Një tjetër incident elektoral është shënuar sot në qytetin e Beratit, ndërkohë që na ndan më pak se një muaj nga zgjedhjet e 25 prillit.
Mësohet se një zyrë elektorale e Partisë Socialiste është qëlluar me gurë.
Bëhet fjalë për zyrën e PS-së në lagjen “30 Vjetori”, që ndodhen në anë të rrugës kryesore të qytetit. Dera e jashtme e zyrës është thyer pasi është goditur me gurë. Fill pas konstatimit të aktit, rreth orës 07:30 të mëngjesit është njoftuar policia.
Ekspertët kanë mbërritur në vendngjarje dhe po kryejnë hetimet, por ende nuk dihet nëse dëmtimi i derës është i qëllimshëm apo nga ndonjë person i dehur gjatë natës.
“Blutë” kanë sekuestruar kamerat e sigurisë së bizneseve për të identifikuar personin apo personat e mundshëm që fshihen pas ngjarjes.