Rregullatori shëndetësor i Evropës pritet të japë sot vendimin mbi sigurinë e vaksinës AstraZeneca kundër koronavirusit.
Shtetet kryesore evropiane e kanë pezulluar këtë javë përdorimin e kësaj vaksine, pas raporteve se disa individë të vaksinuar, kanë pësuar mpiksje gjaku.
Por, pavarësisht pezullimit, Agjencia Evropiane e Barnave ka thënë se nuk ka prova që e lidhin vaksinën me incidentet me mpiksje gjaku.
“Derisa hetimet vazhdojnë, ne jemi ende të bindur se përfitimet e vaksinës AstraZeneca në parandalimin e koronavirusit, i tejkalojnë rreziqet”, ka thënë shefja e Agjencisë Evropiane të Barnave, Emer Cooke.
Edhe Organizata Botërore e Shëndetësisë u ka bërë thirrje vendeve që të mos e ndalojnë vaksinimin me AstraZeneca.
Kompania AstraZeneca, që ka zhvilluar vaksinën në bashkëpunim me Universitetin e Oksfordit, ka thënë se më pak se 40 raste të mpiksjes së gjakut janë raportuar që nga java e kaluar.
AstraZeneca ka thënë më herët se siguria e ilaçit është studiuar gjerësisht gjatë provave klinike.