MENU
klinika

Folku minierë ari

“Gajdexhiu”… hit në Kinë, e panjohur në Shqipëri!

18.03.2021 - 17:05

         Flet këngëtari i talentuar mirditor, Artan Kola:

– Kohë pandemie kënga ka ngrirë

 – Këngëtarët po luftojnë për mbijetesë

– Në Kinë kënga e gajdexhiut edhe sot është ndër më të dëgjuarat

– Në radion nacionale kineze çdo ditë jepet gjysmë ore këngë nga Shqipëria.

– Më Kinë ndiqeshin filmat shqiptarë me luftë nga çdo moshë

– Tish Daija qau kur dëgjoi këngën e gajdexhiut, kur e këndova të ripunuar

– Kjo këngë ishte më e dashura për Tish Dainë, realizuar më 1962

– “Dasma e malësorit”, është kënduar për herë të parë, nga Sali Brari

Nga Albert Z. ZHOLI

Kjo situatë i ka mbërthyer në krizë këngëtarët dhe pse ata vazhdojnë të krijojnë dhe të përcjellin në intrenet këngët e tyre të reja. Por, kjo nuk mjafton. Artanit u mungon aktiviteti i gjallë, takimet me fansat, atmosfera e mbrëmjeve me këngë. Fillimet e tij në këngë i përkasin vitit 1981, vit prej të cilit, ai, këngën e ka bërë pjesë të pandarë të jetës. Por dhe pse është i ftuar në shumë aktivitete brenda dhe jashtë atdheut, në pafundësi dasmash dhe aktivitetesh, kënga e preferuar e tij, kënga që i dha famë, dhe u kthye në hit, mbetet kënga “Bjeri gajdes, gajdexhi”, këngë të cilën ia solli ndërmend një vajzë kineze.

Si po e përjeton këtë periudhë, Artan? A po krijon dhe a ka po atë ritëm jete?

Situata është jashtë çdo parashikimi. Një situatë që na ka mbërthyer deri në grykë. Një jetë pa këngë, pa aktivitete. E di çdo të thotë të heqësh këngën nga jeta në lokale, skena, studio, televizione? Do të thotë një jetë boshe, pa ritëm, pa emocion dhe dëshira. Na kanë ikur shumë shokë. Kënga e zbukuron jetën. I jep ngjyrat e ylberit. Kënga është ritëm, antistres, Pra thjesht jetojmë kohë pandemie ku kënga ka ngrirë. Këngëtarët po luftojnë për mbijetesë. Por prapë thurrim ëndrra, thurrim vargje dhe mendojmë për të ardhmen. Këngëtari gjithmonë jeton me armosferën e muzikës.

Megjithatë, le të ndalemi te krijimtaria juaj. Shumë këngë, shumë kërkesa ndaj vetes. Për ju, cilat janë këngët më të preferuara të repertorit tuaj?

Këngët, për këngëtarin, janë si fëmijët. Pra, janë si librat, për ju shkrimtarët. Shumë herë, nuk dua t’i dalloj. Por, duke parë çfarë kërkon më shumë publiku, atherë unë do të veçoja dy këngë: “Bjeri gajdes” dhe “Dasma malësore”. Të dyja kërkohen në çdo aktivitet timin, në fillim dhe në mbyllje, madje u kërkohet edhe këngëtarëve të tjerë, kur nuk jam unë. Munf të them, në disa raste i kam kënduar edhe tri herë. E pabesueshme, por e vërtetë.

Kjo këngë ka qenë e kënduar në sistemin monist. Një këngë që kishte disa karakteristika. Por, më befason sesi erdhi tek ju, kënga e gajdexhiut?

Të them të drejtën, as që më kujtohej. As e mbaja mend ndoshta dhe nuk kishte lënë gjurmë tek unë. Por, rasti mbreti i botës. Kjo këngë trokiti në mendjen time fare, fare rastësisht. Unë kam pasur një dyqan kasetash, në lagjen “21 Dhjetori”. Një ditë, vjen në dyqan një vajzë e re kineze dhe më flet në shqip:  Zotëri, dua këngën “Bjeri gajdes, gajdexhi” dhe “Dasma e malësorit”. Hapa sytë. Thashë se mos tallej. Por nga mënyra e kërkesës, ajo dukej shumë e sinqertë dhe shumë e prerë. Ngrita supet. Ajo duke parë habinë time më thotë se në Kinë, e para është një nga këngët më të dëgjuara. Thuajse një këngë hit. E shihja si i hutuar. Çuditë me atë femër, s’kishin të sosur. Më habiste për dijet që kishte për muzikën dhe filmat shqiptarë. Madje më tha sesi këto dy këngë, në Kinë shiheshin shumë dhe filmat shqiptarë. Mes tyre, më përmendi filmin “Malet me blerim mbuluar” dhe “I teti në bronz”. I njihte aktorët e këtyre filmave, më mirë se unë. O zot!

