MENU
klinika

Vizita në Parlamentin Evropian

Abazoviç: S’jemi qeveri ‘pro-ruse’ duam integrimin evropian

17.03.2021 - 17:08

Vizita e zëvendëskryeministrit të Malit të Zi, Dritan Abazoviç në Parlamentin Evropian nuk kaloi pa deklarata të mëdha besnikërie ndaj BE-së, edhe pse qeveria e tyre jo rrallë herë është konsideruar si filo-ruse.

 “Ka shumë njerëz që shprehen që jemi qeveri ‘pro ruse’, por ne kemi vetëm një qëllim, integrimin evropian dhe nuk do të lëvizim asnjë centimetër nga kjo,” – u shpreh Dritan Abazoviç.

Në diskutimin e tij zëvëndëskryeministri malazez tha se ekonomia malazeze është goditur rëndë nga koronavirusi,  më së shumti për sa i përket turizmit.

“Dihet tashmë që vendi ynë është shumë i varur nga sezoni turistik. 25% e GDP-së tonë vjen nga turizmi dhe e dimë që ky sezon nuk do të jetë si ai i vitit 2019, kërkojmë ndihmën tuaj që të nisë vaksinimi masiv dhe të krijoni Korridorin e Gjelbër për vendet e Ballkanit Perëndimor,” – tha zëvendëskryeministri i Malit të Zi.

Në fund të diskutimit të tij, Abazoviç u shpreh që qeveria e re do të punojë shumë për sundimin e ligjit dhe lirinë e medias.