Tre anëtarët e kryesisë socialiste, Mimi Kodheli, Pandeli Majko dhe Fatmir Xhafaj, nuk e refuzuan pozicionin në listën e kandidatëve për deputetë poshtë objektivit të PS-së për të marrë 20 deputetë. Pandeli Majko u rendit nga kryesia e PS-së i 19-ti në listën e Tiranës, Mimi Kodheli e 21-ta dhe Fatmir Xhafaj i 23-ti.
Ata tashmë kanë nisur betejën për të grumbulluar mbi 10 mijë vota në të gjithë qarkun, edhe pse më parë ata ishin vendosur për të punuar në zona të caktuara, Majko dhe Kodheli në Njësinë nr.5 në Tiranë, ndërsa Xhafaj në Njësinë nr.10. Por, janë plot 20 deputetë aktualë të Partisë Socialiste që nuk u rikandiduan për një mandat tjetër nga Kryeministri Rama.
Pjesa më e madhe e tyre u shpreh se nuk ishin larguar nga kryetari i PS-së, por ishte vendim i tyre personal për të mos rikandiduar. Një javë më parë, deputeti Musa Ulqini, jo pa emocione, tha se kishte afruar një model ndershmërie në politikë.
“Unë jam shumë i emocionuar të them sot që kam qenë shumë i nderuar që u kam shërbyer qytetarëve shqiptarë dhe socialistëve për 25 vite rresht. Dhe kjo pa diskutim është një nder që më është bërë mua dhe jam përpjekur që ta justifikoj duke ofruar një model në politikën shqiptare dhe gjithmonë jam udhëhequr nga parimi që ndershmëria është politika më e mirë”, ka deklaruar Ulqini.
Ndërkohë që deputetja Eglantina Gjermeni ka ripërsëritur arsyen e largimit të saj. “U largova vetë, kam gati një vit që ia kam thënë Kryeministrit që nuk do të jem më në listë. Ka qenë për arsye personale”, tha Gjermeni.
Ndërsa deputeti i Vlorës, Fate Velaj, ishte argumentuesi më i qartë i mënyrës se si është bërë lista e Partisë Socialiste për zgjedhjet e 25 prillit. “Partia Socialiste ka autorizuar Edi Ramën që të bëjë këtë rrugë të gjatë. Dhe i duhen njerëz për etapa të caktuara. Për këtë pjesë rruge unë isha i duhuri, në pjesën tjetër do marrë dikë tjetër. Nuk mund të mbajë të njëjtët njerëz deri në Kinë. Unë deri javës tjetër jam në Kuvend, do të pyes familjen për një vendim tjetër (kur pyetet për postin e kryebashkiakut), e cila jeton në Vjenë. Nuk e kam ndjekur dhe aq shumë përplasjen mes Lelit në Vlorë, deri në 6 shtator jam deputet, jam i fokusuar te fushata ime”, tha Velaj.
Gara ka nisur dhe kandidatët për deputetë po lobojnë në çdo zonë të qarkut për të marrë sa më shumë vota. Edhe tre anëtarët e kryesisë socialiste, Mimi Kodheli, Pandeli Majko dhe Fatmir Xhafaj janë para sfidës për të kapërcyer pragun penalizues të tyre, ku po kërkojnë mbi 10 mijë vota për të qenë në listën fituese të Partisë Socialiste. Në këtë përpjekje, duket se po i ndihmon edhe drejtuesi politik i qarkut të Tiranës, Erion Veliaj, njeriu që propozoi përbërjen dhe renditjen e listës së kandidatëve, i cili po i shoqëron ata në takimet në zona të ndryshme të Tiranës.
Në mbledhjen e kryesisë socialiste, zonja Kodheli kishte shprehur pakënaqësi për vendosjen e anëtarëve të kryesisë poshtë listës fituese dhe njerëz të ardhur nga LSI-ja në vendet më të favorizuara.
