MENU
klinika

Podgorica i kërkon ndihmë BE-së

Kina mund të çojë në falimentimin e Malit të Zi si shtet

29.03.2021 - 16:31

Mali i Zi i ka kërkuar sot Bashkimit Europian ta “shpëtojë” nga Kina, pavarësisht lidhjeve të ngushta që ka ndërtuar viteve të fundit me Pekinin. Edhe pse Podgorica ka arritur të thithë një sërë investimesh infrastrukturore nga Kina, të cilat kanë kontribuar ndjeshëm në zhvillimin e vendit, Podgorica duket po përballet me anën e errët të asaj që njihet si “diplomacia e borxheve” të Kinës.

Malin e Zi i ka kërkuar ndihmë të BE-së të ripaguajë një hua prej miliardë euro që i mori Kinës për të ndërtuar pjesën e parë të një autostrade, i cili nëse nuk shlyhet sipas ekspertëve mund të çojë në falimentimin e Malit të Zi.

Ky borxh iu ofrua Malit të Zi nga Pekini si “ndihmë financiare” për ndërtimin e autostradës, ashtu siç i është ofruar për një sërë projektesh të tjera infrastrukturore.

Zëvendës Kryeministri Dritan Abazović tha në një thirrje drejtuar Brukselit zyrtar se BE-ja duhet ta ndihmojë Malin e Zi në uljen e ndikimit të Kinës në vend. Marrja e një kredia prej 809 milionë eurosh për të ndërtuar një autostradë nga Podgorica në Serbi e ka çuar nivelin e borxhit të Malit të Zi në 80 për qind të PBB-së së saj, duke ngritur shqetësimet se Kina është duke “nënshtruar” vendin fqinj.

“Unë mendoj se kjo është një përgjigje logjike, të zëvendësojmë një hua të keqe me një tjetër, më të favorshme, e cila do të ishte më e lehtë për Malin e Zi. Ne gjithashtu duhet të mendojmë për modele alternative të financimit të ndërtimit të dy pjesëve të tjera të autostradës, pa të cilat seksioni i parë nuk ka kuptim të plotë dhe që do të mbronte plotësisht Malin e Zi” shtoi zv / kryeministri.

Sipas Abazoviç, qeveria malazeze e udhëhequr nga Milo Đukanović kishte bërë një marrëveshje të dobët me Kinën, duke e bërë Malin e Zi të varur nga Pekini dhe duke e lënë “pa asnjë autostradë të mirëfilltë, sepse afati për përfundimin e punimeve tashmë është shkelur disa herë”.  Ai tha se huatë që Mali i Zi po merrte nga Kina nuk ishin të lira, ndërsa firmat kineze që investonin në vendin fqinj po punësonin kineze dhe jo malazezë dhe nuk po fuqizonin industrinë.

Për çfarë projekti bëhet fjalë?

Kina ka financuar ndërtimin e autostradës Bar-Boljare, e cila do të lidhë Serbinë, Malin e Zi dhe Italinë, por ky projekt ka ngritur pikëpyetje serioze në Podgoricë. Sipas një sërë ekspertësh, ndërtimi i autostradës do ta çonte vendin në një situatë shumë kritike financiare nëse Mali i Zi nuk do të ishte në gjendje të shlyente kreditë e ofruara nga Kina brenda afatit të caktuar. Ata kanë paralajmëruar madje se falimentimi i shtetit është një nga skenarët më të këqij, por edhe të mundshëm.

Lidhja e qytetit bregdetar të Barit (Tivarit) dhe Boljares në Serbi, në kufirin me Malin e Zi, është pjesë e autostradës Beograd-Bar. Pjesa që do të kalojë përmes Malit të Zi është investimi më i madh atje, që kur vendi fqinj fitoi pavarësinë në vitin 2006. Ajo do të përfshijë rreth 165 km rrugë, 48 tunele dhe 107 ura. Shuma prej 809 milionë eurosh duket jashtëzakonisht e lartë për një vend si Mali i Zi, ndërkohë që asnjë prej politikanë në Podgoricë nuk di të përgjigjet sesi do të shlyen kreditë kineze.

Një sërë ekspertësh ngritën dyshime nëse Mali i Zi duhet të përfshihej një projekt kaq ambicioz, duke marrë parasysh numrin e banorëve dhe mbi të gjitha, nëse autostrada do të jetë fitimprurëse, duke pasur parasysh se kalon nëpër një terren malor pothuajse të pabanuar.