-Po si jeni njohur në fillim dhe ku i keni dëgjuar ju, këto këngë, e pyes? Ajo duke qeshur, më thotë: Në radion nacionale kineze, çdo ditë jepet gjysmë ore këngë nga Shqipëria, sidomos në vitet 1970 deri 1990. Këto këngë që po kërkoj dëgjohen shumë, shumë. Unë i kam dëgjuar me dhjetëra herë, më thotë. Këto dy këngë i veçoja, por kur erdha në Shqipëri i harrova në shtëpi. Mendoja se do t’i gjeja menjëherë, por nuk ishte e thënë. Ne i dëgjojmë, ju i keni harruar.

Duke dëgjuar kinezen simpatike, fillova të kërkoj gjithandej në dyqan, por gajdexhiun s’e gjeta. Pas shumë kërkimesh, në një cep gjeta këngën “Dasma e malësorit”, të kënduar nga Sali Brari.

-Kur kishte ardhur kinezja, në Shqipëri?

Rreth vitit 2000. Atëherë kur filluan të vijnë tregëtarët kinezë, te ne. Edhe ajo me një mikun e saj, kishin marrë një dyqan në zonën e Medresesb. Ishte shumë e apasionuar pas këngëve shqiptare dhe e donte shumë Tiranën. Me atë, befasoheshe në çdo moment.

-Pra, kinezja të vuri në punë për të gjetur “Gajdexhiun”. Ku dhe si e gjete këngën? Si e realziove në studio?

Sigurisht, më vuri në lëvizje. Madje, më befasoi me atë që më tha. Fillova kërkimet. Më vonë, kërkova në Radio Tirana, kërkova në miq dhe e gjeta. I mora të dyja këto këngë dhe fillova orkestrimet. Mendova të bëja një punë serioze. Unë dikur i kisha dëgjuar këto këngë, por asnjëherë s’më kish shkuar ndërmend, se do të kishin sukses. Duhej punë për orkestrim dhe përpunim. Fillova punën në mënyrë shumë serioze. Pas ca ditësh, në dyqan më vjen muzikanti Mond Mancaku me Tish Dainë. Ishte viti 2002. U prezantuam. Ishte kënaqësi që takova këtë kompozitor të madh. Përfitova nga rasti dhe i thashë prof. Tish Daisë: Profesor, kam ripunuar një këngë, a mund ta dëgjosh? – Po, – më tha. I vë këngën e gajdexhiut. Pasi e dëgjoi, më thotë, vendose dhe njëherë. E vendosa. Ai dëgjonte dhe filloi të lotonte. Pas pak, më thotë: A e din, se kush e ka bërë këtë këngë? – Jo, – i thashë. Kjo këngë është e imja. E kam kompozuar në vitin 1962. Në fund më thotë, “të lutem ma jep këtë CD, me autografin tuaj”. Ia dhashë. Iku i lumturuar. Fillova punën. Të dy këngët i realizova në studion time, ku i rendita në një album që po përgatisja edhe këngët e diskutuara. Të dyja këto këngë në album, që ishte albumi i dytë i imi. Kënga u ripunua dhe orkestrimi ishte më i plotë. Ky album u bë mollë sherri për dy televizionet “Top Chanel” dhe “TV Klan”. Pra, albumi “Bjeri këngës” u kthye në një hit. Ky album, vinte pas albumit “Nata e fundit”, që ishte me këngë greke dhe turke.

-E takove më Prof. Tish Dainë?

Po. Vinte vazhdimisht. Më thoshte, më ke zgjatur jetën me këtë këngë. Mendova se do humbiste, por jo! Më jepte udhëzime të ndryshme për këngët e mia, më bënte sygjerime shumë miqësore. Më tregonte sesi e bëri këngën e Gajdexhiut. Më tregonte për sukesin që pati dhe si humbi kënga. Ma tregonte mes lotësh. E shikoja se edhe ai e donte shumë këtë këngë. E shfaqte hapur kënaqësinë që ndjente për intepretimin e ri. E kishte realizuar në ato vite 1960, kur ende nuk kishte filluar fshesa ndaj muzikës shqiptare.

– Në fillimet e demokracisë, këngëtarët ndaleshin te këngët e huaja. Po ju përse e bëtë albumin e parë, me këngë të huaja?

Si të gjithë. Për komercializëm. Po. Deri në vitin 2001, populli ato këngë dëgjonte. Shumë këngëtarë deri në atë vit, me kaseta dhe CD e këngë të tilla, u bënë të njohur. Tani, çdo gjë ka ndryshuar. Preferencat, janë këngët popullore tonat. Edhe unë tashmë, vetëm me këngë shqiptare punoj, por të Shqipërisë së veriut.

Sa albume keni realizuar gjithsej?

Plot 5 albume, kryesisht me këngë popullore të Shqipërisë së veriut. Një album e kam bashkëpunim. Një këngë e kam me këngëtaren Fatmira Breçani. “Oj mollë e kuqe”…”Shqipëri o nëna ime”.

Si do ta komentonit folkun e Shqipërisë së veriut?