“Unë kam vetëm një problem, jam dakord me vendin 21, por mua më keni lënë vetëm 9 kuti, qendra votimi, për të cilat po punoj dhe është e pamundur që në këto 9 qendra votimi të mbledh vota që duhen për t’u bërë deputet. Vërtet më keni sjellë në qarkun e Tiranës, por nuk mund të jem pas një personi të ardhur nga LSI-ja, të cilit i keni dhënë një njësi administrative (largohet nga ‘Zoom’)”, u shpreh zonja Kodheli në mbledhjen e kryesisë.
Por, përgjigjja e drejtuesit politik të qarkut ishte inkurajuese. “Mimi e dashur, do të ndihmoj unë pa merak që të dalësh në media dhe të bësh fushatë në media që të marrësh vota”, mësohet të jetë shprehur Veliaj në mbledhjen e kryesisë, kur u miratua lista e kandidatëve. Në fakt, Veliaj ka dalë në fushatë me zonjën Kodheli, duke i caktuar asaj të mbulojë zonën e Farkës dhe duke i qëndruar pranë. Po ashtu, si Xhafaj ashtu dhe Majko kanë qenë nën shoqërinë e Veliajt në fushatën e Partisë Socialiste në qarkun e Tiranës.
SFIDA
Ish-ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli, shprehet optimiste se do arrijë të marrë votat e duhura për të qenë në listën fituese të PS-së. “Ne mund të thyejmë të famshmin herës apo prag, duke pasur eksperiencën, mbështetjen nga PS-ja dhe njerëz të tjerë, qytetarë që me parti nuk merren kurrë.
Besoj se nuk do të ishte e vështirë për ne për ta kapërcyer këtë prag dhe për të dalë nga ai pozicion në pozicione shumë më të larta. Shqetësimi im i vetëm është se krijohet ideja që jemi shumë vonë për t’ia shpjeguar publikut se si do të votohet. Fakti që nuk ka dalë ende fleta e votimit e bën këtë të vështirë.Besoj se një muaj nuk është i mjaftueshëm për t’i shpjeguar gjithkujt se si duhet votuar”, është shprehur Kodheli.
Ndërsa ish-kryetari i Komisionit të Posaçëm i Reformës në Drejtësi, Fatmir Xhafaj, është shprehur se e ka pranuar sfidën dhe se nuk e le luftën në mes. Teksa Reformën në Drejtësi e konsideron si shënjim të karrierës së tij politike, Xhafaj thekson se kjo reformë duhet të shkojë deri në fund, ose në të kundërt, siç thekson ai, “do të përfundojmë në mënyrë të pashmangshme në humnerën e pafundme të atyre që përpara se të prezantohen si alternativë”.
“E pranova sfidën për pozicionimin përtej kufirit të sigurisë së listës, si një detyrë e parevokueshme që kam ndaj qytetarëve dhe si një parim që kam në vetvete për të mos lënë në mes asnjë luftë, e sidomos atë më kryesoren që shënjon karrierën time politike: Reformën në Drejtësi”, shkruan Xhafaj në reagimin e tij në “Facebook”.
LELI REFUZOI TË ISHTE PJESË E LISTËS SË PS
Kryetari i Bashkisë së Vlorës, Dritan Leli, është shpallur “persona non grata” në Partinë Socialiste dhe fushatën e saj. Ai refuzoi propozimin e Kryeministrit Rama për të lënë mandatin e kryebashkiakut dhe përfshirjen e tij në listën e kandidatëve për deputetë, statusi i Lelit ka “ngrirë”. “Dritan Leli nuk është më pjesë e jona. Me mua dhe Damianin nuk do të dalë në fushatë. Nëse ka preferencë për ndonjë kandidat privatisht, le ta ndihmojë, por jo me ne”, mësohet të ketë thënë Rama dje në Vlorë në takimin me shtabin elektoral të fushatës.