Shumë analistë europianë po përpiqen të paralajmërojnë publikun e gjerë për rreziqet që vijnë nga marrëveshjet dypalëshe jo-transparente me Republikën Popullore të Kinës. Shumë prej tyre po heqin paralele me Sri Lankan, e cila është “kapur” nga qeveria kineze pas nuk mundi të shlyente në kohë kreditë për projektet infrastrukturore.

Edhe pse rreziqet janë të mëdha, presidenti Milo Gjukanoviç mbështeti jo vetëm këtë projekt por edhe investime të tjera të ngjashme që vijnë nga Kina. Në vitin 2005, në kohën e Unionit Shtetëror të Serbisë dhe Malit të Zi, Gjukanoviç ishte një nga mbështetësit më të hershëm të autostradës Bar-Boljare. Qeveria argumentoi se ky projekt do të sillte rritje ekonomike në rajonin e pazhvilluar ku do të kalojë, përmirësimin e tregtisë me Serbinë, si dhe përmirësimin e infrastrukturës malazeze. I gjithë ndërtimi është planifikuar në katër faza, e para prej të cilave është një rrugë 41 kilometra e gjatë që shtrihet në veriun kodrinor të vendit fqinj dhe do të përfundojë në maj të këtij viti. Tre fazat e tjerat do të jenë të vështira, për arsyen e thjeshtë se shteti malazez nuk mund të marrë hua shtesë.

Si zgjidhje për problemin, qeveria e mëparshme sugjeroi një partneritet publiko-privat sipas të cilit një palë e tretë do të vazhdojë të ndërtojë dhe të operojë autostradën nën një koncesion tridhjetë vjeçar në mënyrë që të mbulojë borxhin. Projekti është financuar nga banka kineze “Exim” dhe po ndërtohet nga një kompani e madhe shtetërore kineze, e cila nënshkroi një memorandum mirëkuptimi me Malin e Zi këtë mars për të përfunduar punën e papërfunduar.

Dy të tretat e punëtorëve janë kineze dhe kompania kontraktore ka lidhur një marrëveshje me Podgoricën që materialet dhe pajisjet e importuara të ndërtimit të kalojnë pa paguar tarifa shtesë.

Diploamcia e borxheve

Nga viti 2007 në 2017, Pekini ofroi 12 miliardë euro në kredi për projekte ndërtimi në 16 vende, një e treta e të cilave shkoi në Serbi, e ndjekur nga Bosnja (21%) dhe Mali i Zi (7%). Ofrimi i kredive të buta, ose investimeve jo transparente është kthyer tashmë në një polikë strategjike për qeverinë kineze, duke krijuar atë që ekspert perëndimorë e quajnë “diplomacia e borxheve”.

Mali i Zi ka në fakt një prej përqindjeve më të larta të borxhit të jashtë ndaj Kinës, i cili përbën plot 39 për qind të borxhit të jashtëm total.

Ekspertët kanë paralajmëruar prej kohësh se vendet e Ballkanit duhet të jenë të vetëdijshëm për pasojat e investimeve kineze dhe të pranojnë se mungesa e transparencës nuk është bonus, por një frenim i ambicieve të tyre për t’u anëtarësuar në Bashkimin Europian. Pekini e sheh Ballkanin si një nyje qendrore të projektit infrastrukturor global të njohur si “Një Rrip një Rrugë”, pasi për shkak të pozicionit të tij është një korridor transporti për mallrat kineze në tregjet e Europës perëndimore.

Mikal Vit, një hulumtues në Institutin “Europeum” deklaroi para pak kohësh se politikanët në Ballkan kishin “humbur shpresën” në fuqinë e BE-së dhe se thjesht po përqafonin fuqitë që ” që sjellin përfitime”. Sipas tij, ndryshe nga BE-ja, Kina nuk parashtron kërkesa në aspektin e sundimit të ligjit, demokracinë dhe të drejtat e njeriut përpara se të investojë.

Edhe raporti i Mynihut ngre alarmin se aktivitetet e Pekinit po ngrenë dyshime brenda Bashkimit Europian se Kina mund të shfrytëzojë përparësinë e saj ekonomike për përfitime politike.

Ai shton se një problem tjetër është se projektet kineze nuk janë domosdoshmërish në përputhje me rregullat e transparencës dhe të qëndrueshmërisë së BE-së. Raporti citon shembuj të tjerë të ndikimit kinez në rajon, siç është promovimi i mbulimit “pozitiv” të Kinës në mediat serbe.

Ai gjithashtu vë në dukje se ndërkohë që BE-ja mbetet donatori dhe investitori më i madh në rajon me një diferencë të konsiderueshme, ajo është ndërgjegjësuar vetëm së fundmi për rrezikun e rritjes së Kinës dhe Rusisë në rajon.(“Euractiv”. European Western Balkans”)