Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu dha këtë të mërkurë lajmin nga Kamza se “nga java tjetër besoj se fillojmë vaksinimin masiv”.
Gjithashtu edhe kryeministri Edi Rama tha se do presë edhe pak që të japë një lajm të mirë për gjyshet dhe gjyshërit shqiptarë.
Rama theksoi se objektivi kryesor në këtë situatë është nisja e vaksinimit masiv për të moshuarit.
“E kam në majë të gjuhës, por do ta mbaj edhe pak fare, për gjyshërit dhe gjyshet, të cilat janë pika e dobët e çdo familje nga pikëpamja e dashurisë dhe përkujdesit, por edhe nga pikëpamja e shëndetit janë pika e dobët. Fillimi i vaksinimit masiv për gjyshërit dhe gjyshet është fiksimi, ambicia dhe gjithë qëllimi i vajtjes time në punë gjatë gjithë kësaj periudhe, me ndihmën e Zotit, të miqëve dhe këmbënglujen tonë, besoj që lajmi i mirë do të dalë nga goja më në fund, edhe pak fare”, nënvizoi kryeministri Edi Rama.
Që prej fillimit të vaksinimit janë kryer në total 52,050 doza të vaksinës ndaj COVID19. Janë kryer 28,659 vaksinime për personelin shëndetësor dhe stafet mbështetëse, 8,889 vaksinime për të të moshuar dhe 14,502 vaksinime për arsimtarët.