Administrata fryhet në prag te zgjedhjeve. Megjithëse pandemia shkurtoi shumë vende pune, të dhënat nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, tregojne se Sektori i administratës shtetërore ka nisur të zgjerohet me ritme të larta që prej tremujorit të dytë të vitit 2018.
Në tremujorin e fundit 2020, janë punësuar mbi 8 mijë persona më shumë në krahasim me fundin e 2019.
Sipas të dhënave nga burimet administrative mbi punësimin në tremujorin e fundit të vitit 2020 numri i të punësuarve në administratën shtetërore arriti në 182.5 mijë persona, duke u zgjeruar me rreth 10 mijë persona, në raport me tremujorin e mëparshëm (rritje 6%) dhe mbi 8 mijë persona më shumë në krahasim me fundin e 2019-s (+4.7%) . Kulmin e pati në tremujorin e fundit të vitit 2020, duke shënuar rekord që nga viti 2005.
Pas vitit 2008 për shkak të kushteve të reja që solli kriza ekonomike, me përgjysmimin e rritjes ekonomike dhe rënien e të ardhurave buxhetore, reformat mbi administratën publike me qëllim uljen shpenzimeve publike vijuan.
Qeveria Rama 2 synoi të çonte më tej këtë reformë, pasi numri i ministrive në shtator 2017 arriti në 11 nga 16 të tilla që ishin para zgjedhjeve. Reforma u bë më arsyetimin e një qeverisje të vogël dhe efecientë.
Por teksa numri i ministrive dhe njësive administrative janë është ulur, shpenzimet publike dhe numri i të punësuarve në shtet janë rritur pikërisht në prag të zgjedhjeve të përgjithshme, ku PS kërkon mandatin e trete. Administrata publike është sektori i tretë më i madh, i cili përfshin 17 % të aktivitetit ekonomik. /News 24