MENU
klinika

Shaban Murati: Kambanë alarmi për ‘Detin’

Çfarë sinjali jep për Shqipërinë një tender për eksplorimin e hidrokarbureve në Mesdheun Lindor?

11.03.2021 - 12:37

Ngutja në diplomaci prodhon fruta të papjekura diplomatike, të cilat dëmtojnë interesat e shtetit që ngutet. Këtë maksimë te vjetër diplomatike po e provon në kurrizin e saj Greqia, e cila po shikon se ngutja e saj për të nënshkruar një marrëveshje gjysmake detare me Egjiptin në 6 gusht të vitit të kaluar po komprometon atë marrëveshje të nxituar. Nuk kanë kaluar shtatë muaj nga dita e nënshkrimit pompoz të marrëveshjes për delimitimin e zonave ekonomike ekskluzive midis Greqisë dhe Egjiptit dhe marrëveshja ka nisur të fusë ujë.

Gazeta greke “Ekathimerini” njoftonte në 28 shkurt se në tenderin, që hapi qeveria e Egjiptit për eksplorimin e hidrokarbureve në zonën e saj ekonomike në Mesdheun Lindor, Egjipti ka respektuar demarkimin e përcaktuar nga Turqia dhe nuk ka zbatuar marrëveshjen detare të saj me Greqinë, që nënshkroi në gusht 2020. Hartat e botuara në 18 shkurt 2021 nga ministria përkatëse egjiptiane përgjegjëse për tenderin ndërkombëtar në zonën ekskluzive ekonomike egjiptiane të Mesdheut Lindor evidentojnë respektimin e atyre kufijve të shelfit kontinental dhe të zonës ekonomike ekskluzive, që Turqia ka përcaktuar dhe ka depozituar në Kombet e Bashkuara. Portali grek “The Indicator” shkruante me këtë rast se hapësirat e një zone të tenderit në planin eksplorues të Egjiptit janë përcaktuar sipas pretendimeve turke dhe jo sipas marrëveshjes me Greqinë.

Injorimi nga Egjipti i marrëveshjes detare me Greqinë nuk mund të mos kishte jehonë diplomatike rajonale dhe ndërkombëtare, sepse evidentonte pabazueshmërinë e pretendimeve detare greke ndaj gjitha shteteve të pellgut të Mesdheut, gjë që e vuri diplomacinë greke në pozitë të komprometuar. Qeveria dhe diplomacia e Turqisë menjëherë e përshëndetën qëndrimin e Egjiptit për të respektuar kufijtë e hapësirave detare të Turqisë. Ministri i jashtëm turk, Mevut Çavushoglu, deklaroi në 3 mars se Turqia e përshëndet qëndrimin e Egjiptit për të mos ndërhyrë në Zonën Ekonomike Ekskluzive të shënuar nga Turqia: ”Egjipti vazhdon të respektojë shelfin tonë kontinental.

Ne e mirëpresim këtë pozitivisht”. Ministri turk i mbrojtjes, Hulusi Akar, në 6 mars deklaroi se “Respektimi nga Egjipti i shelfit kontinental të Turqisë, ndërsa bën eksplorimet e veta sizmike në Mesdhe, është një zhvillim shumë i rëndësishëm”. Në dritën e këtij zhvillimi të ri ministri i jashtëm turk në emër të qeverisë së tij shprehu gatishmërinë për të zhvilluar bisedime dhe për të nënshkruar një marrëveshje për juridiksionet detare midis Turqisë dhe Egjiptit. Portali “keeptalkingreece.com” shkruante në 7 mars se “njoftimi i Egjiptit për të zhvilluar tender për eksplorimin e hidrokarbureve në Mesdheun Lindor duke njohur zonën ekonomike ekskluzive të demarkuar nga Turqia, mund të jetë shenjë e një marrëveshje të mundshme mes Ankarasë dhe Kajros për këtë çështje”.

