Kosova zyrtarisht ka hapur Ambasadën e saj në Jerusalem, njoftoi të dielën, më 14 mars, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Kosovës.
“Në pamundësi për të qenë prezentë në Jerusalem, përfaqësuesit e shtetit të Kosovës, për shkak të situatës pandemike, Ministria e Punëve të Jashtme ka udhëzuar të Ngarkuarën me Punë në Izrael që pllakën e zbuluar nga ministri (i Jashëm i Izraelit, Gabriel) Ashkenazi, bashkë me flamurin shtetëror, ta vendosë në objektin e Ambasadës së Kosovës në Jerusalem”, thuhet në njoftimin e MPJD-së.
MPJD-ja thotë se me hapjen e hapjen e Ambasadës së saj në Jerusalem, Kosova ka përmbushur zotimin e dhënë më 1 shkurt, kur të dyja shtetet vendosën marrëdhënie diplomatike.
“Ambasada e Republikës së Kosovës në Jerusalem do të përkushtohet fuqimisht për të rritur bashkëpunimin bilateral dhe për forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar të shtetit të Kosovës”, thotë Ministria e Jashtme dhe e Diasporës.
Vendosja e marrëdhënieve diplomatike ndërmjet Kosovës dhe Izraelit u bë në kuadër të Marrëveshjes së Uashingtonit të 4 shtatorit, 2020.