Të tjera detaje dalin në dritë nga zjarri që ndodhi në magazinat e një qendre tregtare në hyrje të Tiranës, ku fatkeqësisht humbi jetën 33-vjeçari Arjan Sala. Ngjarja ndodhi pasdites e së mërkurës.
Nga hetimet e policisë, rezulton se zjarri dyshohet të ketë nisur si pasojë e një shkëndije elektrike nga një tel gjysmëpërcjellës që lidhej me një ndriçues. Po ashtu mësohet se zjarri është konstatuar nga punonjësit e magazinës, të cilët po shkarkonin një kamion.
Ndonëse ata kanë ndërhyrë me fikse dore për të fikur zjarrin, për shkak të materialeve të djegshme plastike vatra është riaktivizuar me i fuqishëm ku edhe ndërhyrja e zjarrfikësve ishte e vështirë.
Paralelisht me dokumentimin e shkakut të zjarrit po hetohet nga ana e policisë dhe prokurorisë edhe për shkaqet e vdekjes se 33-vjeçarit Arjan Sala.
Po verifikohet nëse janë zbatuar si duhet masat kundër zjarrit ne objekt dhe për faktin nëse kanë qenë apo jo funksionale sinjalistikat dhe daljet e emergjencës.
Trupi i 33 vjecarit u gjet dje gjatë natës në fund te magazinës pas një dere metalike të mbyllur, vetëm pas 50 orë kërkimesh.