Në kuadër të Ditës Botërore të Sindromës Down, Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë Evis Kushi ka përcjellë një mesazh sensibilizues në rrjetet e saj sociale për të kujtuar rëndësinë e kësaj dite dhe përkujdesin që duhet t’i japim njerëzve të prekur me këtë sindromë.
Nëpërmjet disa fotove me Anisën e vogël, të cilën e ka takuar gjatë një vizite në shkollën speciale “Zëra Jete” në Elbasan, Kushi nënvizon emocionet dhe dashurinë që ka marrë nga vajza e vogël duke cilësuar se “sot më shumë se kurrë, njerëzit me Sindromën Down kanë arritur të thyejnë barrierat në arsim, punësim, sporte e në shumë fusha të tjera”.
Në fund të mesazhit, Ministrja Kushi shprehet: “Kjo ditë duhet të na kujtojë të gjithëve se këta fëmijë janë super të veçantë, prandaj duhet ta gëzojmë jetën bashkë me ta dhe t’i falim sa më shumë përkujdesje e dashuri”.