Eurodeputetja dhe raportuesja për Shqipërinë në Parlamentin Europian, Isabel Santos, deklaroi se raporti i Parlamentit Europian për Shqipërinë është pozitiv, ndërsa vendi e meriton përparimin në rrugën e integrimit në BE.
Në një intervistë për “European Western Balkan”, Santos thekson se “besoj se fakti që në raport ne mbështesim caktimin e konferencës së parë ndërqeveritare, është një sinjal shumë i mirë për qytetarët e Shqipërisë pasi ne besojmë se vendi është në rrugën e duhur në lidhje me procesin e anëtarësimit në BE. Siç e dimë të gjithë, shqiptarët janë një nga popujt më proeuropianë, prandaj ky është një përfundim shumë i rëndësishëm”.
“Ne gjithashtu bëjmë një sërë rekomandimesh për tema që unë besoj se janë shumë të rëndësishme për Shqipërinë dhe qytetarët e saj, si forcimi i dialogut politik dhe institucioneve demokratike, nevoja për të përmirësuar pjesëmarrjen e shoqërisë civile, rëndësia e rritjes së niveleve të mediave dhe rritja e masave konkrete për të adresuar rënien demografike dhe largimin e trurit, ndër shumë të tjera. Unë gjithashtu do të doja të nënvizoja thirrjen për të vazhduar përpjekjet e bëra për reformën në drejtësi dhe luftën kundër korrupsionit”, nënvizon Santos.
Ne, vijon ajo, i pranojmë përparimet e bëra deri tani, por theksojmë rëndësinë e këtyre reformave për mirëqenien e popullit shqiptar.
“Tani që Gjykata e Lartë dhe Gjykata Kushtetuese kanë rifituar funksionalitetin e tyre dhe SPAK tashmë po punon, është shumë e rëndësishme të vazhdohen këto reforma dhe gjithashtu edhe ato në administratën publike”, – tha Santos.
Lidhur me hezitimin e vendeve anëtare për të ndjekur këshillat e Parlamentit Europian për hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare Santos theksoi se “procesi i anëtarësimit është diçka që varet nga marrëveshja e çdo shteti anëtar, kjo është diçka që rezulton në një kombinim shumë të vështirë të faktorëve dhe që nganjëherë mund të çojë në ndonjë ngecje të procesit. Nuk mund të flas për arsyetimet e shteteve anëtare, por ajo që mund të siguroj është se ekziston një shumicë e madhe që njeh progresin e Shqipërisë në rrugën e pranimit dhe që është gati për caktimin e KPGJ-së së parë. Disa shtete anëtare, për arsye të brendshme ose të jashtme, janë ende duke ngritur disa pyetje. Ky është funksionimi normal i procesit politik, ashtu si diskutimet tona politike këtu në Parlamentin Europian”.
“Shumë herë nuk pajtohemi me mendimet e çdo kolegu dhe është puna jonë t’i debatojmë ato dhe të përpiqemi të arrijmë rezultatet më të mira të mundshme duke marrë parasysh interesin e qytetarëve europianë. Në këtë rast shpresoj që vendet anëtare mund të arrijnë një marrëveshje shpejt, duke marrë parasysh interesin më të mirë të Bashkimit Europian dhe Shqipërisë, dhe gjithashtu duke marrë parasysh dëshirat e popullit shqiptar që janë qartësisht proeuropiane”, – shtoi ajo.
Pyetjes nëse beson se raporti i saj po siguron mjaft argumente për procesin që të përparojë për Shqipërinë dhe a mendon se do të ndodhë së shpejti, Santos iu përgjigj se “besoj se kemi një raport shumë pozitiv dhe se ne tregojmë shumë qartë se Shqipëria ka bërë shumë përparime në fusha të ndryshme dhe se ka mjaft argumente që procesi të përparojë. Aq më tepër, sepse avancimi i procesit të anëtarësimit është një pjesë e rrugës që Shqipëria dhe Bashkimi Europian duhet të kalojnë së bashku në rrugën drejt integrimit europian dhe siç themi në raport “përmbushja e pikave duhet të pasqyrohet në progres drejt anëtarësimit në BE”. Kjo është një deklaratë e qartë se i gjithë progresi i bërë nga vendi duhet të pasqyrohet në avancimin e këtij procesi. Ne nuk jemi në fund të kësaj rruge, por është e rëndësishme që të vazhdojmë të përparojmë në të”.