Qëndrimi egjiptian i tenderit ndërkombëtar për eksplorimin e hidrokarbureve në Mesdheun Lindor me respektimin e kufijve të zonës ekonomike ekskluzive turke dhe me zhvleftësimin me këtë rast të marrëveshjes detare greko-egjiptiane, është një goditje e rëndë për diplomacinë e Greqisë dhe personalisht për ministrin e saj të jashtëm Dendias. Gazeta greke “Ekathimerini” shkruante në 8 mars se “Greqia është e shqetësuar se një nga blloqet e tenderit ndodhet në lindje të meridianit 28 dhe ndjek kufijtë jugorë të shelfit kontinental të Turqisë siç përshkruhen në notën e saj verbale drejtuar OKB në 13 nëntor 2019”. Qeveria greke u ngrit në alarm dhe vetëm disa orë pas deklaratave të ministrit të jashtëm turk për respektimin nga Egjipti të zonës ekonomike ekskluzive të Turqisë dhe për mundësinë e një marrëveshje detare midis Turqisë dhe Egjiptit, kryeministri grek Kiriakos Micotaqis me urgjencë i telefonoi presidentit të Egjiptit Abdel El Sisi, ku sipas zëdhënësit të presidentit egjiptian, të dy diskutuan “bashkëpunimin në fushën e energjisë dhe çështje të Mesdheut Lindor”, që do të thotë se tematika e bisedimeve ka qenë zhvillimi i ri i mosfunksionimit të marrëveshjes detare Greqi-Egjipt. Fakti që Egjipti nuk u prononcua fare lidhur me çështjen e kufijve detarë të eksplorimeve të hidrokarbureve në zonën e tij ekonomike ekskluzive në detin Mesdhe, tregon se Egjipti i përmbahet qëndrimit, për të cilin e përshëndeti Turqia. As vetë Athina nuk bëri ndonjë përgënjeshtrim të hartës egjiptiane të Mesdheut Lindor, e cila respekton demarkimin turk të zonës ekonomike ekskluzive dhe nuk zbaton marrëveshjen detare greko-egjiptiane të gushtit 2020.

I vënë në një pozitë të vështirë personale, diplomatike dhe politike, ministri i jashtëm grek Dendias po përpiqet të manovrojë në planin propagandistik, duke deformuar thelbin e zhvillimit të ri. Sepse janë dy çështje në këtë mes. E para është që Egjipti nuk zbatoi marrëveshjen detare me Greqinë për zonat ekonomike ekskluzive në Mesdheun Lindor, por respektoi hartat turke. Çështja e dytë është që Turqia shprehu gatishmërinë për të bisedime për një marrëveshje detare me Egjiptin. Dendias për të mbuluar dështimin e tij po flet vetëm për çështjen e dytë dhe po përpiqet që opinioni grek të mos mësojë gjë për çështjen e parë, që është kryesore. Në 8 mars Dendias shpalli me eufori se Egjipti nuk do të nënshkruajë marrëveshje detare me Turqinë dhe se harta tenderit është “çështje e pastër teknike”. Natyrisht shefi i diplomacisë greke e din fare mirë se kufijtë e zonave ekonomike ekskluzive midis dy shteteve nuk janë çështje teknike, por janë çështje sovraniteti, sepse për to diplomacia greke ka afro 20 vjet që zhvillon bisedime me Egjiptin, dhe zhvilloi 43 vjet bisedime diplomatike me Italinë për marrëveshjen dypalëshe të zonave ekonomike të nënshkruar në 9 qershor 2020.

