MENU
klinika

"Shpresëdhënësi i Kosovës merr detyrën"

Si e raportuan mediat gjermane zgjedhjen e Kurtit kryeministër?

24.03.2021 - 09:51

Rizgjedhjen e Albin Kurtit kryeministër, shtypi gjermanofon e sheh si “shpresë” për gjeneratën e re, por ai thekson edhe sfidën tjetër, pritshmëritë e mëdha ndaj Abin Kurtit që premtim kryesor ka punën e drejtësinë.

Gazeta “Neue Zürcher Zeitung” në analizë të saj të mërkurën (24.03) me titullin “Shpresëdhënësi i Kosovës merr detyrën” shkruan, se gati në të njëjtën ditë pas rrëzimit të qeverisë së parë të Albin Kurtit, ai rizgjidhet kryeministër i Kosovës me një shumicë të ndjeshme votash dhe analizon sfidat e qeverisë së ardhshme.

“Në një kohë që Kurtit që shihet i pakorruptueshëm i besohet progresi në luftën kundër korrupsionit, arritja e objektivave sociale për shkak të mjeteve të kufizuara do të jetë më e vështirë. Një ndër sfidat më të mëdha të kryetarit të ri të qeverisë është sjellja në realitet e pritshmërive të mëdha të përkrahësve të tij. Pandemia e vështirëson këtë detyrë më shumë. Kosova ende nuk ka marrë asnjë dozë vaksine.”

Neue Zürcher Zeitung nuk i kushton vetëm vëmendje motos së Albin Kurtit, me të cilën ai zhvilloi edhe fushatën zgjedhore: “Punë dhe drejtësi”, por edhe konfliktit me Serbinë. Kurti e ka deklaruar, se nuk do të ketë normalizim të marrëdhënieve, në qoftë se Serbia nuk njeh pavarësinë e Kosovës dhe krimet e kryera.

Por “Serbia nën presidentin Vuçiq është larg të dyja këtyre hapave. Vuçiq së fundmi publikoi në Instagram një hartë të Kosovës me ngjyrat e flamurit serb. BE dhe SHBA, të cilat pas ndryshimit të pushtetit në Uashington sërish zhvillojnë një politikë të përbashkët për Kosovën, kërkojnë rifillimin e bisedimeve mes Beogradit dhe Prishtinës”, shkruan NZZ.

Edhe gazeta “Süddeutsche Zeitung” e komenton rizgjedhjen e Albin Kurtit si kryeministër i qeverisë së Kosovës.

“Në Kosovë aktualisht po kryhet një transformim i dyfishtë. Nga njëra anë merr fund përfundimisht dominanca politike e veteranëve të UÇK-së, luftëtarëve të dikurshëm të luftës për çlirimin nga Serbia në vitet 90-të. […]Mandati i parë i Kurtit zgjati vetëm 51 ditë, pastaj ai u rrëzua me ndikimin masiv të qeverisë së udhëhequr atëherë nga Donald Trump. Edhe në këtë kuptim rizgjedhja e Kurtit shënon kthesë: Ajo simbolizon fundin e një faze jologjike destruktive të politikës amerikane në Ballkan. Nën presidentin Joe Bideni, një njohës i rajonit dhe grackave të tij nuk priten ato ndërhyrje si nën Trumpin.[…]Për europianët Kurti nuk do të jetë një partner komod. Por ai është dikush që gëzon mbështetje të madhe në popullsinë e re të Kosovës.”

Radioja e njohur gjermane “Deutschlandfunk Kultur” zgjedhjen e Albin Kurtit e shikon si ndryshim gjeneratash në Kosovë. Albin Kurti shihet si shpresa e një gjenerate të re dhe premton punë dhe drejtësi.

“Tani varet nga ai, të çojë deri në fund ndryshimin e gjeneratave, që ai e kërkon prej 20 vjetësh. Ndoshta Kurti me kursin e tij të qartë ka shanse më të mira të negociojë me sukses me qeverinë e Serbisë, se elitat e vjetra. Por ai duhet edhe të provojë, se në post është i pakorruptueshëm dhe parimor, dhe që e çon me vetëmohim Kosovën drejt të ardhmes. Sfida është e jashtëzakonshme.”/DW

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


"Dialogu, sfida më e rëndë"

REL: Qeveria e re përballë sfidave urgjente