Folku verior është një perlë. Mund të them, se ky folk nuk është shfrytëzuar aspak. Së pari, sepse nuk kemi orkestrues dhe kompozitorë veriorë, që të njohin mirë këtë folk. Edmond Zhulali s’mund ta bëjë dot aktualisht, në kushtet e sotme, kur është i vetëm. Mirdita, Tropoja, Puka, Dibra kanë një folk aq të pasur, sa duhen vite që t’i eksplorosh. Është puna e kompozitorëve, detyra e tyre që të kërkojnë në këtë folk, që është si një minierë ari, për t’i zbuluar nga pluhuri i harresës.

Kush i këndon tjetër, këngët e veriut?

Remzi Osmani, motrat Mustafa, janë disa nga kosovaret që këndojnë folkun verior. Dhe i këndojnë bukur, duke shtuar dhe audiencën.

Sot po flitet shumë për muzikën tallava. Çfarë rryme është kjo dhe a pëlqehet kjo lloj gjinie muzikore?

Tallavaja është muzikë e grave maqedonase, në kufi me Bullgarinë. Këto këngë këndohen nga gratë në dhomat e shtëpisë, kur vishet dhëndri. Kjo lloj muzike është emigruar. Në fillim është marrë nga romët e Shqipërisë. Është një rrymë muzikore që edhe në Shqipëri, në vitet 1994 deri 2002, pati përhapje. Ndërsa sot është në modë kryesisht, në Kosovë dhe shqiptarët e Maqedonisë.

Si ju presin në Kosovë, apo në trevat shqiptare të Maqedonisë, a Malit të Zi?

Siç s’e merr me mend. Në këto vende, artisti respektohet. Na presin sikur të jemi princër. Janë popull që ka emigruar dhe dinë të vlerësojnë. Këtu respektohet më mirë politikani. Artisti shihet si mjeran.

Kur ke kënduar për herë të parë, Artan?

Kam kënduar në Festivalin e 22-të për Fëmijë, në Tiranë. Ishte viti 1981. Isha ende në shkollë 8-vjeçare. Vangjel Petushi dhe Robert Radoja, ishin organizatorët e festivalit.

Mendimi juaj, për këngën çame?

Ka përhapje, kohët e fundit. Unë s’i këndoj dot, ato këngë. Kanë veçoritë e tyre. Vetë kjo krahinë, ka këngëtarë të talentuar. Më vjen mirë, që këto këngë po gjejnë mbështetje dhe këndohen nga profesionistë.

Bjeri gajdes gajdexhi

(Varianti origjinal)

Nuk ka dasëm o, pa daulle,
nuk ka valle o, pa valltar,
ju këndoni edhe vallëzoni,
sot kjo dasëm mos të pushoj!
Bjeri gajdes gajdexhi,
bjeri mos të thahet dora,
gajdexhi o, djal i ri,
ooooo të erdhi oraaa!

Bjeri gajdes gajdexhi,
bjeri mos të thahet dora,
gajdexhi o, djal i ri,
ooooo të erdhi oraaa!

Sot gezojnë të gjithë dasmorët,
hedhin valle edhe këndojnë,
po martojnë djalin e ri,
bjeri gajdes, oooo gajdexhi!

Bjeri gajdes gajdexhi,
bjeri mos të thahet dora,
gajdexhi o, djal i ri,
ooooo të erdhi oraaa!

Bjeri gajdes gajdexhi,
bjeri mos të thahet dora,
gajdexhi o, djal i ri,
ooooo të erdhi oraaa!

Varianti dytë i ripunuar

Sot ka festë e gjithë Shqipëria
Hidhet vallja e nuk pushon,
Gëzim plot shpërthen hareja,
Bjeri gajdes o mor djalooo (hejjj)

Ref
Bjeri gajdes gajdexhi,
bjeri mos të thahet dora,
gajdexhi o, djal i ri,
sot feston Kosova.

II

Po martohet malësori

Shtat palë lodra gjëmojnë malet,
K’ndon Malësia shend e verë,
Dhe gëzimi s’nalet, s’nalet,
Dasëm e madhe bahet n’verë.
Ref.:
Hej, hej, hej,
Po martohet malësori,
Çobaneshën mori.
Nusja e bukur bel’n e hollë,
Si shqiponja n’mal me borë.

*
Po bjen fy’lli çiftelia,
K’ndon Malësia shend e verë,
Mirëseardh’t ju pret Malësia,
Bukë e kryp e zemër t’bardhë.
Ref.:
Hej, hej, hej,
Po martohet malësori,
Çobaneshën mori.
Nusja e bukur bel’n e hollë,
Si shqiponja n’mal me borë.

"Kur jeni zënë për herë të fundit me gruan?"

Përgjigjet plot humor që jepte Dritëroi për Sadijen

“Pasuria që s’e blejnë dot paratë”

Libri për suksesin e vërtetë dhe rritjen personale

Ngjarja më e rëndësishme e popullit shqiptar

Dita e Alfabetit të Gjuhës Shqipe