MENU
klinika

Trajneri i Kombëtares

Reja: Nuk do eksperimentoj ndaj Andorrës

24.03.2021 - 18:45

Trajneri i Kombëtares shqiptare, Edi Reja, ka folur sot para ndeshjes kundër Andorrës, duke theksuar se ekipi është gati për të nisur këtë rrugëtim në kualifikueset e Botërorit me dëshirën për të bërë hapin e radhës.

“Nuk është se kemi pasur shumë kohë se ndonjë lojtar na ka ardhur me vonesë. Por kam përshtypjen që skuadra është mirë fizikisht. Herën e fundit kishim probleme, se jo të gjithë luanin, kishte probleme dikush nuk luante.

Ndërsa në periudhën e fundit shumë prej lojtarëve ishin titullarë dhe kjo më ka qetësuar. Jemi mirë, por do të dëshiroja të shihja një ekip të përqendruar se nuk duhet nënvlerësuar askush. Jemi ekip i mirë, por duhet përqendrim maksimal.

Nuk takoheshim prej 4 muajsh, por kemi mekanizëm që funksionon dhe duhet ta rifillojmë ku e lamë, që të bëjmë paraqitje të mira. Duhet të jemi të vëmendshëm ndaj Andorrës se mund të të vërë në vështirësi.

Ngjitja në Ligën e Kombeve duhet të jetë një stimul më shumë se shton përgjegjësinë dhe duhet treguar me skuadra më të forta. Ne pas Ligës së Kombeve kishim ndërgjegjësimin se jemi ekip i mirë, pavarësisht vështirësive dhe tani pritshmëria është për një rritje të mëtejshme.

Tani të shohim nëse kemi bërë hapin para apo nëse jemi ata të mëparshmit, tani mund të tregojmë vlerën tonë me skuadra konkurruese duke filluar nga ndeshja me Andorrën.

Formacioni është bërë, por duhet të shohim deri nesër situatën. Por skuadra është e bërë, nuk do të bëj eksperimente, do t’u besoj lojtarëve që kanë një lloj mentaliteti të ekipit, të paktën në këtë ndeshje, pastaj do të bëjmë ndryshime.

Ndaj edhe kam thirrur kaq shumë lojtarë. Ishin edhe Trashi e Balaj që më vjen keq që nuk i mora dot në konsideratë, por është një grup prej rreth 30 emrash që kam në konsideratë. Kemi krijuar këtë grup me të cilin të ecim përpara.

Praktikisht kemi bërë vetëm një stërvitje dhe punohet shumë keq, jo si në klub që ke mundësi. Duhet të gjesh zgjidhje, ndaj thashë do të besoj te lojtarët që njoh e nuk do të bëj eksperimente.

Objektivi? Nuk mund të merret në konsideratë ku mund të arrish, pres ndryshim mentaliteti, siguri të asaj që mund të bëjmë. Do të dëshiroja që skuadra të ketë kurajë, të marrë në konsideratë të gjithë, por të mos ketë frikë nga askush, një skuadër e ekuilibruar, sidomos në përqendrim.

Ajo që mund të bëjë që të kesh përqendrimin është se duhet të jesh i fortë mendërisht se nuk ke mundësinë si kur je në klub apo në kampionat e ke mundësi rikuperimi.

Nuk mund të gabosh asgjë, për ta bërë duhet të kesh vëmendjen deri në fund, nuk duhet të lëshosh asnjë centimetër derisa gjyqtari të vërshëllejë. Do të doja që skuadra të rritet në këtë aspekt.

Bajrami në fushë? Do të më pëlqente, por deri tani nuk kemi lajm se duhet pritur FIFA të vendosë se ai është i lindur në Maqedoni e i rritur në Zvicër.

Kalim është i gjatë, duhet pak durim. Shpresoj të arrijë kjo leje që ta aktivizojmë, jemi besimplotë se është lojtar që po bën mirë, interesant, ka shumë hapësirë përmirësimi, element që mund të na japë një dorë.

Ne kemi patur probleme dhe në Shqipëri me Andorrën, jo vetëm këtu. E njoh ekipin se e kam parë në veprim kundër nesh, pastaj e kam ndjekur në Ligën e Kombeve dhe mund të të vërë në vështirësi.

Bën presing të lartë, lë pak hapësira e niset me shpejtësi, punon mirë edhe në krahë, është skuadër e organizuar se mbyllet e hapet shpejt, duhet kujdes për të mos i lënë hapësira se është një skuadër që me të vërtetë mund të të vendosë në vështirësi”, – tha Reja.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


“Nisim eliminatoret me entuziazëm”

Reja: Në Itali janë 11.500 futbollistë shqiptarë