E diela e fundit e muajit mars shënon ndërrimin e akrepave të orës dhe zhvendosjen e tyre një orë përpara.
Ky ndryshim i orës ndodh në orën 02:00 të mëngjesit, kur akrepat zhvendosen dhe ora shënon 03:00. I quajtur numërimi i orës verore, ky ndryshim do t’u japë mundësi të gjithë njerëzve të shijojnë më shumë ditën dhe rrezet e diellit.
Në vende të tjera, ky ndryshim ndodh sipas orëve përkatëse lokale. Për vendet e Bashkimit Evropian, ora e gjithë zonës do të ndryshojë në të njëjtin çast.
Ndryshimi i orës më parë në Evropë ka qenë jo i njëtrajtshëm, por ai filloi të përgjithësohej nga viti 1974, pas krizës së parë të naftës dhe kur disa vende vendosën të çojnë përpara orën për të shfrytëzuar më shumë dritën e diellit dhe për të konsumuar më pak energji elektrike.
Ndryshimi i orës në Evropë u vendos si ligj evropian nga viti 1981 dhe është rinovuar çdo katër vjet. Norma evropiane përcakton në mënyrë të qëndrueshme datat e fillimit të periudhës së orës verore, ku akrepat lëvizin 60 minuta para dhe orës dimërore kur ato shkojnë një orë pas.
Ndryshimet bëhen të dielën e fundit të muajit mars dhe të dielën e fundit të muajit tetor.