MENU
klinika

Heqja e kandidatëve

Vendimi i Kolegjit Zgjedhor, vijnë reagimet nga selia rozë dhe selia blu

29.03.2021 - 15:11

Kolegji zgjedhor ka pranuar padinë e PS për kandidatët shtesë të PD, duke vendosur heqjen e kandidatëve shtesë dhe lënien në fuqi vetëm listën me 153 kandidatë të PD.

Për përfaqësuesin ligjor të PS, Eridian Salianji, ky vendim nuk duhet lexuar as si humbje e PD dhe as si fitore e PS, por një fitore e procesit zgjedhor në mënyrë të palët të futen në pozita të barabarta në garën e 25 prillit.

“Vendimi i sotëm nuk ishte një vendim me të cilin humbi PD apo fitoi PS , vendimi i Kolegjit Zgjedhor solli procesin në rregullshmërinë ligjore, pra të gjitha janë në pozita të barabarta për procesin zgjedhor për datën 25 prill”, u shpreh për mediat përfaqësuesi ligjor i PS, Eridian Salianji.

Sekretari për Çështjet Zgjedhore në Partinë Demokratike, Ivi Kaso  reagoi më parë po ashtu.

Kaso shkruan në “Facebook” se ndalimi i opozitës për t’u përfaqësuar në zgjedhje me lista të plota është i ndikuar politikisht nga interesi politik i partisë në pushtet.

Deklaratë e Sekretarit për Çështjet Zgjedhore Ivi Kaso:

Vendimi i sotëm i Kolegjit Zgjedhor për listën e deputetëve nuk është vendim që respekton ligjin elektoral. Ndalimi i opozitës për t’u përfaqësuar në zgjedhje me lista të plota është i ndikuar politikisht nga interesi politik i partisë në pushtet.

Jemi të keqardhur për këtë vendim që nuk i shërben ligjit dhe interesit publik, por ne besojmë se rezultati në fund të procesit zgjedhor do të tregojë se opozita është shumica politike në vend.

Pavarësisht se vendimi i Kolegjit nuk është në përputhje me ligjin, ne do ta respektojmë atë dhe do të vazhdojmë betejën tonë për fitoren e zgjedhjeve në 25 Prill, për t’u sjellë shqiptarëve ndryshmin që duan dhe meritojnë.