Qeveria dhe diplomacia greke janë tronditur se marrëveshja e re greko-egjiptiane e para shtatë muajve për zonat ekonomike ekskluzive në Mesdheun Lindor nuk po funksionon. Ajo ishte një marrëveshje që Greqia e kërkoi me ngutje dhe motivi i ngutjes ishte emocioni i madh antiturk i qeverisë dhe i diplomacisë greke në vitin 2020, kur u angazhuan në një aksion diplomatik me goditje të përqendruar për të nënshkruar sa më shpejt dhe sa më shumë marrëveshje të zonave ekonomike me disa shtete të Mesdheut, për të demostruar staturën e saj efemere të një fuqie të madhe mesdhetare. Në funksion të ngutjes për arritjen e këtij objektivi diplomatik Athina bëri zmbrapsje të mëdha nga qëndrimet e veta dhe pranoi kushtet e Italisë dhe të Greqisë që në marrëveshjet e tyre detare dypalëshe ishujt grekë të mos merreshin në konsideratë në vijëzimin e zonave ekonomike. Praktikisht në dy marrëveshjet e mësipërme Greqia pranoi pozicionin e Turqisë, e cila prej kohësh i mbahet pikëpamjes se ishujve nuk u takon as shelf kontinental dhe as zonë ekonomike ekskluzive. Ministri i jashtëm turk e pat deklaruar vitin e kaluar se Greqia me marrëveshjet detare me Italinë dhe me Egjiptin pranonte qëndrimin turk për ishujt dhe doli se ai kishte te drejtë.

Me Egjiptin Greqia nënshkroi një marrëveshje, e cila nuk merrte në konsideratë as efektet e ishujve të mëdhenj grekë si Kreta dhe Rodos në delimitimin e zonës ekonomike ekskluzive. Marrëveshja u kërkua me ngut nga Greqia. Pikërisht për këtë marrëveshja zyrtarisht u quajt “Marrëveshje e pjesshme për zonat ekonomike ekskluzive” dhe interesante është se Athina nuk e tha kurrë se ishte marrëveshje e pjesshme, kurse Kajro e deklaroi qysh në fillim se ajo ishte një marrëveshje e pjesshme.

Ngutja e diplomacisë greke për të nënshkruar në vitin 2020 të tensioneve më Turqinë marrëveshjet për zonat ekonomike me Italinë dhe me Egjiptin synonte që të paraqitej Athina si model bashkëpunimi ndërkombëtar me shtetet e Mesdheut, përveç Turqisë. Marrëveshjet detare greke të vitit 2020 u inkuadruan në fushatën diplomatike greke për të krijuar grupe, aleanca, forume dhe organizma me ato shtete, që kishin acarime me Turqinë. Veprimi i diplomacisë greke shfaqej si një yshtje për të ngritur artificialisht tensionet në pellgun e Mesdheut. Diplomacia greke e hijes së mëngjesit doli me absurditete diplomatike si marrëveshja për Mesdheun Lindor me Emiratet e Bashkuara Arabe apo projekti për aleancë greko-indiane për inat të miqësisë turko-pakistaneze. Por dinamika dhe gjeopolitika e botës moderne nuk ndërtohet me inatet bizantine dhe ballkanike të një shteti të vogël si Greqia.

Egjipti, sado probleme ideologjike apo fetare të ketë me Turqinë, e kupton se në planin gjeopolitik nuk mund të ndërtojë arkitekturën e tij të sigurisë në Mesdhe në armiqësi me Turqinë dhe me rrugën e gabuar ku tenton ta joshë Greqia. Në plan perspektiv dhe strategjik, për Egjiptin Turqia është më e rëndësishme se sa Greqia. Ndaj të dy shtetet e mëdha të Mesdheut, Turqia dhe Egjipti, nisën në fundvitin e kaluar hapat e afrimit midis tyre. Presidenti turk Erdogan njoftoi se ka pasur takime të krerëve të shërbimeve sekrete turke dhe egjiptiane. Sipas burimeve mediatike, të dy palët kanë hartuar edhe një hartë rrugore të afrimit midis tyre. Në këtë kuadër duhet parë edhe vendimi i Egjiptit për të respektuar kufijtë detarë të shelfit kontinental dhe të zonës ekonomike ekskluzive, që Turqia ka përcaktuar dhe ka depozituar në OKB, dhe për ta lënë anash marrëveshjen detare të nënshkruar me Greqinë në gusht 2020.

