MENU
klinika

Ligji për Teatrin

Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit apel deputetëve: Pranoni dekretin

25.10.2018 - 12:24

Në një kohë kur sot pritet që maxhoranca të rrëzojë dekretin e presidentit Ilir Meta për ligjin për shembjen e teatrit kombëtar, vjen një reagim nga Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit.

Përmes një deklarate për shtyp Aleanca i bëri thirrje deputetëve të maxhorancës që të pranojnë dekretin e Presidentit, ku ky i fundit e ktheu sërish ligjin në Kuvend pasi janë shkelur 9 pika. Sipas Aleancës ligji në fjalë duhet të rrëzohet, pasi është anti-kushtetues.

DEKLARATË PËR MEDIAT

Deputetë të Kuvendit të Shqipërisë,

Ju jeni mbledhur sot për të rishqyrtuar një dekret të Presidentit në lidhje me ‘ligjin special’ për prishjen e Teatrit.
Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit ka një kërkesë të thjeshtë ndaj jush: pranoni dekretin dhe rrëzojeni njëherë e mirë këtë çmenduri anti-kushtetuese!

E gjithë nisma e Qeverisë për prishjen e Teatrit është një nga shkeljet më të qarta të Kushtetutës së vendit tonë. Ajo synon të grabisë tokë publike e private ne mes të Kryeqytetit për t’ia dhuruar klientëve të Kryeministrit në një kohë kur Gjykata Kushtetuese nuk funksionon. Nuk ka dhe nuk ka pasur kurrë asnjë qëllim përveç këtij.

Kjo situatë është shpjeguar në mënyrë të vazhdueshme e të qartë jo vetëm nga Aleanca, shkrimet e panumërta të shumë intelektualëve publik vendas e të huaj, por edhe nga dy dekrete të detajuara të Presidentit.

Sot, nuk ka asnjë deputet që mund të shfajësohet duke thënë se nuk ishte i informuar për atë që po ndodhte teksa po votoni për herë të tretë për këtë problem.

Si rrjedhojë, kushdo që voton për miratimin e atij ligji famëkeq sot po bëhet haptazi palë në vjedhje kundra interesit publik dhe në shkelje të Kushtetutës.
Çfarëdo që të bëni në pjesën e mbetur të jetës tuaj, kudo që të shkoni, me cilindo të takoheni, kjo votë do ju ndjekë nga pas! Do konsideroheni përherë si deputetët që votuat për të vjedhur popullin tuaj!

Votimi i sotshëm është i rëndësishëm për ju. Jeni ju ata që duhet të vendosni se me çfarë reputacioni dhe imazhi do perceptoheni në publik nga sot e tutje.

teatri-kombetar-konica.al
 

Për ne, votimi i sotshëm është thjesht konfirmimi i radhës se kemi të bëjmë me një qeveri të paskrupullt, jo thjesht të korruptuar, por qartazi kriminale, e cila nuk ndalet para asgjëje me qëllim kryerjen e grabitjes se planifikuar.

Aleanca ka shprehur haptazi qëndrimin e saj se Teatrin do e mbrojmë deri në fund, edhe me trupat tanë po të jetë e nevojshme. Sido që të votojnë sot deputetët, rruga jonë është e qartë. Me apo pa deputetët, Teatri nuk do shembet!!!

Sot janë deputetët që duhet të vendosin në cilën anë të historisë qëndrojnë.

Mos u bëni palë me vjedhjen!

Mos u bëni palë me shkeljen e Kushtetutës!

Brezat që vijnë nuk do ua falin aq kollaj sa mund të mendoni ju.

Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Elma Doresi: Mos punoni, do t'ju zërë Epidemia!

Teatri Kombëtar, spastrime si në kohën e komunizmit