Kryeministri Edi Rama ndodhet sot në Kukës ku ka parë nga afër procesin e vaksinimit të stafit mjekësor nga Kosova.
Kreu i qeverisë u shpreh se i vjen mirë se ky proces nisi rastësisht pas provokimit të presidentit serb Aleksandër Vuçiç. Rama e cilësoi edhe njëherë “hartë leshi” publikimin në rrjetet sociale të presidentit serb. Sipas Ramës, kjo dekadë do të jetë dekada e shqiptarëve.
“Ne ia kemi dalë ta çajmë rrethimin duke nënshkruar kontratë me Pfizer dhe duke pasur në dispozicion jo vetëm Pfizer por edhe AstraZeneca. Dje kanë qenë afro 42 mijë të vaksinuar. Do vazhdojmë edhe më shumë intensitet. Kemi në proces një tjetër marrëveshje për një sasi të konsiderueshme për të rritur ritmin.
Jemi shumë të vendosur të dalim nga ky tunel një orë e më parë dhe do të dalim në të njëjtën kohë me shumë vende të BE edhe pse u lajmë jashtë skemës.
Më vjen mirë që ky moment i fillimit të vaksinimit të mjekëve të Kosovës koicidoi me publikimin dje të një harte leshi, po e the shqip nga presidenti i Serbisë, është edhe për të qarë dhe të qeshur si u kthehet herë pas here provokimeve të mëdha. Që tregojnë se është ngërç i Serbisë. E ardhmja e shqiptarëve është në duart tona. Kam shumë besim se përtej ngatërresave ia dalim duke e penguar veten hera herës. Kjo do të jetë dekada e shqiptarëve”, tha Rama.