MENU
klinika

Nga Edmond Tupja

Një fans rilindas shembullor

21.03.2021 - 15:32

E njihja prej vitesh atë fans të Edi Ramës edhe si kryebashkiak, edhe si kryetar i Partisë Socialiste, edhe si kryeqeveritar këto tetë vitet e fundit. Ai ushqente një adhurim të pakushtëzuar për idhullin e tij deri në atë pikë saqë pohonte haptas se po ta kishte bërë Zoti femër, do t’i kishte luajtur gjithë gurët për t’u martuar me të.

Kur Edi Rama mori në dorë timon-tepsinë apo tepsi-timonin e Bashkisë së lakmueshme të kryeqytetit, fansi në fjalë deklaroi se ishte gati të jepte pa më të voglin ngurrim jo vetëm jetën e vet, por edhe atë të krejt familjes e të farefisit të vet në mënyrë që idhulli i tij ta ngrinte Tiranën në një shembull të trëndafiltë të parajsës moderne si model të paqortueshëm për t’u ndjekur symbyllur e gojëhapur nga të gjithë kryebashkiakët e të gjithë kryeqyteteve të rruzullit tokësor. Gjatë asaj periudhe, ai shpesh shihte në ëndërr sikur transformohej në qenujk për të vigjëluar natë e ditë te dera e Bashkisë së Tiranës jo thjesht për të përzënë qentë e rrugëve që të mos shurronin apo jashtëqitnin rrëzë mureve të Bashkisë apo, largqoftë, te shkallët e saj, të cilat lumturoheshin sa herë që i shkelte këmba hyjnore e Kryetarit, por edhe për ta mbrojtur idhullin e tij duke shqyer çdo armik, të dukshëm e të padukshëm, që do të guxonte sadopak të vinte në rrezik jetën e çmuar të kryebashkiakut kreshnik të pamposhtur, në krahasim me të cilin Gjergj Elez Alia do të dukej xhuxhmaxhuxh; në ëndërr e shihte gjithashtu veten duke i thurur lavde e vargje idhullit të tij, vargje të tipit “O popull, këndoji, këndoji Edi Ramës, shpëtimtarit të Tiranës, / Madhërishëm ngrije hero në qiell / Ta kenë zili hënë e diell!”.

Kur, pas disa vitesh, Edi Rama u lartësua madhërishëm në postin e ëndërruar të kryeministrit, fansi në fjalë (nuk më kujtohet mirë nëse quhej Mufit apo Shefit Rapi), u çmend pas ngjyrës rozë të flamurit të Partisë Socialiste, u anëtarësua triumfalisht në të dhe nisi të merrte pjesë rregullisht dhe plot entuziazëm në tërë tubimet, manifestimet dhe veprimtaritë e tjera të organizuara bujshëm nga Partia dhe idhulli i tij gjenial.

Mirëpo, ç’është e vërteta, ndonëse, ndryshe nga të tjerët që e quanin piktor idhullin e tij, ai parapëlqente ta quante pikturist (madje një herë i shkau goja dhe shkronjën “k” të kësaj fjale e zëvendësoi me një shkronjë shumë sexy), ai nuk arriti ta kuptonte përse Edi Rama ngjyrën rozë të Partisë Socialiste e zëvendësoi me ngjyrën manushaqe, por befas, një ditë, i ra fort ballit me pëllëmbë sepse iu kujtua që virgjërinë ai, Mufit apo Shefit Rapi, e kishte humbur me një bashkëfshatare, Manushaqen, për të cilën pëshpëritej se kishte punuar ca kohë për një bos italian me emrin Semafor; mjaftoi ky kujtim që fansi ynë të bindej se idhulli i tij nuk bënte asgjë kot, kështu që, rrjedhimisht, kur një shok i organizatës bazë, në gjirin e së cilës bënte jetën e Partisë, i tha se ajo ngjyrë nuk quhej më manushaqe, por mavi, ai (Mufit apo Shefit Rapi) nisi ta pëlqente aq shumë këtë fjalë, mavi, pra, saqë, iu fut punës ta transformonte dhomën e vet duke i lyer me bojë mavi jo vetëm muret e tavanin, por edhe derën, dollapin e rrobave, krevatin me dy komodinat e tij, kurse së ëmës, me zanat rrobaqepëse, iu lut t’i qepte ca çarçafë e faqe jastëku gjithashtu mavi; të nesërmen, vetë vajti gati në periferi Tiranës te një treg rrobash të përdorura, ku bleu xhinse, pulovra, këmisha, mbathje, çorape, një xhakavento (që e veshi në çast) dhe një palë atlete të tëra mavi; mandej nxitoi të kapte autobusin, ku papritmas dalloi, ngjitur me shoferin, po, po, nuk po i bënin sytë, dalloi… (Kë do të thoni ju, lexuese dhe lexues kureshtarë?)

Po, sigurisht atë, Manushaqen! Iu afrua, i foli me një zë të përmalluar, ajo u befasua, e puthi në faqe dhe u skuq, ai gjithashtu, e puthi duke ndier që po skuqej jo vetëm në fytyrë. Këmbyen në çast numrat e celularëve – ngaqë ajo do të zbriste te stacioni i radhës – duke e lënë që të takoheshin diku për të pirë diçka.

Kur zbriti nga autobusi, gabimisht një stacion pas të vetit, aq shumë e kishte emocionuar takimi i rastësishëm me Manushaqen (Ajo patjetër duhej ta ndërronte emrin në “Mavie”, por edhe sikur të mos pranonte, ai gjithmonë do ta thërriste “Mavie”), pra, me të vënë këmbët në trotuar, hodhi vështrimin rreth e rrotull dhe mori në drejtim të së parës farmaci që i zunë sytë; la në çimento qeset e rënda me ngarkesën mavi dhe e pyeti farmacistin nëse kishin prezervativë me ngjyra.

Pasi mori një përgjigje pozitive, kërkoi një pako me prezervativa… mavi! Farmacisti rrëmoi në një sirtar, pastaj në një tjetër para se të kthente kokën për të thënë: “Jo, kemi vetë rozë, por punën njësoj e bëjnë”. Mufit apo Shefit Rapi rrëmbeu ngarkesën mavi dhe nxori nga goja këto fjalë: “Jo, ajo nuk quhet as Roza, as Trëndafile, por Manushaqe, d.m.th Mavie!”. Doli nga farmacia dhe vazhdoi udhën në këmbë deri sa sërish shqoi një farmaci, ku pati fat dhe bleu një kuti me tri copë prezervativa që e futi në xhepin e brendshëm të xhakoventës nga ana e zemrës. Në shtëpi hyri gjithë qejf, pazaret e bëra ia besoi së ëmës që t’i admironte, pastaj shkoi në banjë dhe, tek zbrazte fshikën e urinës, sytë i shkuan te rrotullamja e letrës higjienike, që ishte bojë rozë. “Ah! – tha me vete duke mbërthyer pantallonat, – më duhet patjetër të dal për të blerë letër higjienike mavi!”, i sigurt që edhe idhulli i tij i madhërishëm, mavi duhej ta kishte çdo gjë në Surrel, përfshirë edhe letrën higjienike.