MENU
klinika

Ndeshje për herë të parë

FSHF zyrtarizon miqësoren e dytë në qershor

12.03.2021 - 11:31

FSHF zyrtarizoi një ndeshje tjetër miqësore të kombëtares. Bëhet fjalë për një takim më 8 qershor, kur kuqezinjtë do të përballen me Republikën Çeke në transfertë. Pra, miqësorja do të luhet në Pragë, mbetet për t’u përcaktuar vetëm orari dhe stadiumi. Kjo do të jetë ndeshja e parë në histori e Shqipërisë me Republikën Çeke.

Në të kaluarën Kombëtarja shqiptare ka zhvilluar 5 duele me Çekosllovakinë, nga të cilat 3 miqësore dhe dy ndeshje të vlefshme për eliminatoret e Kampionatit Europian.

Më 17 shtator 1950, Çekosllovakia fitonte ndaj Shqipërisë 3-0 në miqësoren e luajtur në Pragë, ndërsa më 29 nëntor 1952 Kombëtarja fitonte 3-2 ndaj çekosllovakëve në ndeshjen e luajtur në stadiumin “Qemal Stafa”.

Vetëm pak ditë më vonë, më 7 dhjetor 1952, Shqipëria zhvilloi një tjetër ndeshje miqësore me Çekosllovakinë, duke triumfuar sërish, me rezultatin 2-1. Dy përballjet e fundit mes Shqipërisë dhe Çekosllovakisë janë zhvilluar më 1 maj 1991, ku Kombëtarja jonë u mund nga çekosllovakët me rezultatin 0-2 në Tiranë dhe e dyta më 16 tetor 1991 me Çekollsovakinë që fitoi 2-1.

Të dy takimet ishin të vlefshme për eliminatoret e Europianit 1992. Në vitin 1993, Çekosllovakia do të shpërbëhej për të krijuar dy shtete, Republikën Çeke dhe Sllovakinë. Qysh prej asaj kohe Shqipëria dhe Çekia nuk janë përballur me njëra-tjetrën.

Çekët aktualisht renditen në vendin e 42-të në klasifikimin e FIFA-s. Kjo do të jetë ndeshja e dytë e përfaqësueses shqiptare brenda pak ditësh, teksa më 5 qershor kuqezinjtë do të sfidojnë Uellsin në ndeshjen që do të luhet në “Cardiff City Stadium” dhe do të nisë në orën 18:00.