Greqia shikon se ka një dinamikë te re diplomatike mesdhetare. Franca, aleatja e zhurmshme e Greqisë në tensionet e Greqisë me Turqinë verën e vitit të kaluar, ka tani reflektime të reja gjeopolitike dhe në janar 2021 presidenti francez Makron i dërgoi një letër presidentit turk Erdogan, ku i thekson rëndësinë që ka Turqia për Europën dhe i kërkon bisedime për rregullimin e marrëdhënieve franko-turke. Presidenti i Francës dhe presidenti i Turqisë kanë rënë dakord që të zhvillojnë një takim midis tyre. Greqia pa gjatë tensioneve të vitit të kaluar në Mesdheun Lindor se as SHBA, as Gjermania, as NATO dhe madje as BE, nuk ranë në kurthin e reagimit të nxituar antiturk që këmbëngulte Athina.

Realiteti i mosfunksionimit të marrëveshjes detare midis Greqisë dhe Egjiptit është tregues i qartë i dështimit të metodave të nxituara diplomatike greke, ashtu dhe i kordonit sanitar emotiv antiturk në Mesdhe. Marrëveshja detare greko-egjiptiane po fut ujë dhe provon të këqijat e mëdha të ngutjes në diplomaci. Pikërisht kjo duhet të shërbejë si këmbanë e madhe zgjimi për qeverinë e Shqipërisë, e cila në bisedimet dhe në marrëveshjet detare me Greqinë është ngutur në mënyrë katastrofike, duke dëmtuar rëndë interesat kombëtare. Qeveria e vitit 2009 e përfundoi marrëveshjen detare me Greqinë në 9 muaj, kurse qeveria e vitit 2018 e përfundoi marrëveshjen detare me Greqinë në 6 muaj. Rekorde negative botërore, që nuk ka për t‘i thyer kurrë në praktikën dhe në marrëdhëniet diplomatike ndonjë shtet sovran. Ngutje të pafalshme shqiptare në vitin 2020 qenë pranimi aprioristik i vendimit grek për të zgjeruar ujërat territoriale në ishujt grekë përballë Shqipërisë, si dhe pranimi i presionit grek për të çuar në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë marrëveshjen e anuluar të detit të viti 2009, të retushuar nga diplomacia e vitit 2018. Janë hapa vetëvrasëse shqiptare, ku presioni i gjithëllojshëm grek infektoi me virusin e nxitimit qeverinë e Shqipërisë. Një ngutje, ku qeveria dhe diplomacia shqiptare do të vjelin frutet e hidhura të dëmtimit të integritetit dhe të sovranitetit kombëtar.

Qeveria dhe diplomacia e Shqipërisë duhet të analizojnë thellë marrëdhëniet dhe zhvillimet e reja detare në Mesdheun Lindor dhe Perëndimor. Egjipti nuk e bazoi tenderin e vet ndërkombëtar detar në marrëveshjen detare me Greqinë, sepse është shtet i madh dhe mundësitë dhe instrumentet e Athinës për presion ndaj Kajros janë afër zeros. Por në raport me Shqipërinë një marrëveshje detare e dëmshme dhe me lëshime territoriale detare favorizon shtetin më të fuqishëm ekonomikisht, demografikisht dhe ushtarakisht, Greqinë. Ndaj Tirana, pavarësisht se e ka prerë biletën për në trenin e gabuar të Hagës duhet ta grisë biletën dhe të rishikojë strategjinë dhe platformën e saj të marrëveshjeve në prapaskenë me Athinën “për kufijtë detarë, për shelfin kontinental dhe për zonën ekonomike ekskluzive”. Gjithmonë kanë kohë që të pendohen qeveria dhe diplomacia shqiptare për ngutjen e pafalshme dhe infantilizmin e tyre diplomatik dhe detar./Dita

Mijëra familje pa energji elektrike

Kaos në Britani nga stuhia ‘Bert’!

Vangjeli: Sky ECC u përdor nga politikanë, ministra e gjyqtarë…

“Prokuroria ka në dorë ‘ditarin’ e botës së errët të krimit”

“Bllokim total i Tiranës! Qytetarët do të vuajnë, por…“

“Mosbindja civile” protestë më 26 nëntor, Paloka zbardh skenarin