Kriza e shkaktuar nga pandemia dhe pasojat që solli ajo, duket se i kanë bashkuar më shumë familjet me njëra tjetrën, ndonëse fizikisht larg.
Të dhënat e publikuara nga Banka e Shqipërisë tregojnë se të ardhurat nga emigrantët në vitin 2020 ishin 673 milionë euro, me një tkurrje të lehtë prej 4%. Kjo rënie erdhi si rrjedhojë e reduktimit të fortë të prurje në tremujorin e dytë të karantinës (-35% me bazë vjetore). Por në periudhën në vijim rritja ka qenë e fortë, përkatësisht 6.5% në të tretin dhe 11.5% në të katërtin, duke kompensuar pothuajse tërësisht rënien në periudhën e bllokimit.
Aktorët e tregut pohojnë se në tremujorin e tretë dhe të katërt është konstatuar rritje e prurjeve, por kjo tendencë ka reflektuar dhe mbylljen e rrugëve informale, si sjellja e parave dorazi, nëpërmjet autobusëve, miqve, etj., dhe orientimin drejt operatorëve të licencuar.
Sipas operatorëve rritja e prurjeve të emigrantëve lidhet me nevojën e shtuar për mbështetje në kushtet e pandemisë, kombinuar me humbjen e vendeve të punës dhe nivelit të të ardhurave tek ne, si rrjedhojë e situatës. Rritje është shënuar nga pothuajse të gjitha shtetet kryesore.
Italia dhe Greqia vijojnë të mbeten kanalet kryesore të dërgimit të parave në vend, për shkak të numrit të lartë të emigrantëve që jetojnë e punojnë në shtetet fqinje. Por vitet e fundit po rriten edhe prurjet nga vendet e reja të emigrimit, kryesisht Mbretëria e Bashkuar dhe sidomos Gjermania. Aktorët e tregut pohojnë se Gjermania, për vetë faktin që është në tipologjinë e një vendi me emigracion të ri, gjatë viteve të fundit ka qenë në një rritje konstante.
Trendi i remitancave ka ndjekur në tri dekadat e fundit një tendencë ciklike, duke kulmuar në vitin 2008 dhe më pas filloi rënia, teksa me kalimin e më shumë se një dekade, emigrantët filluan të shkëpusin lidhjet me vendin mëmë, të krijonin familjet e tyre dhe të dërgonin më pak para.
Por vitet e fundit, vendi po përjeton një valë të re emigracioni, që solli sërish një rritje të remitancave, që pas vitit 2013.