmimi shumë të favorshëm.
53. Avancoi me vendosmëri procesin e legalizimeve, kompensimit të ish të përndjekurve politikë, si dhe reformën e tokës për ish-pronarët.
54. Ngriti një sërë muzesh që tregojnë krimet e komunizmit siç janë: “Bunk’Art1” e “Bunk’Art 2” si dhe Muzeu i Gjetheve. Po në këtë fushë, shpëtoi mijëra negativë filmi të fototekës “Marubi”, duke i krijuar kushte bashkëkohore muzeale në një godinë dinjitoze në Shkodër. Po ashtu, nxorri në dritë mijëra ikona dhe vepra artistike me karakter fetar, të cilat u ekspozuan në një godinë të re në Korçë. Në këtë qytet rijetëzoi nga degradimi Muzeun e Arsimit.
55. Krijoi një institucion të munguar për dy dekada, i cili informon çdo të interesuar mbi personat që i kanë spiunuar ata apo familjarët e tyre gjatë kohës së komunizmit. Po aty certifikohet çdo i individ që kërkon të vërtetojë që ka qenë ose jo bashkëpunëtor i organeve të sigurimit.
56. Priti me ceremoni shtetërore eshtrat e Mit’hat Frashërit, një prej kundërshtarëve më të mëdhenj të regjimit komunist si dhe rehabilitoi shtëpinë e At Gjergj Fishtës, dy akte që qeveria “antikomuniste” e Berishës nuk guxoi t’i ndërmerrte.
57. Zhduku vatra të rrezikshme ndotje siç ishin fushat e tmerrshme të mbetjeve në Elbasan, Tiranë, Fier dhe Durrës, duke ofruar përpunim sipas metodave më të avancuara botërore të trajimit të mbetjeve urbane për të katër këto qarqe.
58. Përballoi me kompetencë dhe ndjenjë njerëzore tërmetin shkatërrimtar të vitit 2019, duke strehuar fillimisht brenda 48 orësh mijëra të pastrehë nëpër hotele luksoze, u paguan sot e kësaj dite bonus qiraje atyre, si dhe po u jep falas shtëpi me çelësa në dorë, si askund tjetër në botë e cila operon me kredi të buta.
59. Siguroi për pasojat e tërmetit grante dhe kredi që në raport me raste të ngjashme nëpër botë, konsiderohet si një histori suksesi për Shqipërinë.
60. Ndërmori inisiativën qysh në programin e vitit 2013 për të bërë kryereformën e të gjitha reformave, atë në drejtësi, sektor të cilën e kishte kapur prej gryke politika dhe një korporatë gjykatësish dhe prokurorësh të korruptuar dhe e realizoi atë qysh në mandatin e parë, duke ngritur institucionin e vetting-ut që kontrollon pasurinë, profesionalizmin dhe integritetin e pjesëtarëve të drejtësisë, i cili largoi nga ky sistem shumë prej atyre që konsideroheshin të paprekshëm. Në mandatin e dytë u ngritën institucionet e reja të reformës dhe në mandatin e tretë merr trajtën e plotë kjo reformë edhe me nisjen nga puna të Byrosë Kombëtare të Hetimit.
Në përfundim kam këtë thirrje për Lulzim Bashën! Bëj sa të duash kritika kundër Edi Ramës, nxirr në pah çdo lloj problematike, premto çdolloj marrëzie të pamundur për t’u realizuar, ama, dreqi e mori, hiqe atë shprehjen bajate të një gjumashi për “zero punë” nga Rama. Këto punë e shumë të tjera në proces, mos i ngatërro me shkollat që “ndërtove” ti si kryebashkiak i Tiranës.
Kompleksi i inferioritetit nuk duhet ta bëjë një kandidat për kryeministër as cinik e as nihilist. Dyshoj se ka aq vullnet sa të dalë përtej shkollës politike të Berishës, ndaj sërish do të mbetet një humbës i merituar.