Lidhur me përparimin e përgjithshëm që Shqipëria ka bërë midis dy raporteve, Santos theksoi se “unë kam qenë shumë e qartë duke deklaruar se Shqipëria ka bërë përparim të rëndësishëm në vitet e fundit. Në shumë zona të ndryshme, si në drejtësi, në sistemin zgjedhor apo edhe fushën e administratës publike. Edhe përmes një periudhe shumë të vështirë në jetën e vendit, me tërmetin në fund të vitit 2019 dhe pandeminë gjatë vitit të kaluar, mënyrën sesi shqiptarët, autoritetet dhe shumë aktorë të ndryshëm në shoqërinë shqiptare kanë qenë në gjendje për zbatimin e reformave dhe ndryshimeve të kërkuara nga procesi i pranimit. Sigurisht që ka ende shumë gjëra për të përmbushur dhe puna nuk ka mbaruar, por progresi ka qenë shumë mbresëlënës”.
Ndërsa lidhur me punën e bërë në reformat në sistemin gjyqësor shqiptar si dhe ngritjen e organeve për luftën kundër korrupsionit, të cilat janë mirëpritur nga BE, Santos deklaroi se “BE është shumë e impresionuar nga puna e bërë në Shqipëri për luftën kundër korrupsionit dhe për reformën e sistemit gjyqësor. Sigurisht, këto reforma dhe ngritja e organeve si SPAK, do të japin rezultate në planin afatmesëm dhe afatgjatë. Nuk mund të presim rezultate brenda ditës. Hapat e rëndësishëm po ndërmerren nga vendi. Tani shpresojmë që ato të prodhojnë rezultate që ne besojmë se do të japin”.
“Lajmet e fundit tashmë tregojnë se SPAK ka qenë shumë aktiv dhe duke hetuar shumë raste të profilit të lartë dhe duke dhënë disa rezultate të mira në këtë fushë dhe besoj se ky është një sinjal shumë pozitiv”, – tha Santos.
Pyetjes a mendoni se kushtet zgjedhore janë mjaft të lira dhe të drejta dhe çfarë prisni prej tyre në lidhje me ndikimin e tyre në demokracinë në Shqipëri, Santos iu përgjigj se “unë mendoj se zgjedhjet e ardhshme janë shumë të rëndësishme për Shqipërinë, dhe siç them në raportin tim ato “do të jenë thelbësore për konsolidimin dhe rinovimin e procedurave dhe strukturave demokratike të vendit dhe arritjen e një niveli më të lartë të stabilitetit politik”.
“Nevoja për të kapërcyer polarizimin ekstrem në fushën politike është gjithashtu diçka që unë shpresoj se mund të përmirësohet nga zgjedhjet dhe me një rëndësi thelbësore për Shqipërinë. Unë ndaj pikëpamjet e Komisionit që vlerësoi përparimin e bërë në reformën zgjedhore, në përputhje me mendimin e përbashkët të Komisionit të Venecias dhe OSBE/ODIHR, dhe gjithashtu shpresoj që ndryshimet e mbetura teknike të mund të zbatohen sa më shpejt të jetë e mundur”, – tha Santos.
Sot, për herë të parë në Parlamentin Europian, do të diskutohen dhe miratohen Raportet mbi vendet e Ballkanit Perëndimor. Vitin e kaluar në të cilin PE miratoi një Raport mbi Shqipërinë, në 2018, vendi u refuzua nga Këshilli, së bashku me Maqedoninë e Veriut, në përpjekjen e tij për të hapur negociatat e pranimit.