Në një prononcim për mediat presidenti Ilir Meta foli mbi planin e tij për mbrojtjen e votës së qytetarëve në 25 prill, duke u shprehur se me të do të njiheni në ditët që vijnë.
“Të gjithë të mbajnë larg duart nga votat e qytetarëve shqiptarë”, theksoi sërish presidenti në mesazhin e tij.
“Seç përmban ky paln do të njiheni në ditët që vijnë, çdo shqiptar i ndershëm dhe patriot, pavarësisht nga bindjet e tij partiake, është 100 për qind dakord me presidentin, që nuk duhet të vihet më dorë mbi votën e qytetarëve shqiptarë, sepse prandaj jemi në këtë situatë kaq të rëndë, që udhëheqim në nivel botëror për shpopullimin e vendit, pikërisht sepse niveli i funksionimit të shtetit, respektimit të Kushtetutës, lirisë dhe barazisë në zgjedhje është katandisur në këtë situatë.
Kështu që të gjithë t’i mbajnë larg duart nga votat e qytetarëve shqiptarë, të gjithë të kontribuojnë për një fushatë sa më civile dhe evropiane, të gjithë të paraqesin alaternativat e tyre. Është pozitive që përveç forcave politike, keni mundësi si qytetarë të shpreheni edhe për kandidatin e preferuar duke dhënë një mesazh të qartë për zgjedhjet dhe të ardhmen. Drejtuesit e partive duhet të zgjedhin dhe të promovojnë njerëz me integritet në Kuvendin e Shqioërisë”, u shpreh kreu i shtetit.
Presidenti Ilir Meta foli nga sheshi “Nënë Tereza”, ku u shfaq në krah të disa aktivistëve duke iu bashkuar nismës për shpalljen Park Kombëtar të lumit Vjosa.